Thursday, June 29, 2017

HILE LUSHAKU: Deputet i pa çertifikuar na ke fyer rëndë dhe publikisht. Reago!



“Me gjithë respektin që kam për profesionin e policit dhe sidomos misionin e tij, ai përsëri mbetet polic”. Kështu postoi një ligjvënës i ri, një ish qeveritar vendor në dy mandate, kandidat i mundur në konkurrimin e tretë, një intelektual e biznesmen, një kapitalist shqiptar i kohëve moderne, pa asnjë dhimbje koke për të ardhmen e vet ekonomike.
I nderuar ligjvënës, fjalia juaj përcjell një fyerje të rëndë publike për një misionar të sigurisë e të zbatimit të ligjit, të jetësuar me kartonët tuaj. Ai polici kam qenë edhe unë, që ju i doni e respektoni vetëm kur u vjen ujë poshtë ndenjësve. Ai polici u shërben natën kur ju flini të qetë se pronat tuaja janë të mbrojtura, ai polici ju garanton sigurinë në të gjithë aktivitetin tuaj jetësor, ai polici është në shkollë kur mësojnë fëmijët tuaj, ai polici është në stadium kur ju argëtoheni me emocionet e sportit, ai polici është në rrugë kur ju udhëtoni me fëmijët apo transportoni fitimet e aktivitetit tuaj, ai polici përvëlohet në diell për një pikë uji kur ju shkoni të thekeni në plazh, ai polici është në fushatë kur jo shkoni me thesin e premtimeve, ai polici vjen në banesë kur ju konfliktoheni me bashkëshorten, ai polici sakrifikon jetën atje ku ka konflikte pronësie, ku ka protesta e demonstrata, ku ka rrezik për jetën nga uji e nga zjarri, ai polici kërkohet për ndërtimet pa leje, ai polici kërkohet kur nuk paguhen dritat, ai polici "kreh" kodrat ku kultivohet hashashi, ai polici kërkohet kur kanoseni ju biznesmenët, politikanët, prokurorët, gjyqtarët, ai polici ju ruan shtëpitë e pronat, ai polici është në shi e në të ftohtë, ai nuk njeh festa e pushime, nuk ka të shtuna apo të diela. Ai polici është kudo ku ka jetë, ku punohet e jetohet. Ai polici, po ua ritheksoj, kam qenë edhe unë (e mbaj vehtën për intelektual me integritet dhe shumë profesionist), ai polici është njeri i nderuar, është pjesëtar i shoqërisë, ka prindër dhe trashëgimtarë, ka vëllezër e motra normalë. E kam përmendur edhe më parë, në botën e përparuar, atje ku dëshirojmë të shkojmë, Zoti i pari, që është në qiell, dhe polici në tokë, “engjëlli i sigurisë publike”, zgjidhin hallet njerëzore. Sa shkruani ju, pavarësisht tendencës individuale për një kolegun tuaj në politikë, ish-polic, është një fyerje e pa kapërdishme për një strukturë me mision të shenjtë, për të gjithë ata që kanë punuar dhe punojnë në Policinë e Shtetit. Zoti deputet i pa certifikuar, tërhiqe menjëherë sa ke publikuar, kërko falje publike. Mos identifiko një strukturë shërbimi të njerëzve të sakrificave me individë që mund të jenë katapultuar brenda saj.

0 comments:

Post a Comment