Friday, May 24, 2019

Prend BUZHALA:ENDE QENKEMI NË USHËKRYQ: KAH EVROPA APO KAH ORIENTI?

Image may contain: 1 person, standing, beard and outdoor
(Nga ligjërimet për të vërtetën), 22

Ne mund ta madhërojmë Evropën duke e madhëruar vetveten si komb modern, po qe se kemi ideal evropianizmin e kombit shqiptar. ...jo vetëm për shkak të faktit që kjo Evropë na e largoi Serbinë prej Kosovës...

1.
Duhet të formohemi e sillemi kësisoj, për hir të krejt gjeneratave të së kaluarës: të gjeneratës së Marin Barletit (që kjo Evropë i strehoi, u dha punë, i shkolloi, ua botoi veprat, ua ruajti ato e ua ruajti emrat me kujtesë arbërore); të gjeneratës së Buzukut, Budit e Bogdanit (që ua shtypi veprat, ua ruajti së bashku me emrat e me kujtesë e shkrimit shqip); të gjeneratës së rilindësve, në krye me Naim Frashërin e Madh, të cilët, në frymën e iluminizmit evropian, ideuan diellin "që lind andej nga perëndon"... deri te gjenerata e Jusuf Gërvallës, të cilën, po ashtu, e strehoi po kjo Evropë, dhe po kjo Evropë u dha zë idealeve e kërkesave të tyre për liri...
Kështu është edhe sot.
E di që Rusia gjatë shekullit 19 pati arritur ta përhapë moton antievropiane "Evropa shtrigë", që depërtoi edhe në Ballkan... Sikur një "Nanë Turqi", të kishte qenë e tillë, si Evropa, ne do ta kishim adhuruar atë pa dallim, por ajo na e dhunoi identitetin shqiptar, na e tjetërsoi kulturën, lëshoi mallkime kundër librit shqip e shkrimit shqip dhe kundër çdo gjëje shqiptare...dhe babës Sulltan i besuan paria e vendit, në atë Kongres Berlini, kur i thanë: Perandori, ne jemi me ty, ne nuk ka nevojë të paraqesim kërkesa për pavarësi. Mbrona! Dhe Nana Turqi ua dha copat e trojeve shqiptare Serbisë e shteteve përreth, se vetëm ajo ishte legjitime të na përfaqësonte në Kongrese e konferenca ndërkombëtare, mbasi shqiptarët nuk kërkonin pavarësim!!!
E di që Evropa na i ka gjynahet e veta! Por, qe pra, po heqim dorë prej këtij ideali barletian, buzukian, rilindas e modern... dhe, hiq të mos kemi "merak", këtë ideal evropian tashmë dissa qarqe me ndikim në Kosovë, kanë zënë ta zëvendësojnë me idealin për neo-otomanizëm...
Nëse të gjithë nuk duam të jemi pjesëtarë të këtij ideali oriental, të asaj dashurie neo-otomane, s'ka gjë: deri tash kemi qenë bashkëvuajtës, SI SHQIPTARË me shqiptarinë... te neo-otomanizmi, ka vetëm një betim: nuk do të jemi kurrën e kurrës bashkë!!! As si komb! Madje, nuk do të gjendemi kështu as në ato integrime evropiane!

