Thursday, July 30, 2020

Mujë Buçpapaj: SHKRIMTARËT “REAKSISONARË “ KOLIQI DHE CAMAJ



Drejtor i Institutit të Studimeve dhe Projekteve Nacionale

Thelbi provokues i disa botimeve të diskutueshme ndaj dy përsonazheve të shquara të letërsisë shqipe të shekullit të njëzetë E. Koqili dhe M.Camaj, është e qartë se ka synuar t’i etiketojë ata si “bashkëpunëtorë me sherbimin e fshehtë shqiptar”, i njohur si sigurimi, në përpjekje për të zhvlerësuar antikomunizmin e tyre, vuajtjet e tyre dhe të familjeve të tyre në Shqipëri. Si rrjedhim krahu antikomunist nuk duhet të ketë asnjë simbol frymëzues as në politikë, as në shoqëri dhe biles as në letërsi.
Nga ana tjetër, bashkëpunimi i tyre me sherbimet perëndimore për të rrëzuar regjimin e Tiranës, është një tjetër përpjekje dritëshkurtër, për t’i përkufizuar ata si “të shitur”, “tradhtarë”, apo si “reaksionarë”, po të perdorim termat e ideologëve komunistë, ndaj cdo eksponenti shqiptar që kishte kundërshshtuar në cfardo forme instalimin e regjimit sllavobolshevik në Shqipëri. Pasi nuk ka ndonjë dyshim, aleatët perëndimorë të udhëhequr nga SHBA-të, bënë përpjekje për të rrëzuar regjimin Stalinist të Tiranës, gjë e cila u realizua vetëm në mars 1992, falë edhe përpjekjeve të njerëzve si Koliqi, Camaj, Rexhep Krasniqi në SHBA, e mijëra të tjerëve në Diapsorë.
Por antikomunsitët etiketohen akoma si bashkëpunëtorë dhe të shitur të përendimit, ndërsa komunistët shqiptarë, që për pak ja shitën gjithë Shqipërinë komunistëve sllavoserbë, që bashkuan doganat, ushtrinë, policinë dhe stemat e republikës, quhen patriotë!
Antikomunistët e dikurshëm përfshirë edhe shkrimtarë si Koliqi dhe Camaj, fyhen akoma si tradhtarë pse bashkëpunuan me perëndimin, ndërsa neokomunistët e sotshëm nuk lënë rast pa manifestuar bashkëpunimin dhe mbeshtetjen që ata kanë nga armqitë e dikurshëm perëndimorë për të qëndruar në fuqi.
Është dicka paradoksale, e njëanshme dhe e vështirë për t’u besuar nga njerëz të një shoqërie të lirë! Natyrisht që këto janë gjëra shumë të diskutushme me të cilat duhet të marren me guxim historianët.
Së treti, është e qartë se duke i përbaltur si shërbetorë të sigurimit, si mercenarë të shërbimeve perëndimore, duke i poshtruar në mos rrënuar integritetin e tyre njerëzor, itelektual, krijues etj, ata synojnë të kompromentojnë edhe letërsinë e tyre, më së pakti ta zhvlersojnë atë.
Debatet e fundit rreth dy figurave, ndër më të rëndësishmet e letërsisë shqipe të shekullit të njëzetë, sic janë Koliqi dhe Camaj e kanë rikthyer edhe njëherë nevojën e hartimit të një historie të letërsisë të këtij shekulli, e cila do të lehtësonte edhe kapërcimin e pengesave për shkrimin e një historie të përgjithshme të letërisë shqipe, qysh prej fillimeve deri më sot.
Fakti që ndonjë studiues, apo edhe amator dashakeq, po përpiqet të ringjallë sërishmi kriteret ideologjike për shqyrtimin e letërsië shqipe dhe të shkrimtarëve krysorë që e përbëjnë atë, duke përshtatur konceptin ideologjik, jashtletrarë të realizimit socialist, të shkrimtarëve revolucionarë dhe shkrimtarëve reaksionarë, ka bërë më të ngutshme hartimin e një historie të letërsisë shqipe në nivelin akademik, e cila do të mund të orientojë saktë studiuesit, kritikët, studentët, nxënësit dhe mësimdhënësit e lëtërsisë dhe të të gjithë të interesuarve të tjerë të kësaj letërsie.
Po të ishte ky tekst akademik, do nuk do të kishte përpjekje për të nxjerrë nga letërsia “shkrimtarët reaksionarë” si Mithat Frashëri, Faik Konica, Gjergj Fsihta, Ernest Kolqi, Martin Camaj, Zef Schiroi etj.
Ka ardhur koha që më në fund, letërsia të gjykohet bazuar në kritere estetetike, letrare shkencore dhe jo idelogjike, politike etj.Në fakt kritika akdemike e ka ndjekur këtë kriter estetik në shumë libra studimorë.
Nëse njëra palë është duke gjurmuar nëpër arkiva për t’i njollosur, poshtuar apo shkatrruar imazhin e shkrimtarëve antikomunistë, është dicka e kotë e pabesë dhe pa asnjë ndikim tek vepra e tyre dhe vëndi që ajo mund të zërë dhe ka zanë në letërisnë shqipe.
Shkrimtarët e shquar në botë, por edhe në Shqipëri dhe troje, kanë patur të gjithë jetën e tyre private, angazhimet politike, sociale etj, dhe po kështu edhe veset, gabimet, shkarjet dhe trubullirat e tyre, por kjo ka vlerë vetëm për studiuesit e letërsisë dhe nuk bëhet kurrë objekt i një gjykimi të natyrës së demaksimit popullor.
Këtyre shkrimtarëve u është dashur të mbijetojnë të përndjekur nga adheu i tyre. Këta intelektualë të shquar megjithëse atdheu ua kishte mbyllur dyert dhe akoma më keq i kishte dënuar me vdekje në mungesë, ata prapë vijuan ta donin atë, biles të rigjenin tek ai vlera të mëdha që ua prezantonin me aq dashuri mjediseve letrare dhe shkencore perëndimore, si dhe të shkruanin në gjuhën shqipe.
Zgjidhja nuk është që thjeshtë të zbulojmë nëse Camaj apo Koliqi kanë bashkëpunuar me ish-sigurimin. Së pari ne si shoqëri duhet të dënojmë mekanizmat që detyronin mijëra intelektualë, përfshirë edhe shkrimtarë dhe artistë që të bashkëpunonin me forcë, me dhunë, me shterngesa dhe kërcënime për ta dhe famijet e tyre. Të zbulojmë autorët e torturave, vrasjeve dhe pushkatimeve të 140 shkrimtarëve dhe artsitëve shqiptarë.
