Sunday, August 23, 2020

Poezi nga Ylli Galina: PRISHTINË, 1998..

 .

Në Tiranë tek-tuk ndonjë shpirt i prehur në dyshime,
ka kapur flakën serbe mbi shkrumb Prishtine
dhe është hedhur tej kufirit, se Tirana s’është qemer,
duhet tejkaluar pelimin e qetësisë së rëndë në metal,
s’mund të pritet. Në Prishtinë po bien theror zogjtë,
lulet, bari, nënat, fëmijët, ushtarët, gjethet.
Ik, fat qelqesh të thyer! Jetoni këtu, lejlekë mbi qiparisë!
Stalaktitet e hilesë, ja pse janë sy të natës në Tiranë,
po mbushin pjatat me mëlçi qensh…Na kanë harruar!
1981-te Enveri tha: “Nuk jemi për dy shtete shqiptare!”
Dhe luftën për çlirimin, as më 1998…Tirana s’e do,
nuk e djeg një copë mallë.
Banda muzikore, ju shoh, shkrini ndryshkun e kuq.
Ju njoh kaq mirë, si gjithmonë ju kam njohur, kofshët
e femrave vërtisni tok me sllavë.- Tiranë, ne po vdesim!
“Ka kohë, prisni!” Na thoni me meloditë që ndërrojnë.
“Do na prishin me serbin këta të prapë!” Si dinë kështu!
Në Beograd imazhin e kuq të Tiranës fryjnë:
“Prishtinë, Tiranë…s’njihen këta! Možemo protiv njih*!”
Gosti prozhmi kukullat e gënjyera, lozin llumin e reve,
hiri i urnave, - urë zotave u ka ngrehur, do vijnë
e do kalojnë ata mbi, si qiejt puthiten përtokë
me lotë varrimtarë ngrehin ode mërzie që kjo natë
do jetë e fundit nën serbë, qoftë edhe nëse në Tiranë
do këmbejnë damkat e shekullit me Beograd,
vjeshta do shmang engjëjt që në hënë po ngjiteshin.
S’do ketë më mrekulli, kur ndryshku i kuq
s’do i lerë mashtruesit e mykut të kuqërremë
të mbushin rrugët me kallp viktimë,
ah, heronj si xhita për sytë e eklipsit!
Jo, jo, stalaktite mashtrimi! Jo të jeni sy të natës
në Tiranë të çmendurish
që mbushni e zhdëpeni me të ngrëna,
ballë llogoresh,
kargatisur me pohe pellgjet,
pjatat me mëlçi qensh!

0 comments:

Post a Comment