Friday, May 31, 2019

Tonin NIKOLLI: Cikël Poetik

Image may contain: Malli Poetik T. Nikolli, sittingMEDITIM NE PREHISTORI…
( …deri në të sotmen..)
Më vjen ndërmend shpesh e më shpesh,
rruga e ngushtë, malit në KRESHTË…
Isha i ri, ecja në këmbë,
dy libra në çantë, poezi ndër dhëmbë…
Nga zemra e malit, në gjurmë të mushqve,
buronte i freskët KROI I KRUSHQVE…
Duke pirë, shuar etjen,
mendoja gjatë fatin e t’shkretëve.
Dy palë krushq, siç thotë legjenda,
u ndodhen përballë… dhe u prish mendja…
… se udhë nuk bëri asnjëra palë.
U vranë të gjithë, veç nusja gjallë…
N’atë shteg të ngushtë, të ngushtë,
ku shkojnë, trokëllijnë vetëm… mushqtë…

LUTJA E PARAGJUMIT
Mësojua artin e dorëheqjes!
Të marrin rraqet
dhe ti gjejnë shteg vetes...
Amen.

I PAHUMBUN...
Jam i pahumbun!
N'udhkryqin e ngatrruem të botës,
më njofti nji lyps...
N'mencen e karitasit,
m'thirri n'emen nji i uritun...
N'aksident,
n'pamundsi t'pergjigjem vetë,
nji deshmitar duel para policit:
e njoh un. Asht nji shqiptar i shkretë...
Jam i pahumbun!
Shejt a djall,
emnin e kam t'shkruem
n'ball...



O POPULL, A MERR VESH…
Ti je i çuditëshëm, populli im!
Mbi buzën tënde të etur,
shushunjat pinë…
Ti je i trishtuar, populli im!
Liliputët e kohës,
ta përshurrën krenarinë.
Ti je i marrë, populli im!
Beson në ata,
që para e mbrapa të q…




O ZOGJ....
Ah,
në ditën e qiellit blu,
(festë jozyrtare, sigurisht)
iu dhashë bujarisht puplat,
të fluturoni ëndrrën lirisht...
Të marrë!
I zhgrryet pendët,
i gërvishtët krahët,
i tërhoqët zvarrë...
...pa kuptuar kurrë,
se ishit zogj...

NUK KAM AQ FRYMЁ…
Nuk kam aq frymë,
sa të shpërndaj retë…
As kurorë të madhe,
t´i zë dritën diellit…
Kam mësuar në jetë,
se jam banor i tokës,
vetëm pse shtëllunga e hirtë
dhe disku i artë,
janë binjakë të qiellit…
Nuk kam aq frymë,
nuk kam…


KUR BIE SHI
Kur bjen shi,
çoj kryet nalt
e kacavarem pejnave të lagtë,
për me i shkye retë...
Tuj mendue,
se mbrapa perdes,
asht dielli i shndrishtëm,
i zjarmtë, i nxehtë...
Kur bjen shi,
sdeshi teshat
e futem nan cirka t'tjegllave,
me krye nalt...
Tuj mendue,
se jam nji peshk,
që sulmon rrjedhën,
e don m'e ndalë...


0 comments:

Post a Comment