Friday, June 15, 2018

POEZI NGA RAMIZ KUQI

NJË LOT
(Prindërve të mi)
Sa herë bie shi
E zbret dielli mbi Sharr
Nëpër këto stinë të ikura
Sa rëndë hapëroj nëpër vargje
Fjalët
I kam bërë lule
Të ju kujtoj
Po një lot m’u derdh
Si ujëvarë!

SI NJË SIMFONI
Zbrazen këto pika shiu
Sonte
Kur qielli është mbushur
Me re
Me mikun e poezisë
Brodha nëpër fjalë
I urti poet
Gërmon nëpër kohë
Si një arkeolog
Për një kujtim
Zbraz një kupë me verë
Si një simfoni...

ZBRIT O ZOG
Zbrit nëpër këto re mbushur me shi
Se në qiell dëgjoj sonte bubullimë
A do të bie ndonjë stinë shqip fyelli im
Në luginat e heshtura të Camërisë
Ku zëri më ka mbetur mbështjellë në fyt
Zbrit të lutem sonte ti zog në dhomën e letrave
Më sjell ndonjë lajm të dehem me një gotë
Që ëndrra ime të lëshojë shtat pas shtatë kullave
Jehona e këngëve të dëgjohet te ura me shtatë harqe në Veri
Ibri t’i mbledhë prrockat pa fjalë
Të pi sonte një gotë verë zogu im
Të pi!

NE HARRUAM
A u shndërruam në njerëz robotë
Sikur nuk rrjedh më nëpër damarë grupi
Gjak si rubin
Kaq shekuj në pritje të diellit
Kaq pak ngrohtësi nëpër stinë
Ne harruam të buzëqeshim
A buzëqeshjen na e qepën të mjerët
Me gjilperë samari
Të heshtin para tyre
Si të ishim kukulla fëmijësh
A u shndërruam në robotë?
Vaj për ëndërrimet e qiellit me yje!

CAST LIRIK
Lë të rrjedh nëpër buzë
Si qumështi i bardhë ky shi
E lumnueme e këtij casti
Pas këtij rrebeshi
Një copë diell
Për një ëndërr që më troket
Në mesnatë me shumë sy
M’i (sh’)koklit faqet e një vargu
Që ende s’e kam shkruar
Cast lirik!

SI NË PANAIR...
Jeta
Në secilën libër
Është një biografi e shkruar
Me lot dhimbje
Si lëvrimi i tokës
Askush (s’) e gjeti të bukurën
Pa gërmuar me thonj
Tokën e lindjes diellin
Që ma shpuan me gozhda
Heshta të ndryshkura
Për lirikën me sy
Stinët ishin vjeshtë me shi
E dimrat e egër
Në panair
Si në jetën me rrokullimë!

KAM TAKUAR
Njerëz
Që hanë fjalët
Që hanë ...
Dhe asnjëherë
Nuk kam dashur
T’i takoj
As në kopshtin e luleve
Kam takuar...

HARROVA
Të të puth në faqet tua bleruar
Nga këto lule ujitur cdo ditë
Nga shirat
Që bien mbi këtë tokë
Ndoshta se nuk e cuam deri fund
Amanetin e dëshmorëve të lirisë
Të popullit duarthatë
Që ia rrëmbyen barbarët fëmijën në krah
Po sot harrova të të puth në sy Atdhe
E di se të kanë lodhur matrapazët
Shprishbërësit e lirisë
Të pangopurit e këtij shekulli
Që buzëqeshin kur ëndrra loton
Harrova!

MEDITIM MËRZIE
Pse bota na qenka (l)esh e li
Si hiri i prushit me zjarr
Kur i fut duart ta shprishësh
Vjen e ndizet në varg ah një mallë
Dhe derdhet nëpër udhë erë e lehtë
I bie detit tej përtej me sy
Kërkon shiun e pranverës me lule
E do muzën në agim një fjalë e shkrep
Dëgjon rrapllimat e dallëndysheve nëpër qiell
E rikthehesh në fillim të hapërimit tënd
I lut yjet të rrinë një çast me penën
Në breg të shpirtit ëndrrat me diell
Pse bota na u bë (l)esh e li?

TË RUAJ
Si nëna fëmijën në krahëror
Nga sytë e këqinj
E bukura fjalë
Që dikur
Të ruanin në kopsht
Mbretër e perandorë
Të binin në gjunj
Me Ty rritej dashuria
Për vasha të gurra ujëvarë
E mbretësha
Të ruaj
Si feniksin
O Zog krahlehtë!