Këtë nuk e kemi bërë akoma, nuk i kemi dënuar fajtoret e këij mekanizmi, biles as përmendur me emra asnjëherë gjatë këtyre 30 vjetëve.
Për pasojë ata vijojnë me të njëjten logjikë të shpallin fajtorë viktimat e tyre, bies edhe t’i përqeshin dhe demaksojnë.
Nga ana tjetër metoda ideologjike e realizmit socialist që i ndante shkrimtarët shqiptarë në shkrimtarë përparimtarë, revolucionarë dhe në shkrimtarë reaksionarë, nuk mund të mbijetojë më, qoftë edhe si koncept sporadic në media, pasi i bën shumë dëm letërsisë tonë.
Përjashtimi që u bëri kjo metodë autorëve, veprave dhe lëvizjeve letrare të rëndësishme të fillimshekullit të njëzetë është gjymtues për letërsinë tonë. Përjashtimi me kritere jashtëletrare që i bëri letërsisë shqipe që shkruhej në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Diapsorë pas Luftës së Dytë Botërore, duke e konsideruar atë si jo socialiste është shumë i rëndë. Shembull tipik i kësaj fryme të ngushtë ideologjike, përjashtuese është vetë “Historia e Letërsisë shqipe e realizmit socialist” (Tiranë 1978), një tekst refuzues ndaj letërsisë shqipe që shkruhej në Kosovë dhe vise, me pretekstin se nuk mund të konsiderohej si një letërsi e realizmit socialist.
Imponimi i një metodologjie të bazuar në kritere përjashtuese sipas frymës marksiste e cila e ndante letërsinë në shkrimtarë përparimtarë dhe reaksionarë.
Edhe ky debat rreth Koliqit dhe Camajt vetëm sa e shtroi nëvojën urgjente të hartimit të një histori letërsie shqipe të shekullit të njëzetë.

LETËRSIA, NË KONTEKSTIN KULTUROR SI DHE LIDHJET E SAJ ME TË ARDHMEN

Shekulli i njëzetë është tashmë një histori e së shkuarës dhe bashkë me letërsinë e tij, me produktin e tij letrar, duhet trajtuar me disa përfundime, që historiografia shqiptare i ka shmangur apo bërë të pamundur deri tani, për arsye të ndryshme.
Ndërkohë që letërsitë evropiane kanë një histori letërsie të këtij shekulli, kjo mungesë e stilit shqiptar, mendoj se ka sjellë pasoja në jetën letrare kombëtare, por edhe pedagogjike e shkencore. Kjo amulli e historiografisë mendoj se ka stopuar ndërtimin e një baze të mirëfilltë të hartimit të një historie, por edhe rrezikuar letërsinë, në kontekstin kulturor si dhe në lidhjet me të ardhmen, të vetë letërsisë bashkëkohore.
Qëllimi i kësaj teme është të japë një kontribut modest në kapërcimin e barrierave, koncepteve dhe metodologjive, që kanë penguar historianët dhe dijetarët e shquar të letërsisë të ndërtojnë, një platformë përbashkuese dhe gjithëpërfshirëse të letërsisë së shekullit të njezetë, mbi kritere letrare e shkencore, duke rivlerësuar në mënyrë kritike trashëgiminë e fushës si dhe të japë disa mendime për ndërtimin e kësaj platforme, duke besuar se meqenëse barrierrat ideologjike kanë rënë, rruga për hartimin e një historie letërsie të shekullit të njëzetë është e hapur.
Kam përdorur metodën historiko-letrare, metodën krahasuese, metodën e analizës së teksteve të historisë së letërsisë dhe monografive të ndryshme të këtij shekulli, si dhe metodën përshkruese.
Shpresoj që ky trajtim sjell një vështrim të ri në përpjekjet për hartimin e një historie të letërsisë shqipe në tërësi dhe asaj të shekullit të njëzetë në veçanti, jep një kontribut sado modest në këtë fushë për të tejkaluar amullinë dhe konfuzionin, që ka shoqëruar historiografinë e dekadave të fundit.
Për të arritur në një përfundim sa më përgjithësues u jam referuar thuajse të gjithë historianëve dhe studiuesëve seriozë të historisë së letërsisë, punëve të tyre të botuara në grup apo individuale, të mbetura në dorëshkrim, apo të publikuara, konkretisht studiuesëve të shquar shqiptarë dhe të huaj që janë marrë me historinë e letërsisë shqiptare të shekullit të njëzetë si:
-Át Justin Rrota “Letratyra shqype” e vitit 1925.
-Gaetano Petrota “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptar (Populo, lingua, e litteratura Albanese), Palermo, 1930.
-Eqrem Çabej “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”, Tiranë, 1936.
-Eqrem Çabej “Romantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare,”1994.
-Ernest Koliqi, Namik Resuli, Karl Gurakuqi: “Shkrimtarët shqiptarë” I, II, 1941-1942)
“Historia e letërsisë shqipe”, tekst universitar Tiranë 1959, 1960.
Historia e letërsisë shqiptare (që nga fillimet deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare), Tiranë, 1983.
-Rexhep Qosja, në studimi “Periodizimi i letërsisë shqipe”, Prishtinë 1979.
Rexhep Qosja : “Historia e letërsisë shqipe, Romantizmi I, II, III”, Prishtinë, 1984.
-Ibrahim Rugova: “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare (1504-1983), Prishtinë 1986.
-Ibrahim Rugova: “Vepra e Bogdanit 1675 1685”, Prishtinë 1982.
-Arshi Pipa: Contemporary Albanian Literature (1991),1991.
-Arshi Pipa: Albanian Literature: Social Perspectives (Trilogia Albanica III), 1978.Studimi i Sabri Hamiti “Histori e letërsi”, Prishtinë 2009. Arshi Pipa; “Për Migjenin”, tri esse, Tiranë, 2006. Sabri Hamiti “letërsia moderne shqiptare”, (gjysma e parë e shek. XX), Tiranë 2000.
-Robert Elsi: “Histori e letërsisë shqiptare”, 1995
-Ali Xhiku: “Letërsia shqipe si polifoni”, Tiranë, 2004.
-Shaban Sinani. “Historia e letërsisë shqipe, çështje të hapura”, Tiranë 2015.
-Agron Tufa: “Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX”. Botimet “M&B”, Tiranë, 2018,
-Floresha Dado libri studimor “Letërsi e painterpretuar”, Tiranë, 2009,
-Floresha Dado, libri “Sfida të historiografisë letrare”, një shqyrtim kritik i historiografisë shqiptare.
