Monday, June 26, 2017

Prend BUZHALA: SINONIM I FJALËS UDHËTIM, ËSHTË FJALA TURIZËM


(Çaste eseistike: nga Bajroni te e sotmja), 26
Sinonim i fjalës udhëtim, është fjala turizëm. Fjala është për "llojin e veçantë të udhëtimit" të cilën, Fjalori i shqipes e përkufizon: "Udhëtime në vende të ndryshme, që organizohen zakonisht nga një grup njerëz të pushuar, për t'u argëtuar, për të parë gjërat e rralla, veprat e mëdha, bukuritë e natyrës etj.; veprimtaria për organizimin dhe zhvillimin e këtyre udhëtimeve" dhe përmend shprehjet: Agjencia e turizmit, Zhvillimi i turizmit, Bën turizëm.
1.
Kurse turisti (a udhëtari i veçantë), është "Ai që bën udhëtime në vende të ndryshme për të pushuar, për t'u argëtuar, për të parë gjërat e rralla, veprat e mëdha, bukuritë e natyrës etj.; ai që shëtit në vende të bukura e të panjohura për kënaqësinë e vet."
Kudo i shohim edhe shoqëruesit a ciceronët e turistëve: në qytete turistike, zona turistike, lundrime turistike, në ambiente me veshje (pajisje) turistike, në vende "me gjërat e rralla ose me bukuritë e natyrës, që është i përshtatshëm për turizëm ose që vlen të vizitohet nga turistët; që është për turistët."
2.
Turizmi është nocion europerndimor, i cili, si fenomen dhe fjalë që e mbulon semantikisht këtë klloj udhëtimi, për herë të parë paraqitet në fundshekullin XVII e fillimshekullin XVIII. Fjala ka prejardhje franceze. Thuhet se fillimisht kjo fjalë kishte një tjetër kuptim deri në shek XIX. William F.Theobald te vepra e tij "Global turism" 1994 ("Turizmi global"), këtë fjalë e nxjerr nga fjala latine "tornare" dhe greke "tornos", të cilat tregojnë disa lëvizje brenda ose rreth boshtit qendror; mbasi rrethi përfaqëson një pikënisje, e cila në fund kthehet te pika e nisjes; si në një rreth, "turizmi" paraqet një udhëtim që përfundon aty ku nis ose te pika e fillimit.
Turistë dikur ishin vetëm pak njerëz, me qëllime arsimore, kulturore apo argëtimi, nga shtresat e të rinjve aristokratë. Ishte "në modë" që ato rrethe aristokratike (nga Britania) të udhëtonin nëpër Evropë, një si parapërgatitje për të hyrë në jetën "e pjekurisë". Këtë "modë" e morën më vonë shtresat borgjeze, që, po ashtu, nxiorën në pah shtresime klasore.
Gjatë shek XIX janë të njohura udhëtimet e shkrimtarëve romantikë, si Goethe, Schiller Stendhal, Byron etj, që e kishin një si parim krijues e ejtësor arratisjen nga jeta "normale" e zhurmat e qyteteve dhe njohjen e vendeve të virgjëra ekzotike, me mite, histori e legjenda. Apo dhe intelektualë si Niçe, që ushltonte për shkaqe shëndetësore...
3.
Do të na kujtohet, ne shqiptarëve, sidomos Bajroni që, përpos shtegtimeve të tij në në Lisbonë, udhëtoi me kalë 640 kilometra dhe arriti në Kadiz, nëpër Mesdhe prej Gjibraltarit në Maltë dhe prej aty në Prevezë, në Shqipëri, ishte mysafir i Ali pashë Tepelenës, pastaj në Janinë, Tepelenë etj dhe "së andejmi kaluan për në Greqi nën mbrojtjen e 35 shqiptarëve." Te "Shtegtimet e Çajld Haroldit", lexojmë rreth 360 vargje kushtuar këtij shtegtimi të ehroit të poemës nëpër Shqipëri:
Shih t’egrin shqipëtar me fustanellë
E rrobat të qëndisura me ar.
Armët të lara me flori, sa bukur!
Dhe maqedhonasit mandile-kuq;
Delinë me qylaf e jatagan... (...)
Të rrept jan' bijt e Shqipëris, po i kan'
vetit, veç më të arrira të qen'. Ç'armik
ua pa kurrizin? Luftës kush ia mban
peshën më mirë se ata? Shkëmbejtë antik
të tyre s'jan', kur del ndonjë rrezik
t'i vërë në provë, më se ata të patundur:
Ç'armiq për vdekje, por sa miq besnik!
Kur Besa o Nderi e do, bëjn ç'ësht e mundur,
Dhe ku t'u prij' kryetrimi turren pa u lëkundur.
si dhe marshin luftarak:
"Tamburxhi ! Tamburxhi":
Tamburxhi! Tamburxhi! thirrja jote ushton,
U ngjall trimave shpresën dhe luftë u premton;
Gjithë djemtë e malsisë i ngre vrundulli jot,
Himariotët, Ilirët, zeshkanët Suliot.
4.
E pra, në literaturën që i kushtohet turizmit, spikatet se nocioni "turizëm" shënjonte veprimtarinë që doli nga mënyrat e reja të jetës të shtresave sunduese e të privilegjuara, si fenomen elitar e jo si "fenomen masiv"; se, për ta realizuar një turizëm duhen mjete financiare dhe kohë e lirë.
Ndërkaq, shoqëria evropiane industriale (dhe pas saj) e ndajnë kohën në "kohë pune" e në "kohë të lirë, jashtë punës" dhe ndarja e tillë e ndryshoi edhe përmbajtjen e fjalës turizëm, kur betejat kishin të bënin dhe me fitimin e të drejtave të punëtorëve për "pushimin me pagesë" apo të kohës së lirë, shtimit të nevojave të tyre, rritjes financiare, plotësimit të nevojave të konsumit dhe të atyre edhe për turizëm. Në botën moderne turizmi shndërrohet në fenomen masiv, mbasi humb përmbajtjen e saj të dikurshme elitare. Fatkeqësisht, në Kosovë turizmi ka dy faqe: ende ruhen trajtat e jetës sociale të shek XIX dhe të gjysmës së parë të shek XX, për sa i takon fenomenit social të turizmit, sado që ka organizime kolektive nga organizata të jashtme; porse përjetohen dhe format e turizmit nëpër shtetet fqinje, në të cilat shkojnë për pushime verore a për vizita...

0 comments:

Post a Comment