Thursday, August 13, 2020

Kujtim STOJKU: PËRSE SHKRUAJMË!

Është një nga pyetjet që i bëhet çdo kujt që ka marrë penën dhe është ulur për të shkruar, dhe më së fundi boton një libër, dy tre etj. Ajo që më nxiti që të ulesha e të hidhja në letër këto mendime do të ishte nxitja që do të më jepte libri i filozofit të madh Artur Shopenhaur, “BOTA SI VULLNET DHE SI PËRFAQËSIM”.

Pas një analize të mprehtë filozofike që bën ky filozof i madh, është e pamundur që të mos biesh në mendime. Dhe ajo pyetje që të kanë bërë pasi mund të kesh botuar dy - tre shkrime, një libër, të pyesin se ti patjetër ke fituar shumë, tashmë ia hodhe, të lumtë se paske qenë i zoti. Por, kur ti i përgjigjesh sinqerisht, shokut ose mikut se për fitim as që bëhet fjalë, ai atëherë të drejtohet me pyetjen: 

 - Po përse shkruan?

 Ti hesht për të gjetur përgjigjen e duhur, ose nuk përgjigjesh fare duke mos ditur se si t`i përgjigjesh atij që të pyet. Kurse ai pa të thënë asnjë fjalë mendon: " I ziu ai, mbeti tralala tërë jetën, dhe ato pak para që mund t`i kishte për ndonjë ditë zezë, i bëri rrush e kumbulla për përrallat e tij që askush nuk ia lexon, e pa le më t`ia blejnë".  Kurse ti rri i heshtur, e dëgjon me vëmendje dhe i lexon pyetjen që të bën duke nxjerrë në pah atë që ai nuk ta ka shprehur. Ai nuk e di, se derisa është botuar ai libër, mbi autorin janë turrur si hijenat që t`i thithin edhe pikun e fundit të gjakut për të mbushur xhepin e tyre. Natyrisht që këtu nuk kemi mendimin se libri duhet të botohet falas, autori është i vetëdijshëm për ekonominë e tregut dhe për këtë çdo gjë e merr parasysh.

Por në të vërtetë përse shkruajmë? Po autorët e mëdhenj që nga lashtësia, çfarë i detyronte të shkruanin? Me thënë të drejtën mendoj se është e vështirë që të japësh një përgjigje të saktë.

Mendoj se kemi dy lloj autorësh, ata që shkruajnë për një  temë të  caktuar, dhe ata që shkruajnë për hir të shkrimit. Në grupin e shkrimtarëve të parë mendohet se bëjnë pjesë ata që kanë një përvojë, të cilët  kanë nevojë që të komunikojnë me të tjerët, dhe se mendimi i shprehur duke shkruar është i vlefshëm. Në grupin e dytë bëjnë pjesë ata shkrimtarë që duan të fitojnë dhe shkruajnë për para.

Pasi me mundime mund të kesh botuar një libër, pyetja e parë që të bëjnë është se sa para fitove? Shikojeni me kujdes, kur të pyesin gjithmonë të pyesin për para, dhe nëse ti u përgjigjesh se ke fituar, atëherë do të dëgjosh lajka deri në serivlizëm që të neverisn. Kësaj analize nuk mund t`i shpëtojë edhe marketingu që i bëjnë shtëpitë botuese ndonjë libri “Best Seller”, pra libri më i shitur, dhe jo se çfarë përmban ai. Në fakt këto botime janë të shumtë. Ata që shkruajnë për para, zakonisht u thonë edhe se për çarë të shkruajnë, dhe ata fillojnë të shkruajnë duke i tjerrë mendimet në gjatësinë më të madhe të mundshme. Por mënyra se si ata i përpunojnë mendimet janë gjysmë të vërteta, të çoroditura sepse të kanë detyruar të shkruash, dhe jo se këtë punë e ke bërë me dëshirë, me pasion, e prandaj edhe vetë autori i këtij grupi për ato që shkruan është mëdyshës, por nuk duhet të harrojmë se ata duan ta shmangin këtë në mënyrë të tillë që trilli të duket si i vërtetë. Kjo është edhe arsyeja që vepra e tyre del e paqartë.