-Besa Beqiri: “Një histori letërsie e ndaluar”, studim historik, letrar dhe krahasues,Tiranë, 2016.
-Laura Smaqi: “Zbulimi i vetvetes n’pasqyrë t’letravet”, Tiranë, 2009.
-Ardian Marashi: “Pse, si dhe kush duhet ta rishkruajë historinë e letërsisë shqipe” teza pune. “Referat”, Prishtinë, 2009.
-Sabri Hamiti: “Histori e letërsi” (Referat hyrës), Prishtinë 2009.
- Floresha Dado: “Problematika e kritereve të historisë së letërsisë”, kumtesë, Prishtinë 2009.
- Klara Kodra: “Domosdoshmëria e një historie të re të letërsisë”, kumtesë, Prishtinë 2009.
-Basri Çapriqi: “Historia e letërsisë shqipe – historia autorësh letrarë apo histori personalitetesh bartës të kauzës së ndryshimeve shoqërore”, kumtesë, Prishtinë 2009.
-Alfred Uçi: “Estetika si teori e metodologji e historisë së kulturës artistike.”, Prishtinë 2009.
-Milazim Krasniqi: “Tekstet joletrare si burim i deformimit të historisë së letërsisë shqipe”, Prishtinë 2009.
-Sali Bashota:“Historia e letërsisë shqipe – kërkimi i modeleve”, Prishtinë 2009.
-Kujtim M. SHALA: “Historia letrare shqipe” (çështje e tekste), kumtesë, Prishtinë 2009.
Njëkohësisht kam konsultuar :
-Roland Barthes, Oeuvres complètes II, 2002. Art. Histoire au Littérature.
-Osvald Dykro, Cvetan Todorov, Fjalor enciklopedik i shkencave të ligjërimit. (përktheu Rexhep Ismajli), Prishtinë 1984.
-Gérard Genette, Figures III, 1972, Art. Poétique et histoire (13-20).
-René Wellek and Austin Warren, Theory of literature, 1956.
-Gustav Lanson (Gustave Lansson) ligjerata “Metoda e historisë së letërsisë” (La metode de l’histoire litteraire”, Paris 1910 dhe trajtesa tjetër e po Gustav Lanson (Gustave Lansson): “L’esprit scientifique e la metode de l’Histoire litterare (Fryma shkencore dhe metoda e historisë letare), Paris 1909.

HISTRIOGRAFIA E SHEKULLIT TË NJËZETË.

Rreth 30 vjet pas rënies së sistemit të censurës dhe kornizave kufizuese të bazuara në kritere të sofistikuara ideologjike, studiuesit dhe historianët e letërsisë shqiptare akoma nuk ia kanë dalë të hartojnë një tekst akademik të historisë së letërsisë shqiptare. Përpjekjet akademike kanë ngecur në vitin e largët 1983 kur edhe u botua “Historia e letërsisë shqiptare” (që nga fillimet deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare).
Historiografia letrare është një disiplinë e re në studimet albanologjike. Ajo lindi, në mjediset arbëreshe ndërsa vetë letërsia shqiptare kishte rreth katër shekuj ekzistencë, duke mbetur gjithnjë si deri më sot e vonuar, e fragmentizuar, e vetëkufizuar pra dhe e pamundur për të na dhënë në vijimësi rrjedhat e letërsisë shqipe.
Sipas akademik Shaban Sinanit i cili ka paraqitur para katër vjetësh një plaformë të gjërë dhe komplekse për hartimin e historisë së letërsisë shqipe “Dëshmitë më të hershme të mendimit kritik letrar shfaqen në mesin e shek. XIX, në mjediset kulturore arbëreshe. Sprova e parë për një vështrim historiografik tërësor të procesit letrar, duke kapërcyer fragmentarizmin dhe vështrimin më vete të autorëve dhe veprave shënohet me librin “Manaul i letërsisë shqiptare”(Manuale di leterattura Albanese) të A. Stratigo-it (Milano 1896).
Ndërsa akademike Klara Kodra i gjen edhe më të hershme përpjekjet e para të historishkrimit, pikërisht në vitin 1847. Sipas Kodrës “Elementët e parë të një Historishkrimi shqiptar i gjejmë që në vëllimin e Vinçenc Dorsës të vitit 1847 “Mbi shqiptarët – gjurmime dhe mendime”.
Prof. Ibrahim Rugova ka një vështrim më të gjërë për historishkrimin, mendimin kombëtar dhe kritikën letrare të shfaqur në formën e parathënies në librat e autorëve vjetër shqiptarë.
Sipas tij “Elementët e para të mendimit shqiptar dhe të kritikës shqiptare shfaqen brenda letërsisë së vjetër, e cila siç dihet, fillon me veprat e para të humanistëve dhe shkrimtarëve të parë në shqip. Humanistët shqiptarë, kryesisht vepruan dhe jetuan në Itali nga fundi i shekullit XV dhe gjatë shekullit të XVI …” Duke e shtjelluar idenë e tij Rugova vlerëson se “Me veprat e para në shqip, konkretisht me veprën e Buzukut, Meshari, fillon një formë e krijimit dhe formimit të mendimit të përgjithshëm shqiptar, forma e parathënies”.
Përpara se të kaloj tek në një nënçështje ku jepen disa mendime modeste për plaformën që mund të kapërcejë mospajtimet e ndryshme për hartimin e një historie të letërisë së shekullit të njëzetë, kam parë shkurtimisht tekstet më serioze të shkruara gjatë këtij shekulli për letërsinë shqipe nga autorë shqiptarë dhe të huaj si dhe kritikën apo oponencën ndaj tyre.
Fillimi i shekullit të njëzetë do të shënonte një kthesë edhe për studimet letrare dhe kritikën tonë letrare që do të konsiderohej nga studiuesit e ardhshëm të letërsisë edhe si një fazë që shënoi themelimin e kritikës tonë letrare të mirëfilltë. Formimi i shtetit nacional, bërja e shqipes gjuhë zyrtare, arsimi kombëtar, etj, do të impononin shumë ndryshime cilësore në historiografinë letrare të fillimshekullit. Në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë nga shënimet e thjeshta kritike, shkenca letrare do të pasurohet deri me tekstet bazë mësimore të historisë së letërsisë shqipe, kryesisht për shkollat e mesme të vendit.
