Friday, June 9, 2017

Prend BUZHALA: DIJA E ÇLIRUAR DHE VETËDIJA ANAKRONIKE HISTORIKE


(Kundrime për së kithi), 9
A po na shërben e kaluara jonë (historike, religjioze, kulturore dhe identitare) dhe ajo e kontinentit tonë evropian, me ato të perandorive orientale, si kornizë irracionale e mosmarrëveshjeve tona të brendshme?
1.
Po vërehet: disa trajta të vetëdijes historike kanë rëndësi dhe peshë të madhe në vendet e shoqëritë me arsim më pak të zhvilluar. Ndodh kësisoj, sepse pamjet (a imazhet) e së kaluarës, përpunohen nëpërmes një mekanizmi të brendshëm (shpirtëror) irracional. Përfytyrimet a imazhet që kanë shtresat e caktuara të shoqërisë sonë, me irracionalizmin e tillë, depërtojnë me forcë të pazakontë në vlerësimin e së tashmes. Vijnë, këto imazhe-përfytyrime, si stereotipe të shoqërive të perënduara (qoftë ajo perandorake, komuniste, ideologjike etj). Kundrimi i tillë, irracional, me sy të së kaluarës perandorake orientale, apo me sy ideologjikë të totalitarizmave të perënduar, shkakton një SHKËPUTJE NGA SHOQËRIA, nga problemet reale që ka ajo, si dhe nga pikësynimet. Shkëputjet e tilla, irracionale, jo vetëm që deformojnë realitetin e së tashmes, por ato vijnë si deformitete të së kaluarës, si vetëdije anakronike historike, si fenomene të regresit historik. Verëdije që e deformon edhe të tashmen...
2.
Nuk është e habitshme, prandaj, përse kombi ynë dhe shoqëria jonë i ka prodhuar mekanizmat e tillë të mosmarrëveshjeve jo vetëm brenda vetvetes, por edhe me të gjitha realitetet përreth... Mirë, një politikë në nivelet qendrore ka krijuar ë tjera pamje çliruese, por edhe ato detyrohen të ndërfuten në mekanizmat e sistemit të tillë irracional! Ndërfuten aty, për shkak të kësaj mendësie irracionale dhe për shkak të "shumicës së votës"!
Sistemi i tillë, irracional, me mbizotërimin e vetëdijes së tillë anakronike historike, paraqitet si PENGESË PËR NDRYSHIM, pikërisht për faktin pse fenomenet e tilla të kësaj vetëdijeje depërtojnë thellësisht në sistemin tonë të mendimit, si fenomene me kohëzgjatje të pacak, të verbër, DUKE E PENGUAR VENDIN E SHOQËRINË TONË NË RRUGËN E NDRYSHIMEVE. Nuk ka ndryshime, sepse ka një konservim në mendësinë anakronike të së kaluarës! E kalauara na mban peng!
Nuk është e habitshme, përse VETËDIJA E TILLË ANAKRONIKE HISTORIKE është shndërruar në ROJE E MBUROJE të situatës së tillë të parrugëdalje, është shndërruar në GARDIANIN MË TË BESUESHËM (anakronik) të injorancës brenda nesh!! Nuk është e habitshme përse ka kaq shumë copëzime brenda nesh e copëzime territoriale, copëzime të idesë kombëtare e historike dhe mungesë drejtpeshimi harmonik brenda shoqërisë e kombit tonë... Është shndërruar në mbrojtje të SITUATAVE TË MOSMARRËVESHJEVE dhe situatave devijuese e konfliktuoze brenda nesh e rreth nesh...
3.
Të mos harrohet: fitimi i i njohurive dhe ideve mbi historinë (mbi religjionin, kulturën, artin, identitetin, civilizimet etj), ndikon në ngritjen e kulturës së përgjithshme dhe ka rol emancipues. Dija është kapital njerëzor dhe kombëtar. Me anë të përvetësimit të dijes e të njohurive të mendimit racional, të arsyeshëm, shkencor, paraqesim thesarin e pasur të vetvetes, nga njëra anë, dhe kundërthëniet e përmbajtjeve historike, kulturore, religjioze apo artistike, nga ana tjetër... Përmasat e mësimit për të kaluarën, për religjionet dhe për sistemin e vlerave, duhet të ndërtohen mbi kornizat racionale, karshi stereotipeve tradicionale historike, ideologjike etj. DIJA E ÇLIRUAR krijon dhe drejtpeshimet brenda një shoqërie e kombi... Rrugët tjera qëndrojnë të hapura!
( rishkrime, 9 maj 2017)

0 comments:

Post a Comment