Friday, November 22, 2019

Buqetë Poetike nga Sinan KËRPAÇI

Në kujtim të nënës

E NJËJTA ARITMETIKË

Për të numëruar ditët e nënës që iku
edhe sot përdora aritmetikën e saj
të thjeshtë:
numërova me gishta deri në dyzet,
dhe kështu do vazhdoj përditë
me të njëjtën aritmetikë.

Edhe firmën po kështu do ta hedh,
si nëna,
me gisht,
kur të bëj Kryefamiljarin pasardhës
në ditët pa nënë që do vijnë.
Nëna ime nuk mbajti kurrë në dorë
laps dhe penë për të shkruar
siç bën gjithë bota,
nëna ime mbajti në dorë pesë shtiza
dhe thuri për mua në ditët me nënë
veshje të ngrohta.


Ditës t’i lëmë një kujtim

Kur dua ditës që më ikën t’i lë një kujtim
shkoj te bashkëshortori dhe shtrihem për së gjeri:
gruaja të jetë e detyruar të më zgjojë
mua symbyllurin në zgjim,
e unë të bëj vend për atë duke bërë sikur
hidhem si zog i trembur te vendi im.

Do t’ju pres, o grua sa të mbarojë telenovela turke
me Sulltanin sykaltër dhe shumë gra,
kur të vish për tek unë me një Princ në mendje
perpendikular do të më kesh në krah.
Marsi në të ikur do ta sjellë një prill, një maj...
Eja e dashur t’i lëmë ditës një kujtim perpendikular,
pastaj të humbasim në gjumë nëpër natën e thellë:
të flemë si dy të palodhur, të flemë.
Nesër në mëngjes dritaren hape ti dhe më thuaj:
dita sot, o Yll, ka ardhur më e bukur...
...si për prill, si për maj, si për yll të këputur.



Tregtaret ruse

Ruse, vetëm ruse në Kinë, asnjëherë rusë
sikur ai vend të qe shuar për burra…
Dhe prisnin të gjitha nga unë!
Asnjëherë në disko “LENA” s’u thashë
se ku i kishin gjumashët
vetëm se përpiqesha të isha më i pagjumë.
Sa na jepte leje vodka ngriheshim,
kthenim edhe njëherë kokën nga “boshja”
dhe qeshnim:
ato binin te taksistët sa të gjenin hotelin
ndërsa unë kërkoja, po i dehur, Sheshin.
Ikja në “Tien An Men”,
ngulesha përballë portretit të Mao Ce Dunit
dhe qaja me oi: “Ç’na bëre, o Enver!”
derisa bëhesha esëll.
Kujtoja që isha 45 vjeç dhe qaja përsëri.



TË TRIJA

Rruga “Bardhyl”, sheshi “Jozef Shtraus”
dhe një rrugicë e fshehtë që i lidh.
“Shtraus”, “Qorre” dhe “Bardhyl”.
Nëpër të trija jam unë që lëviz
në orën që sa bëhet natë
dhe nuk dua dykëmbëshit
të ma shohin fytyrën
kur vë kokën e lodhur te të trija bashkë
dhe u qaj hallet e ditës.
E për mëshirë nuk ua besoj kokën:
e kanë një shpirt që më zgjat dorën
dhe nuk janë si njerëzit - pa fytyrë.
Është një rrugicë e fshehtë që lidh
“Jozef Shtraus” dhe “Bardhyl”
edhe mua që lëviz në të trija
për pak prehër nëne.

0 comments:

Post a Comment