Pra, është shumë e thjeshtë për ta kuptuar se ata shkruajnë vetëm për të mbushur fletën e bardhë. Këtu është rasti të përmendim edhe autorë të njohur si Lessingu apo ndonjë tjetër. Ne do t`u referohemi autorëve të vjetër pa pasur qëllim që të lëndojmë asnjë autor të sotëm që shkruan. Biles për këtë ne i inkurajojmë që ai të shkruajë me pasion me talentin që i ka dhënë natyra duke e vënë veprën e tij në shërbim të kombit vet dhe popullit që i përket. Këtu, nuk do të përjashtojmë as gjinitë e tjera fantastiko - shkencore, e shumë e shumë të tjera.Sa më shpejt të konceptohet kjo aq më mirë është, sepse ky libër që nuk ka një temë, pra, është shkruar vetëm me qëllimin për të fituar, ky libër do të flaket tutje për të mos e harxhuar kohën kot sepse koha është shumë e çmuar. Në të vërtetë një autor i tillë që shkruan vetëm që të mbushë fletët e bardha e mashtron lexuesin, sipas preteksit të tij se ai ka diçka për të thënë. Të shkruash për para, dhe ruajtja e të drejtave të autorit është një shkatërrim për letërsinë1. Por një njeri që merr penën e ulet të shkruajë duhet të zgjedhë temën dhe është i ndërgjegjshëm se kjo temë është e vlefshme të shkruhet. Nëse do të mendohej që të punohej kështu, do të kishim një epërsi të pallogaritshme të letërsisë në çdo degë të saj, dhe si rrjedhim ne do të kishim vetëm libra të shkëlqyeshën dhe asnjë të dobët ku kritikët do të mbeteshin të papunë se s`kanë me çfarë të merren. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë për aq kohë sa paratë të fitohen duke shkruar. Këto djall parash duket sikur janë të nëmura duke mallkuar çdo autor që shkruan për të fituar para, kjo ata i shkatërron.  Veprat më të mira të burrave të mëdhenj janë shkruar në atë kohë kur u është dashur të shkruajnë për asgjë, ose janë paguar aq pak sa kanë mbajtur shpirtin gjallë. Këtu të kujtojmë shkrimtarin e madh rus, Dostojevski, shkrimtarin e madh amerikan Xhek London etj. Kjo na bën të kujtojmë një fjalë të urtë që thotë se: “Nderi dhe paratë nuk mund të rrinë në një kuletë”. Duke parë shumë botime, ku që në fillim të librit me gërma ari shkruhet “Best Seller”, pra më i shitur, ku në kapakun e fundit të kopertinës jepen sasia e shitur e këtij libri, atëherë me plot të drejtë mendojmë se letërsia e ditëve të sotme është në ditët më të mjeruara të saj. Këtu nuk po flasim për Shqipërinë, por kemi parasysh vendet e zhvilluara perëndimore që edhe ata kanë arritur deri në këtë pikë. Dhe kjo gjendje e mjerushme ka vetëm një arsye që ka ndodhur, këto libra janë shkruar vetëm vetëm për të fituar para. Çdo kush që do të fitojë para, ulet dhe shkruan një libër dhe publiku që është aq shumë budalla shkon e blen atë. Këtu nuk kemi qëllimin të themi se librat nuk duhet të shiten. Dhe ajo që është dytësore, por në fakt është aq e rëndësishme se këto që thamë më sipër po shkatërrojnë gjuhën. Kjo me të vërtetë është e tmerrshme. Sulmet ndaj gjuhës sonë të shenjtë u janë turrur me një egërsi të paparë që ta shkërrmoqin. Dhe kjo vjen nga disa gjysmë anlafabetë që krekosen me kartona diplomash që nuk kanë asnjë vlerë. Këto personazhe ne sot i kemi kudo, në administratën shtetrore, në bizneset që ata kanë në lidhje me pushtetin, e në shumë vende të tjera. Ata kanë një babëzi të tmerrshme sa duan të fitojnë në çdo pikë dhe presje.

Një numër i madh autorësh të këqinj e pranojnë tërsisht ekzistencën e tyre nga një publik i marrë të cilët lexojnë vetëm atë që është botuar. Unë këtu nuk harroj as gazetarët të cilët kur kanë shkruar për librat, megjithëse rrallë shkruajnë, por kur shkruajnë shkruajnë ashtu siç duhet. Kushedi të shkretëve sa herë mund t`ua kenë kthyer mbrapsht atë shkrim për librin e sapo botuar. Me fjalë të tjera do të thoshim se ai në këtë rast është një argat ditor. Kushedi sa i është dashur të shkruante për një libër të sapo botuar, e që shefit të tij as që i intereson.

