Sunday, August 30, 2020

Prend BUZHALA: ORA POETIKE E PUSHTETIT

(Tregime me pak fjalë), 21

Edhe ky qytet, për të cilin po flasim në këtë tregim, kishte një përbindësh që e krijuan vetë qytetarët. Ngjashëm me Hulk-un, mu ashtu si një superhero i fantastikes filmore a si në librat e botuesit amerikan Marvel Comics, me autor shkrimtarin Stan Lee dhe artistin Jack Kirby.
1.
Ky Përbindëshi i këtushëm, kur zuri të merrte anën e të dobëtëve dhe anën e të mirëve, dhe nuk i përfillte rregullat e rendit politik, ia vunë pas policinë, tanket dhe helikopterët. E kishin krijuar të gjithë së bashku: njerëzit dhe ata të politikës. Qytetarët: që t'i mishërojnë dëshirat, idealet dhe qëllimet më të mira te krijesa e tillë; e krijuan dhe e ngritën në kult sidomos njerlzit e politikës për qëllime të vetat: iu duhej një Përbindësh jo vetëm si frikësues ndaj të oabindurve, por edhe si armë kundër kundërshtarëve dhe armiqve.
Duke baritur rrugëve me hapa gjigandë, Përbindëshit ia zuri veshi recitimin e një vajze në një Orë Letrare. U ndal afër dritares ku po mbahej ai tubim i çuditshëm. U mallëngjye shumë nga Fjalët e Mira, që dilnin prej zemrës. Iu dukën tepër të mira fjalët që i thoshin. Por në mes të ndjenjës së urrejtjes që kishte për ndjekësit e tij (ishte një urrejtje aq thellë e ndjerë), dhe këtyre fjalëve të mira, qëndronte një hendek i madh. Fjalët poetike e zbutën. E rikthyen Përbindëshin në qenie normale. Ishte e lehtë për forcat e rendit ta kapnin e ta lidhnin në zinxhirë.
2.
Ndodhi përsëri që ajo qenie e zbutur të shndërrohet në Përbindësh, pasi përsëri u zemërua.
Dhe ec e mbërtheje tani! Konflikte, zjarre, britma, tym.
As njerëzit më nuk i dëgjonte. Ata binin rrugëve si pula pa krye. IU solli telashe edhe me vendet përreth, deri në skajet e kontinenteve tjera. Deri atje i shkoi Zëri i Keq. E kërkuan edhe ndihmën e disa kontinenteve për ta hequr qafe Zërin e Keq.
Shkatërrimet morën hov nga të dy palët: nga Përbindëshi dhe nga forcat e armatosura të rendit. Iu ra ndërmend që ishte ajo Ora Letrare dhe sidomos ajo vajza që recitonte bukur. Me të shpejtë i thirrën shkrimtarët, i urdhëruan: "Mbajeni këtë orë letrare! Dhe kur t'u japim sinjal, le të nisë recitimin e saj Ajo Vajza e Bukur."
"E ç'na duhet një orë letrare me detyrim?, u zemërua një poet.
E morën dhe e burgosën rebelin.
U rebeluan edhe disa të tjerë. Edhe ata i burgosën. Sollën të tjerë poetë. Edhe atë vajzën e Bukur. I kërcënuan: "Mbajeni këtë Orë të Mallkuar Letrare, ose do t'ju lidhim ju në zinxhirë si aleatë të këtij Përbindëshi"!
E mbajtën si e mbajtën: duke lexuar me zë të dridhur. Lexoi edhe ajo vajza e Bukur me zë të dridhur. Përsëri e dëgjo Përbindëshi dhe u zbut nga Zëri i Përvajshëm. Diskrecioni i ligjërimit poetik, me elokuencë, e bëri të veten.
Atë që nuk kishin mundur ta bënin dy kontinente, e bënë poetët, madje, një Vajzë e Bukur poete që e zbuti me Poezinë Kushtuar Përbindëshit!
3.
Herën e Tretë, kur u zemërua, nuk arriti më të transformohej: Vallen e Çmendur të Shkatërrimit po e loznin të gjithë...
Nuk kishte më kujt t'i ndihmojë.
As arti më nuk ndihmonte.

0 comments:

Post a Comment