-E përkohshmja e famshme e Faik Konicës “Albania” luajti një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Ajo qysh më 1906 do të çelte një rubrikë kushtuar kritikës letrare dhe shënimeve kritike për botimet dhe shkrimtarët shqiptarë të kohës me qëllim njoftimin e këtyre prurjeve, siç thotë Konica për të gjithë ata që lexojnë dhe mendojnë shqip. Në shënimin e Konicës: “Kohëtore e letrave shqipe: letra të bukura, kritikë letrare”, shkruhet: “Qëllimi im, duke nisur sot këtë kohëtore, është të vë përpara syve s’botës shqiptare qi këndon e qi mendon, një kritikë të lidhur të veprave letrare që dalin në gjuhën tonë.”
Për njohjen e letërsisë shqipe luajtën rol të konsiderueshëm edhe revistat kulturore periodike si e përmuajshmja franceskane “Hylli i Dritës” e themeluar dhe e drejtuar nga Gjergj Fishta (mbyllet korrik 1944), e përmuajshmja jezuite “Leka” për arsim dhe kulturë (Shkodër 1929-1944), e përmuajshmja e ilustruar letrare “Minerva”(Tiranë 1932-1936) me këshill botues Tajar Zavalani, Odise Paskali, Nebil Cika etj, e përjavshmja kulturore “Illyrija”, (Tiranë 1934-1936), po kështu “Përpjekja shqiptare” (Tiranë 1936-1939), e dedikuar letërsisë u botua nga Branko Merxhani dhe ku kontribuoi edhe Petro Marko. Revista “Shkëndija” (Tiranë 1940-1943), e konsideruar si më e rëndësishmja letrare e kohës së luftës, e themeluar dhe e drejtuar nga shkrimtari Ernest Koliqi, në atë kohë ministër i arsimit. “Zani i Shna Ndout” revistë me orientim fetar (u mbyll me 1944), po që i linte plot hapësirë letërsisë, si dhe disa revista të tjera si: “Diana”, “Bota e re”, “Kopshti letrar”, disa organe të tjera letrare jetëshkurtëra, që u botuan gjatë luftës, që të gjitha së bashku, sipas akademik Shaban Sinanit e bënë letërsinë një “communis opinion” të mjedisit kulturor.
“Literatyra shqype për shkolla të mesme” e At Justin Rrotës e vitit 1925, shënon një përpjekje serioze për të ndërtuar një tekst didaktik të historisë së letërsisë shqipe për nevojat e arsimit kombëtar. Vetë autori i tekstit ishte një mësimdhënës dhe ndeshej me nevojën e sistemimit të dijeve dhe arritjeve letrare kombëtare dhe mungesën e përditshme të një teksti bazë për nxënësit e tij. Autori në pjesën e parë trajton çështje të teorisë së përgjithshme të letërsisë, koncepte estetike etj, ndërsa në pjesën e dytë ose nga faqja 101-227 që e ka emërtuar “ Historia e literatyrës shqipe”, i kushtohet shkrimtarëve shqiptarë dhe veprave të tyre.
“Historia e letërsisë shqipe” nis me pjesën për shkrimtarët apo siç e titullon vetë autori: “Mbi shkrimtarët ma më shëj të gjuhës shqype”. Ky kapitull hapet me Gjon Buzukun dhe Mesharin e tij dhe përfundon me Faik Konicën, Fan Nolin, e të tjerë shkrimtarë të tashëm, për të vazhduar me poezinë popullore” (ku përfshihen përralla dhe fjalë të urta), një mënyrë kjo jo e zakonshme për tekste të tilla ku zakonisht paraprihen nga trashëgimia e krijimtarisë popullore.
-Libri i Gaetano Petrota “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptar (Populo, lingua, e litteratura Albanese), Palermo, 1930 u botua në italisht, duke u ribotuar nga autori edhe më 1932. Libri prej 624 faqesh, është përkthyer në shqip shumë vonë dhe vetëm në vitin 2008 në Tiranë.Teksti, ashtu siç e thotë edhe titulli i tij, nuk ka pretendimet e një historie të vërtetë letërsie. Studiuesi Shaban Sinani e vlerëson si “Ndër veprat më të plota dhe më të rëndësishme të kësaj periudhe.”
Libri i prof. Eqrem Çabej “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe –me pjesë të zgjedhura për shkollat e mesme”, u publikua në Tiranë më 1936. Siç shpjegon vetë Çabej në parathënien e tekstit, synimi i tij nuk kishte qënë hartimi i një teksti shkencor të historisë së letërsisë por “një libër të gjuhësisë dhe letërsisë për nxënësit e shkollës së mesme dhe për mësuesit”.
-Eqrem Çabej rrugën e zhvillimit të literaturës shqipe e trajton në një studim të shkruar më 1945, “Romantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare”, por që do të botohej më 1994.
-Vepra “Shkrimtarët shqiptarë” e vitit 1941-1942 (Është mbledhur dhe përgatitur, nga Namik Resuli, dhe Karl Gurakuqi, nën kujdesin e Ernest Koliqit, (Shkrimtarët shqiptarë I, II, 1941-1942). Botimi është pjesë e politikave botuese të Institutit të Studimeve Shqiptare dhe ka patur 15 bashkëpunëtorë përfshirë At Justin Rrota, Rosolina Geatano Petrotta etj.
-Libri i albanologut Stuart E. Man “Letërsia Shqipe-një vështrim i prozës, poezisë dhe dramës (Albanian literature-An outline of Prose, Poetry, and Drama), shënon një tjetër kontribut në historiografinë shqiptare në shekullin e njëzetë. Libri me123 faqe është botuar në Londër me 1955, ka 16 kapituj dhe mbyllet me treguesit dhe bibliografinë. “Në këtë libër kemi një ndarje plotësisht tjetër nga ato që kemi hasur deri më atëherë, apo që do t’i gjejmë në historitë e mëvonshme të letërsisë. Metoda që Mann ka përdorur në grupimin e shkrimtarëve është ajo e vendit, gjinisë letrare, traditës fetare, rrymës letrare, apo shkollave letrare. Duket qartë se kemi një ndarje të bazuar në disa kritere.”
