Tuesday, July 28, 2020

Tonin NIKOLLI: Të flasësh për të drejtat e qenëve




MBASDITE

Unë nuk i ha mbasditet në qafë,
edhe pse,
korriku i marrë,
herë pas here,
ia plas shi....
Nuk kam dëgjuar kurrë,
në jetën e gjatë,
për ujq - zagarë,
të rrezikshëm vere,
që bëjnë kërdi...
Për njerëz, po!
Stinë pa stinë,
të presin në qafë.
Shi pa shi,
të hanë në shpinë...


KRENARI...!!!!

Qëllova faqen e shkëmbit me shpullë,
në pikën, ku rrahin rrezet e diellit.
U drodh Kreshta e Lartë, ballin rrudhi,
flokët e lisnajtë u kreshpëruan qiellit.
U trand bota.U shkundën, ranë gjethet.
Vluan ujrat. Shkumbëzuan damarëve të dheut.
Dymbëdhjetë ballë, dallgë ngriten detet,
dymbëdhjetë zhgaba, gërryen zemrën Prometheut.
Qëllova faqen e shkëmbit me shuplakë.
Aty, ku Kreshtës time i dhemb...E vdes...
U tkurr dielli. U fsheh. U mpak,
U tymosen lisat. Përcëlluan gjethtë...
O zot! M'u preftë dora në rrëzë...!
Mos m'u thaftë loti! Burim të rigëtijë...
Shkëmbi, Kreshta, Lisat...lëshojnë gjëmë.
Mjerë kush i godet, u lëndon KRENARINË!


ZOGJTЁ

Zogjtë,
pikturë e brishtë e qiellit tim.
Pa to,
askush prej nesh,
nuk do ta njihte fluturimin....


QENTЁ

Është e shpifur,
duke ngrënë mish qëngji,
para botës së uritur,
të flasësh për të drejtat e qenve...


***
Në kohna,
piva ujë gjithandej...
Por...
si n'burime t'zana,
askërkund,
nuk e shuva etjen...
Lago di Garda,


MERITA SMAJA
( miqësisht, duke parë foton)
Mbi gur,
art i bukur,
n'arkitekturë vere,
i jep madhështi
detit...
Merita Smaja,
ngjyrëndezur,
buzëqeshje jete!


THIRRJA E MBRËMJES
Të gjithë para krevatit!
Nuk ka rëndësi,
në cilën shtëpi,
në cilën dhomë...
Në emër të shenjtit,
të birit
e të atit...
...si ka qenë,
është,
do jetë përgjithëmonë...
Amen!


***
...asgjë nga fronti i përtejshëm!
E shtunë është.
Mund të shkosh pa maskë.
Biles,
edhe dejshëm...
Eheeee...
Edhe dashuri mund të bësh.
Biles, në kishë,
të rrëfehesh
rrejshëm...




URЁ SHQIPTARE
Midis paragjykimit tim dhe paragjykimit tënd,
brigjeve të kundërta, ngritëm një urë...
Të rrallë. Të paparë në asnjë vend,
destinuar, përjetësisht,, të mos kalohet kurrë...


SHIU I FUNDIT..

Në shi të fundit,
u qullën puplat e pëllumbave të bardhë...
Qiellit,
blu të harruar,
kapriciot e reve,
me mallin u tallen...
Shqyeva pagjumësinë
e madhe..
.
Prej qiellit,
pëllumbat,
njëri pas tjetrit
ranë,
në prehërin e ujtë
të këtij korriku të çmendur,
krejt të marrë…


GJAKU BLU

Ёshtë i rracës,
trashëgohet
gjaku blu...
Gjaku tjerër,
mund te blihet,
atje – këtu…

0 comments:

Post a Comment