LIRIKË
Nga sytë e saj si trëndafili
Fluturojnë dallëndyshet
Qiellit të fjalës sime vijnë
Vargje të shkrehura
Lirikë!

PIKA LOTI
Zogjve të mi në mërgim)
Jam ulur në një skaj të Eli-Abit
Si mbi gaca zjarri
Nga larg
Më erdhi një zë
I zogjve të mi
U cullos fjala
Loti mori udhë
Larg detit
Larg e më larg
C’u tjerr kjo ditë
Si një vig mbi lumë
O luginë e dhimbjes sime
Pika loti nëpër shi!

KU JE FSHEHUR
Në cilat pika të shiut
Zhurmëron nëpër olluqe
Si dallgë deti
Tingull i brishtë
Kjo natë
Pa asnjë yll nëpër qiell
Në këtë hapësirë të pafund
Secili kërkon nga një shkronjë
Ëndërr Evrope?
Ballkani im i shprishtë
Pa ligje
M'i tremb zogjtë e mi
Nëpër udhët pa adresë
Atje
Strajca e fatit të përcjell
Si një hije e padukshme
Në cilat pika të shiut
Është fshehur kjo ditë?
Ku je fshehur
Drita e diellit tim?

PRIZREN
Po vijnë zogjtë e natës
Të pagjumët
Të dëgjojnë zërin e Kohës
Te Shtëpia e Lidhjes
Zgjuar rri Abdyl Frashëri
Me një penë mbi letër
Mbi kartën e shkruar shekulli
Po zbraz hidhërimin e lumit
Prizren
Ti ëndrra e brezave
Hap.një faqe libri
Një kufi
Mbështjellë me gjemba
Udhët tua
Mbushi me xixa stralli
Të zbraz kupën me verë
Për një Varg
Një Shkronjë Atdhe
Në Abetarën tënde një diell
E një Flamur i Gjergjit
Po vijnë zogjtë e natës po vijnë!

LEXO
Librin e jetës
Midis kopertinave të saj
Ka udhë të fshehura
Rite të pathëna
Brigje
Për ura
Nën lë të rrjedh
Lumi me dallgë
Si një vullkan i pashuar
Lexo!

LARG ËSHTË...
Udha e lumnisë sime
Bota ka ikur në kosmos
Ne
Këngë e vonuar nëpër dhimbje
Lirisë i kemi hipur në qafë
Edhe pak stinë
Do t’ia nxjerrim shpirtin
Nga fodullëku i barinjve
Që i bien fyellit
Me një melodi
Larg është...


CDO DITË
Heq një rrënjë me gjemba
Në kopshtin e lule grish
Të ketë diell e shi
Një mike e vargut më tha
Kur po e përfundoja një fjalë
Do të vij me vargun shoqërisht
Të ulemi në maje të bjeshkës
Të rrëfejmë biografinë e mallit
Letrat e shkruara me stilolaps
Larg mediumeve telefonave celularë
Të shtrihemi mbi bar të njomë
Në duar tè mbajmë nga një buzëkuqe
Kuq e zi për një atdhe e një flamur
Kur u rizgjova
Pashë se më kishte kotur gjumi
Tek po endesha nëpër botën e poezisë
Po Khajamin se takova në asnjë faqe libri
Cdo ditë takohem me miq nëpèr fb-uk
Nëpër konaqe ka rënë moti heshtja
As lojë plisash më nuk luan askush!

NGA UN’I
Të nxjerr zjarr
T’i ndjek nga malet
Shpendkeqet.zuzarët
Edhe kur bie shi
Nga flaka e purpurt
Dita orët
Të rrinë zgjuar me sy
Nga UN’I
Zogjtë e natës
Mbi letër
Të marrin fluturim pëllumbi!

NUK IKA PËR TIRANË
Është e cuditshme kjo ëndërr
Që më mban si të burgosurin
Matanë grilave
Sa herë dua të ik andej kufirit
Një shpendkeq ma zë udhën
E Unë kridhem si në guacë deti
E di se kupolat i kanë përplasur
Buzë detit
Që të na e kujtojnë portretin e xhaxhit
Përrallat e tij biblike
Për socializmin kooperativat
Revolucionin bolshevik
Nuk ika për Tiranë!


0 comments:

Post a Comment