-Zef Skiroi i Ri (Giuseppe Schiroi Junior), boton në Milano më 1955 “Historia e letërsisë shqiptare” (Storia della litteratura Albanese). Studiuesi arbëresh e ka ndarë tekstin e tij në gjashtë kapituj. Kapitulli i parë: Letërsi popullore (la litteratura popolare). Kapitulli i dytë: Tekste të shenjta dhe literaturë e imituar (Testi sacri e litteratura d’imitazione). Kapitulli i tretë: Letërsia shqiptare në Itali nga shekuli XVI deri në shekullin XIX (La litteratura Albanese in Italia dal Seicento all’Ottocento). Kapitulli i katërt: “Nga shekulli XVIII deri në Lidhjen e Prizrenit (Dall’Ottocento sino all Lega di Prisrend). Kapitulli i pestë: Nga fundi i shekullit XIX dhe fillimet e Pavarësisë (L’ultimo Ottocento e il periodo dell’Indipendenza). Kapitulli i gjashtë: Letërsia e kohës së re (La litteratura della nuova era). Ky autor përfshin zhvillime letrare edhe të pas Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1955 botohet “Historia e letërsisë shqipe” për shkollat e mesme nga Dhimitër Shuteriqi dhe me 1958 “Letërsia e sotme shqipe” e Koço Bihikut. Censura dhe kriteret ideologjike janë përcaktuese në hartimin e këtyre teksteve, duke nisur kështu një plaformë orientuese që nuk do të ndryshonte në të gjitha tekstet e karakterit didaktik dhe akademik dhe deri më 1990.
-Historia e letërsisë shqipe”, tekst universitar, (Universiteti i Tiranës), Tiranë 1959, 1960, përmbledh zhvillimin e letërsisë shqipe që nga fillimet deri më 1912, pasi nuk u botua vëllimi i tretë, vepër që përmblidhte letërsinë ndërmjet viteve 1912-1939 edhe pse në parathënien e saj njoftohej se do të kishte tri pjesë. Ky tekst ku ishin përfshirë në mënyrë kritike kapituj për Fishtën, Konicën, Z. Schiro-in, V. Prenushin, mbeti në dorëshkrim edhe pse ishte dorëzuar për botim më 1968, pasi u refuzua nga autoritetet politike të kohës.
Sipas akademik Shaban Sinanit “Sprovat e druajtura për të mundësuar qoftë edhe një pranim kritik të trashëgimit letrar të Gjergj Fishtës, F.Konicës, E.Koliqit, Z.Schiro-it në tekstet shkollore dhe akademike që u përsëritën disa herë (1960, 1968, 1976, 1989), gjetën kundërshtimin zyrtar.
- Vepra e Ibrahim Rugovës: “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare (1504-1983), botuar në Prishtinë më 1986, është e para që merret me sistematizimin historik të kritikës letrare.
-Namik Resuli boton punimin “Albanian litterature” (Letërsia shqiptare), Boston 1986. Resuli përfshin në studimin e tij letërsinë shqipe prej fillimeve deri në vitin 1943.
“Contemporary Albanian Literature (1991), e Arshi Pipës, nuk është mirëfilli një histori letërsie, sido që për studiuesit e tjerë, Pipa i kishte aftësitë dhe dijenitë e nevojshme që të shkruante Historinë e Letërsisë Shqipe.
-Sabri Hamiti në studimin “Nocione të letërsisë shqipe” (1989) përkufizon nocionet letërsi
biblike, bejtexhinjtë, letërsia e Rilindjes, letërsia moderne. ( Sabri Hamiti, Vetëdija letrare, 1989).
Teskti i fundit i botuar në Tiranë “Histori e Letërsisë Shqipe- që nga fillimet deri te Lufta Nacionalçlirimtare”, Tiranë 1983, i paraqitur fillimisht si maket më 1976 ( Botim i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë), pavarësisht një përpjekje për të rishikuar frymën përjashtuese, të mëparshme, nuk u shpëtoi kufizimeve të hekurta idelogjike. Teksti la jashtë disa prej figurave të shquara të letërsisë shqipe që konsideroheshin reaksionare, edhe pse në maket kishte një përfshirje të druajtur të tyre.
Akademik Alfred Uçi e konfirmon vite më vonë arrogancën ideogjike që u imponoi historianëve të letërsisë në Tiranë, disa kritere përjashtuese, jo vetëm ndaj trashëgimisë letrare, emrave të shquar të kësaj letërsie, por edhe ndaj letërsisë shqiptare që shkruhej në Kosovë dhe vise në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Redaksia që hartoi “Historinë e realizmit socialist”, qe e detyruar t’i nënshtrohej këtij orientimi ideologjik. Biles ky presion vijonte i njëjtë edhe kur regjimi i censurës ishte në prag të rënies.
Prof. Uçi thotë se “Qysh në vitin 1989 në Seksionin e shkencave shoqërore të ASH, ne kemi kritikuar jo vetëm hartimin e historive zyrtare institucionale të letërsisë, por kemi kërkuar që historia e letërsisë pas vitit l944 të mos quhej “Histori e letërsisë së realizmit socialist”, por të quhej “Histori e letërsisë artistike kombëtare”, madje theksuam se në këtë etapë gati gjysmëshekullore, krahas veprave të quajtura të “realizmit socialist”, kishte edhe krijime të talentuara në llojin e vet që nuk përmbanin asgjë, që t’u shëmbëllenin tipareve ideologjike të “socrealizmit”. Ne kishim parasysh, gjithashtu, të kapërcehej ndarja, copëzimi i letërsisë kombëtare dhe të hartohej një histori e vetme, e përbashkët kombëtare. Kundërshtuam kriterin e “epërsisë” të veprave të pjesës shtetërore të pavarur të Shqipërisë, për të shmangur, shkeljen e parimit të historizmit e të kronologjisë, shkelje që e pat vendosur De Radën pas Pashko Vasës, Naim Frashërit e rilindasve të tjerë; po kështu e quanim një dukuri joshkencore përjashtimin nga historia e letërsisë kombëtare të degëve të saj, që kultivoheshin brenda teritorit të ish Jugosllavisë (Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi) e degë të tjera të diasporës të shqipes. … Por sugjerimet tona nuk u pranuan dhe teksti, që përgatiti Instituti i ASH, u botua me titullin “Historia e letërsisë së realizmit socialist (1944-1988”).
-Histori e Letërsisë Shqiptare” e Robert Elsies botuar më 1997 në Pejë dhe Tiranë, është teksti i parë gjithëpërfshirës i ndërtuar mbi kritere letrare, “ideologjikisht asnjanëse” e shkruar kryesisht për lexuesin e huaj, që siç thotë autori “Trajton zhvillimin historik të letërsisë në gjuhën shqipe nga fillimet deri në vitin 1990”. Elsie në parathënien e tekstit thotë se libri “u shkrua gjatë një periudhe prej pesë vjetësh, nga 1988 deri më 1993 dhe u botua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1995”.
