Monday, August 31, 2020

Shaqir ÇERPJA: "SHPELLARËT"

 

Varrit të gjyshit unë iu luta,
Me m' kallxu pse m' thonë "shpellar"
Ma kuptoi brengën lahuta,
Nisi këngën një këngëtar.
Hajredin Pasha po vjen Radikës,
Me ushtri prej Anadollit;
Nis me i këndu "Lahuta"e Fishtës,
Gjoksit-shpellë, të Mic Sokolit.
Luma e Dibra e Kastriotit,
Luftë me shkja, me bijët e shkinës;
E djeg vendin me prush barotit,
Oso Kuka në kullë të Vraninës.
Ia thotë këngës malësori i Shoshit;
Shoqëron këngën një zanë mali;
Futet kënga në shpellë t' Vermoshit:
Në derë të shpellës del Prek Cali.
Bashkoi burrat sofra e lirisë,
Këndoi pushka n' kullat prej guri,
Në derë të shpellës së Dragobisë,
Priti plumbat Bajram Curri.
Vaso Pasha e Stërmilli,
Rrinë me Mjedën në krye të vendit;
Këndon Gëzim Nika-zë bilbili,
Në dasmën e Norës së Kelmendi
Me penë foli Filip Shiroka,
Pena e tij s'u ndal, nuk ngeci,
Me atë penë shkroi Ndrec Ndue Gjoka,
Havzi Nela edhe Gjok Beci.
Bjeshkë e male janë trojet tona,
Këngët e trimave, këtu, s' kanë fund,
N' çdo kullë ulet e rrin shqiponja,
Fëmijët në djepa i përkund.
S' jam shpellar, as bir shpellarit,
Jam malësor, s'e mohoj kurrë;
Jam shqiptar, ajka e shqiptarit,
Vdes për komb e për flamur.

0 comments:

Post a Comment