Por le t`i kthehemi pyetjes që e kemi edhe si titull të kësaj eseje, atëherë përse ne shkruajmë?

Nëse nuk gabohem, mendoj se kemi tre lloj autorësh. Të parët shkruajnë pa u menduar fare. Ata shkruajnë çfarë kujtojnë duke hedhur mbi letër kujtimet e tyre, apo duke u mbështetur direkt ne librat e autorëve të tjerë. Kjo kategori është edhe më e madhe. Në të dytën janë ata që mendojnë kur shkruajnë. Ata mendojnë të shkruajnë sipas një rregulli të caktuar duke shfaqur individualitetin dhe stilin e tyre. Në grupin e tretë bëjnë pjesë ata autorë që më parë mendojnë se çfarë do të shkruajnë para se të ulen para kompjuterit ose letrës së bardhë. Këta autorë mendojnë se duhet shkruar, dhe këta janë më të rrallët.

Autorët e grupit të dytë e zgjasin mendimin derisa fillojnë e shkruajnë, ata janë si ai sportisti amator që shfaqet rastësisht që megjithëse fiton një garë nuk merakoset shumë se merr apo nuk merr një medalje. Ndërsa autorët e grupit të tretë janë të rrallë sepse ata e ndjekin lojën deri në fund gjë e cila i bën për vete, të cilët bashkëpunojnë si në një rreth të mbyllur që më pas vjen e zgjerohet duke i bërë më të lirë për aq kohë sa ai fillon e mbyllet përsëri ku asnjëri nga ata nuk ka mundësi të ikë, dhe sportisti në këtë rast nuk ka asgjë tjetër përveçse duke mbledhur të gjithë energjitë sëbashku me pasionin t`i shkojë lojës deri në fund. Pra, ai vendos që t`i hedhë mendimet në letër. Ky është njëlloj sporti që edhe mund të të japë diçka.

Por ky grup autorësh që në fillim mendojnë e pastaj ulen të shkruajnë është shumë i vogël, dhe shumë pak prej tyre mendojnë për temën, kurse pjesa tjetër mendon vetëm për librat e menduar për këtë temë dhe ato që kanë thënë të tjerët. Që ata të mendojnë, duhet të kenë një nxitje të fuqishme të drejtëpërdrejtë të njerzëve të tjerë që kanë prestigjin dhe autoritetin në artin e të shkruarit. Mirëpo, këta njerëz bëhen tema e dytë e radhës, dhe për këtë arsye ata duke i përsëritur shpesh mbesin gjithmonë nën ndikimin e tyre, dhe asnjëherë nuk janë në gjendje të shprehin mendimin e tyre original siç e mendojnë. Kurse të parët mendojnë vetëm për temën, prandaj edhe mendimi i tyre drejtohet ndaj saj. Vetëm midis këtyre ne do të gjejmë autorë të cilët janë të pavdekshëm. Që të flasim drejt, fjala këtu është për ata shkrimtarë që në asnjë mënyrë nuk mund t`i heqë letërsia.

Shkrimtari i vërtetë, materialin që shkruan e ka produkt të mendjes së tij dhe prandaj ia vlen që të lexohet. Kurse shkrimtarët e historisë e marrin materialin e tyre drejtpërdrejt nga librat. Ata, shkruajnë pa u menduar shumë me kokën e tyre si shkrimtarët e letërsisë, dhe për këtë arsye nuk thonë asgjë të hollësishme. Por natyrisht që këtu vetvetiu na del një pyetje se: Sa i ditur mund të jetë ai njeri nëse do t`i dinte të gjitha ato që ka shkruar në librat e tij? Prandaj bisedat e tyre janë të paqarta sa dikush tjetër e mundon veten krejt kot për të gjetur se çfarë ka menduar ai në të vërtetë. Prandaj nuk duhet lodhur shumë me këto njohuri që kanë shekuj që janë krijuar. Ato, duhet të merren ashtu siç janë dhe të vazhdohet para duke sjellë ide të reja.

Nga fletorja e shënimeve.

Vijon



0 comments:

Post a Comment