Teskti ka 13 kapituj dhe përfshin të gjitha periudhat e letërsisë së shkruar shqipe. Autori thotë në parathënie se e ka lënë jashtë letërsinë gojore për të cilën mendon se “duhet shkruar një vëllim më vete.” Kapitujt e librit janë: Shqiptarët dhe gjuha e tyre. 2. Historia e hershme e shqiptarëve. 3.Lindja e letërsisë së shkruar në Shqipëri me dy nëndarje: “Traditat humaniste të Rilindjes evropiane” dhe “Fillimet e shkrimit shqip.” 4.Fillimet e letërsisë në Shqipëri. Shekujt XVI e XVII. 5.Shkëlqimi i Orientit. Letërsia myslimane e shekulllit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX. 6. Trashëgimia e Bizantit. Shkrimet në traditën ortodokse në shekullin XVIII dhe në fillim të shekullit XIX. 7.Nën qiellin e kthjellët italian. Letërsia arbëreshe në shekujt XVII e XIX.8.Letërsi myslimane dhe bektashiane 1850-1950. 9. Periudha e Rilindjes. Letërsia e zgjimit kombëtar shqiptar. 10. Rrymat e letërsisë shqiptare nga fillimet e shekullit XX deri më 1944. 11.Letërsia nën regjimin e Enver Hoxhës (1944-1985) dhe dalja nga izolimi. 12.Letërsia shqiptare në Kosovë. 13.Gjaku ynë i shprishur. Letërsia shqiptare e shekullit XX në Itali e diasporë.
Studiuesi i njohur Sabri Hamiti e vlerëson “Historinë” e Elsies për “bibliografi të pasur, kronologji të letërsisë shqipe, ashtu dhe shënime e evidenca për zhvillimet historike, shoqërore e politike të shqiptarëve, të cilat nuk do t’i kërkonte një tekst i shkruar në shqip për letërsinë shqipe.”
Hamiti vë në pikëpyetje metodologjinë e përdorur në ndarjen e kapitujve të tekstit të cilat siç vëren ai “emërtohen me kritere të ndryshme, herë letrare, herë historike, herë politike e herë si trashëgimi kulturore. Nganjëherë kaptinat emërtohen përmes gjuhës metaforike, si: Shkëlqimi i Orientit, Trashëgimia e
Bizantit, Nën qiellin e kthjellët italian, Gjaku ynë i shprishur. Nganjëherë emërtimet lidhen me shekujt, nganjëherë me kulturën nacionale, si periudha e Rilindjes; nganjëherë me karakterizime të rrymave letrare e nganjëherë me përkufizime ideologjike të epokës, si letërsia nën regjimin e Enver Hoxhës (1944-1985). Një herë tjetër është kriteri i vendit që del si përkufizues, letërsia shqiptare në Kosovë. Në veprën e Elsit ndeshet një konfuzion kur bëhet përpjekja të kryqëzohen rrjedhat historike me shenjat tipologjike, me qarqe gjeografike, me shenja ideologjike, për t’u humbur koncepti i vërtetë letrar. Elsie nuk e lexon letërsinë (duket që këtu mungon interpretimi), ai vetëm kombinon
mendime të të tjerëve, pa i sprovuar këto në një dije e njohje sistematike të kësaj letërsie. Shtron çështjen e letërsisë e të fesë si element përcaktues të saj, si dhe të letërsisë e të ideologjisë. Nga kjo paraqitje e shpejtë e provave për të bërë historinë e letërsisë shqipe gjatë shekullit njëzet del që autorët shqiptarë japin më pak shënime (duke i marrë si të vetëkuptuara) dhe përpiqen të bëjnë më tepër sistematizime; kurse autorët e huaj bëjnë më pak sistematizime dhe japin më tepër referenca, qoftë në vështrimin e bibliografisë, qoftë
dhe shënime që lidhen me shoqërinë shqiptare dhe me kontekstin jashtëletrar më tepër se me kontekstin letrar.”
Pavarësisht vërejtjeve për të cilat edhe autori është i ndërgjegjshëm “Historia e Letërsisë Shqipe” e Robert Elsies është një model i mirë i një teksti gjithëpërfshirës, i historisë së letërsisë shqipe. Gjatë këtyre dy dekadave të fundit ky teskt ka mbushur mungesat që ekzistojnë në këtë fushë.
Ndërsa historianët e letërsisë, katedrat e letërsisë shqipe, universitetet dhe institutet kërkimore albanologjike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj, kanë humbur shumë kohë dhe energji, prej gati 30 vjetësh, për të përcaktuar kriteret komplekse të ndërtimit të një historie të letërsisë shqipe, një studiues i huaj si R.Elsie ia ka dalë i vetëm të shkruaj historinë e letërsisë shqipe prej 688 faqesh e cila vazhdon të përdoret nga nxënësit dhe studentët shqiptarë.
***
Ndërsa gjatë tri dekadave të fundit, është refuzuar historiografia komuniste e Tiranës, e konsideruar e paplotë dhe fragmentare, nuk ka patur konsensus për të ndërtuar një platformë dhe përcaktuar një metodologji shkencore të hartimit të historisë së letërsisë, bazën teorike, periodizimin e saj, kriteret e ndërtimit të saj, sido që të gjithë historianët e letërsisë dhe akademikët janë bashkuar në nevojën që brezi i ri i shqiptarëve të ketë një tekst të denjë dhe gjithëpërfshirës, akademik.
Unë kam zgjedhur të trajtoj disa koncepte të hartimit të letërsisë së shekullit të njëzetë, pasi ky është shekulli letrar që konsiderohet me arritjet më të mëdha, por edhe me mospajtimet më të thella kryesisht të karakterit ideologjik. Është shekulli i modernizmit të letërsisë shqipe që arriti një zhvillim cilësor në vitet 1930, me premisa të dukshme për të hedhur bazat e një letërsie të madhe, traditë kjo që do të ndërpritej me instalimin e regjimit komunist në Shqipëri, me realizmin socialist, estetikën marksiste kufizuese dhe censurën përjashtuese të disa prej autorëve dhe fenomeneve të rëndësishme letrare dhe kulturore, sidomos të kësaj periudhe.
Ky lloj vështrimi i njëanshëm dhe i imponuar apriori i historisë së letërsisë shqipe, për fat të keq krijoi një farë tradite të ngurtë apo me frymë përjashtuese që po kapërcehet më vështirësi edhe pas rreth 30 vjetësh nga çmontimi i kritereve ideologjike mbi të cilat ishte ngritur historiografia komuniste.