2.
Ende disa koka tonat Evropën e quajnë armike. Evropën e kemi mik, Turqinë e kemi mike të tashme për aq sa e respekton pavarësinë tonë e identitetin tonë. Pikërisht për atë fakt që e pohojmë: që ta duam vetveten! Nuk është Evropa që zyrtarisht kërkon ndërrime të historisë, por është dikush tjetër, që kërkon heqjen e emrit të Skënderbeut, ndërrimin e historisë etj. Madje, Davutogllu që i prin kësaj fushate të ideologjisë së neo-otomanizmit, e thotë haptas se me shqiptarët "jemi vllazën", se shqiptarët janë pjesë e kombit të madh otoman! Dhe jo pak emra e qarqe (intelektuale, politike e fetare madje) në Kosovë i bashkëngjiten Davutogllut (ideolog i neo-otomanizmit), duke u bërë "ma turk se turku", duke shkuar edhe më larg se ai: duke sulmuar e mohuar jo vetëm Skënderbeun, po edhe Bogdanin, Nënën Tereze etj. e nga Pwrandoria otomane trashëguam copëtimin nga ajo në katër drejtime, në katër vilajete, në katër besime... dhe mungesën shqiptare të vetëpërgjegjësisë...
Nëse mospajtimi ynë me këto theqafje identitare shfaqen në vedtëmbrotje të identitetit tonë, kjo nuk do të thorë se ne shfaqim turkofobi a urrejtje ndaj saj. Assesi!
Atëherë si ta shohim qëndrimin e urrejtjen turke kundër Skënderbeut e kombit shqiptar? Dështuan dofarë komisionesh për rishqyrtim të historisë, spe reaguan intelektualët, reagoi populli.
Turqit, kuptohet, për shjak të besimit të përbashkët me “vllaznit myslimanë” (nuk na quan shqipoatrë, por myslimanë, se nuk na e njeh kombësinë), nuk kanë kërkuar ndryshime për sa i përket figursë së Adem Jasharit, por asaj të Skënderbeut e të periudhës së pushtimit otoman...
Shtrohet pyetja: a ka shqiptar me pak mend në krye që, bie fjala, ta mohojë Adem Jasharin? Pati edhe këso kokash të krisura që ligjëruan edhe kundër Adem Jasharit, ligjëruan jo nag guximi i ytre, por nga ligësia e qyqarllëku i shpirtit të tyre të varfër...

3.
Për detyrat e shtëpisë si thotë "Brukseli zyrtar", sikur nuk po kryhen, ndërkohë që detyrat antikombëtare që na i japin "vëllezërit” nga orienti, po kryhen shkëlqyeshëm, duke e ntrashur baltën mbi vetveten, duke ia dorëzuar krejt pasurinë e Kosovës tjetërkujt, së bashku edhe me trashëgiminë e historinë! Edhe politikën!!! Sepse orienti nuk është ngushtë a ka korrupcion a jo, a ka papunësi a jo! A ka standarde evropiane a jo!
Këto qenkan "detyra"!?
Tashmë janë realizuar disa nga qëllimet neo-orientale, tejet të dëmshme ... këto qëllime sikur e kanë blerë shpirtin e kësaj hapësire! Sikur nuk na bëjnë përshtypje këto sulme brendashqiptare me frymë të tillë. Prandaj “sovrani i jashtëm” i ka të lehta për t'i paraqitur ato urdhra ideologjikë, sepse nuk ka kushedi çfarë kundërshtimesh brenda nesh, por përkundrazi, dakordimesh! Kurse Turqia sillet me ne, sikur të jemi ne pjesë e saj... sillet si tutor, me politikën e vjetër të mohimit!
Ne nuk e kemi për detyrë ta sqarojmë, përse, bie fjala, nuk mund të pranohen në BE Turqia e Qiproja turke, por pranohen Greqia e Qiproja greke... Shqipëri e Kosovë jemi ku jemi! Është shansi historik t'i kthehemi vetvetes, dhe, si thuhet shpesh ndër ne, ta duam vetveten!
Brukseli e Stambolli!
Por francezët e gjermanët nuk pranojnë të hyjnë nën ombellën otomane as neo-otomane, e nderojnë njëri-tjetrin, se kane të njëjtin identitet evropian, por e ndihmojnë dhe e nderojnë edhe Turqinë.... Sigurisht, asnjë njeri normal nuk është kundër marrëdhënieve miqësore e të bashkëpunimit me të tjerët, madje qeveritë tona të deritashme kanë propaganduar e propagandojnë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë (bile në aspektin ekonomik, marrëdhëniet më të mira të Kosovës duket se ishin pikërisht me Serbinë)! Ishin! Deri sa u krijua një realitet i ri politik!

(Prend Buzhala, 22 maj 2019)

0 comments:

Post a Comment