Përveç të tjerash, ky mentalitet ka bërë që pavarësisht pse kemi një distancë kohore të mjaftueshme për të vlerësuar pa asnjanësi këto fenomene historike, kulturore dhe sociale, akoma nuk ka një gjykim të pranueshëm nga të gjitha palët e përfshira në një debat të gjatë dhe shpesh me kritere ideologjike, mospajtuese për letërsinë shqipe të shekullit të njëzetë.
Prandaj edhe prof. Sabri Hamiti më të drejtë thotë se “Më është mbushur mendja që historinë e letërsisë shqipe e ka përpara ai që e shkruan historinë e letërsisë shqipe të shekullit njëzetë.” 

PSE NUK ËSHTË ARRITUR DERI MË SOT HARTIMI I NJË HISTORIE TË LETËRSISË SHQIPE TË SHEKULLIT TË NJËZETË?

Vonesa tradicionale e historiografisë shqiptare për të ndjekur në kohë zhvillimet letrare dhe fenomenet që e shoqërojnë atë, duket që ka patur ndikim edhe në natyralizmin e botës letrare në përgjithësi si dhe botës universitare, albanologjike në veçanti, me mungesën e historisë së letërsisë shqipe të shekullit të njezetë dhe më parë të vetë historisë së letërsisë shqipe në përgjithësi.
Në këtë vonesë sipas akademik Shaban Sinanit ka ndikuar edhe mungesa e historisë së kulturës, historisë së artit, historisë së shkrimeve, historisë së qytetërimit, historisë së besimeve, historisë së mendimit kombëtar shqiptar. Për Prof. Ardian Marashin, i ka ndihmuar kësaj vonese apo edhe e ka vështirësuar atë edhe “Mungesa e Enciklopedisë së Letrave Shqipe.”
Deformimi i thellë që regjimi komunist i Tiranës i bëri vetë letërsisë dhe historiografisë së kësaj letërsie, fenomen i cili ka lënë pas mospajtimet më të mëdha dhe mungesat më të thella të historisë së letërsisë së shekullit të njëzetë. Kriteret përjashtuese që imponoi ai në institutet kërkimore, katedra, shtyp dhe kritikë letrare ndaj letërsisë së gjysmës së parë të shekullit të njëzetë.
Përjashtimi që u bëri autorëve, veprave dhe lëvizjeve letrare të rëndësishme të fillimshekullit të njëzetë. Përjashtimi me kritere jashtëletrare që i bëri letërsisë shqipe që shkruhej në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Diapsorë pas Luftës së Dytë Botërore, duke e konsideruar atë si jo socialiste. Shembull tipik i kësaj fryme të ngushtë ideologjike, përjashtuese është vetë “Historia e Letërsisë shqipe e realizmit socialist” (Tiranë 1978), një tekst refuzues ndaj letërsisë shqipe që shkruhej në Kosovë dhe vise, me pretekstin se nuk mund të konsiderohej si një letërsi e realizmit socialist.
Imponimi i një metodologjie të bazuar në kritere përjashtuese sipas frymës marksiste e cila e ndante letërsinë në shkrimtarë përparimtarë dhe reaksionarë ishte me ndikim në punën e historianëve të letërsisë, të cilëve nuk iu la mundësi tjetër zgjedhjeje. Edhe përpjekjet për të bërë një pranim kritik të letërsisë së paraluftës dhe përfaqësuesve të saj më të shquar si Fishta, Konica, Koliqi, Schiroi, Prenushi etj, u refuzua nga lart dhe po kështu edhe vetë monografitë e porositura nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, për Fishtën nga Vehbi Bala dhe për F. Konicën nga Jup Kastrati, të cilat mbetën në dorëshkim. E pabotuar mbeti edhe pjesa e tretë e Historisë së Letërsisë Shqipe (Botim i Universitetit të Tiranës që përmblidhte periudhën 1912-1939), e cila edhe pse u dorëzua për shtyp më 1968 nuk u publikua asnjëherë.
Ndryshimet e sistemit politik në Tiranë më 1990 ndërsa hoqën kriteret kufizuese dhe përjashtuese të botimit, studimit dhe njohjes së letërsisë së përjashtuar, e nxorën letërsinë dhe kërkimet akademike në këtë fushë në periferi të vëmendjes së qeverive që erdhën njëra pas tjerës. Emergjencat ekonomike dhe sociale, si dhe mungesa e një stabiliteti politik nuk krijuan terren për të orientuar financime të ndjeshme për artin, kulturën, letërsinë dhe kërkimet shkencore në këto fusha. Nga ana tjetër edhe sot e kësaj dite nuk di nëse ka një projekt për një redaksi të zgjeruar për fillimin e hartimit të historisë së letërsisë shqipe në tërësi dhe saj të shekullit të njëzetë në veçanti dhe po kështu një preventiv paraprak.
Heqja dorë nga qeveritë për të financuar në mënyrë domethënëse një kërkim të plotë të letërisë, për botimin e veprave të munguara letrare, monografive, studimeve kritike apo edhe historive që kanë mbetur në dorëshkrim, nuk e ndihmoi historiografinë shqiptare për të pasur të plotë korpusin letrar të shekullit të njëzetë dhe pastaj hartimin e një teksti akademik.
Mosmarrëveshjet që ekzistojnë mes vetë studiuesëve të letërsisë dhe historianëve të saj, pargjykimi dhe pengesat që i bëjnë shpesh njëri-tjetrit deri në mosnjohje, në vend të gjetjes së anëve të përbashkëta për të hartuar një histori pa ndikime ideologjike dhe të bazuar në kritere të qëndrueshme letrare. Biles paragjykimi dhe smira ndaj njëri-tjetrit, nganjëherë qysh në gjenezë të punëve të këtij karakteri, kanë zhvlerësuar, mbytur, si dhe dëmtuar edhe punë individuale të konsideruara me vlerë. Këtë shqetësim e evidenton edhe prof. Ardian Marashi gjatë një kumtese të mbajtur në Prishtinë më 2009.
Ngurimi dhe pavendosmëria e historianëve të rinj të letërsisë. Ky grup studiuesish të rinj ndërsa ka hedhur poshtë historiografinë e realizmit socialist dhe refuzuar të bashkëpunojnë me plejadën që dominuan studimet letrare gati 50 vjeçare, nuk ka ofruar një platformë, me kritere dhe metodogji të qartë mbi të cilën do të ndërtohej një histori e shekullit të njëzetë. Ata më tepër janë përqëndruar tek kritikat ndaj teskteve të mëparshme akademike dhe shkollore, duke sygjeruar përfshirjen në tekstin e ardhshëm të mungestarëve të mëdhenj të letërsisë shqipe.
Akademik Shaban Sinani i cili mund të konsiderohet si një urë lidhëse mes brezit tradicional të historianëve të letërsisë shqipe dhe atyre të rinj, apo të pasnëntëdhjetës, ka publikuar tekstin “Historia e letërsisë shqipe: çështje të hapura (Tiranë 2015) e cila për mendimin tim është një platformë komplekse dhe gjithëpërfshirëse për hartimin historisë së përgjithshme të letërsisë shqipe mbi kritere letrare shkencore, estetike. Ai u jep përgjigje të gjitha dilemave metodologjike dhe çështjeve të tjera që kanë penguar deri me sot fillimin e punës për hartimin e historisë së letërsisë shqipe.
Studiuesi Ardian Marashi ndërsa i jep përgjigje kësaj vonese shfajësohet me arsyetimin “sepse na lipsej kohë për të formuar gjykimin tonë dhe për të fituar drejtpeshimin estetik të nevojshëm.”
Mendoj se vonesa në hartimin e historisë së letërisë tonë, ka lënë një boshllëk që erdhi siç thotë me të drejtë prof. Ardian Marashi edhe për shkak të hutimit dhe mosorientimit të akademikëve dhe historianëve të letërsisë me ndryshimet e mëdha dhe përmbysjes së hierarkive letare, rikthimit të Fishtës dhe gjithë letërsisë së autorëve katolikë të veriut të përjashtuar, por edhe të eksponentëve të tjerë të shquar si Konica, Ernest Koliqi, Mit’hat Frashëri, Z. Schiroi etj. Siç thotë Marashi edhe “nevojës për t’u njohur me këtë pjesë të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe vendosur ekuilibrat e nevojshëm kritikë, pas një disbalance të padrejtë dhe të imponuar.” 

NEVOJAT PËR NJË HISTORI LETËRSIE

Shekulli i njezetë dhe letërsia e tij ende vijon të trajtohet në shkollat tona si diçka bashkëkohore, ndërsa ajo tashmë është një histori e së shkuarës dhe si e tillë duhet trajtuar, si një fenomen historik me të gjithë diversitetetin që ka letërsia shqipe në këtë shekull.
Kjo histori do të jetë një ngjarje e madhe për këdo që merret me letërsinë shqipe dhe kontekstin kulturor e historik të Shqipërisë, për lidhjet e saj me të ardhmen, sidomos për botën akademike.
Letërsia është pjesë shpirtërore e jetës tonë kombëtare dhe një mjet i fuqishëm i identitetit tonë kombëtar, prandaj nevoja rishkrimit të kësaj historie buron nga emergjenca për të hedhur një bazë të shëndoshë të studimit dhe të sistematizimit të produktit letrar kombëtar, me një standard të lartë shkencor, me kritere bashkëkohore dhe të hapur ndaj debatit shkencor, letrar dhe estetik, në mënyrë që të ndihmojë jo vetëm bashkëkohësit por edhe brezat e ardhshëm.
Ekziston një nevojë reale, emergjente që të shkruajmë historinë e letërsisë shqiptare, ashtu siç është, me arritjet, dobësitë dhe sukseset e qëndrueshme të saj gjatë shekullit të njëzetë.
Së pari, sepse mungon një histori letërsie e plotë, gjithëpërfshirëse mbi kritere shkencore, estetike, letrare. Vetë studiuesit, historianët, kritikët e letërsisë, kanë nevojë për një referencë bazë dhe të pranuar me konsensusin më të gjerë shkencor, akademik.
Së dyti secili brez ka të drejtë të arsyeshme dhe të justifikuar të shkruajë historinë e letërsisë për shkak të zhvillimit në vijimësi, pasurimit dhe zgjerimit të saj me vepra dhe autorë të rinj. Në fund të fundit secili brez bën leximin e tij të historisë së letërsisë kombëtare.
Akademike Klara Kodra, ndërsa trajton këtë nevojë të çdo brezi për të rishkruar historinë e letërsisë që ka tendencë edhe të vetëvjetërohet, e shikon si domosdoshmeri këtë rishkrim, sidomos kur është fjala për shoqëritë që dalin nga diktatura autoritariste, imponuese ndaj historisë së letërsisë dhe vetë letërsisë së një kombi, për ta vetëkorrigjuar atë, siç është rasti i shoqërisë shqiptare. Sipas prof. K. Kodrës “Një tipar i historisë së letërsisë është përtëritja e saj e vazhdueshme që lidhet me vjetërimin relativ të historive individuale të letërsisë dhe të ndryshimit të herëpashershëm të peizazhit letrar, majave që ulen, kodrave që ngrihen, kalimit të shkrimtarëve të mbyllur prej studiuesëve e kritikëve të kohës së vet në limbin e minorëve nga studiues të rinj në parajsën e të zgjedhurve; kalimi në zonat periferike të letërsisë të shkrimtarëve që koha e vet i patvendosur në qendër. Historia e letërsisë përtërihet dhe ecën nëpërmjet zbulimit të talenteve të reja, dhe korigjimit të gabimeve të studiuesëve të së kaluarës. Ky tipar i përhershëm i historisë së letërsisë – rinovimi (përtëritja) fiton një rëndësi më të madhe pas rënies së diktaturave që me ideologjitë e tyre shtypëse mund të kenë dëmtuar objektivitetin shkencor”.
Më tej prof. Ardian Marashit flet për nevojën e rishkrimit të historisë së letërsisë si një pasqyrim koherent i dukurisë letrare: “Del, pra, e qartë, se hartimi i një Historie të Letërsisë Shqipe ka të bëjë në radhë të parë me sistemimin e dijeve letrare, me qëllim që të propozohet një pasqyrim koherent i dukurisë letrare dhe i proceseve kryesore që kanë kushtëzuar e që njëkohësisht kanë profilizuar zhvillimin e saj përgjatë epokave të historisë kulturore kombëtare”.
Mendoj se bota akademike, universitare, kërkimore shkencore shqiptare e ka eksploruar gjatë dhe me kompetencë bazën teorike të hartimit të një historie letërsie bashkëkohore, të çliruar nga ndikimet jashtëletrare të imponuara në të kaluarën, ka debatuar gjatë dhe me kompetencë shkencore për metodologjinë, kriteret, kohështrirjen, periodizimin etj, ndërsa tani është koha e hartimit të historisë së letërsisë në përgjithësi dhe asaj të shekullit të njëzetë në veçanti.
vijon

0 comments:

Post a Comment