Friday, June 2, 2017

Prend BUZHALA: HOXHË HASAN TAHSINI, FJALIMI QË NDAU EPOKËN E DIJES NGA AJO E ERRËSIRËS


(Çaste eseistike. Nga Fjalimi i rektorit Hoxha Tahsini në hapjen e Universitetit të parë në Stamboll, në shkurt të vitit 1870. NGA ORATORIA E FIGURAVE SHQIPTARE), 30
“Ne jemi një komb i veçantë, kemi gjuhën tonë të veçantë, andaj duhet të jetojmë më vete, si edhe të tjerët”. Ky është formulimi më i saktë e më i plotë për kombin që e jep rilindësi Hoxhë Hasan Tahsini (1811-1881), gjatë veprimtarisë së tij për alfabetin shqip , hapjen e shkollave shqipee për gjuhën shqipe në kuadrin e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja shqip në Stamboll gjatë viteve 1867- 1879. Në Evropë tashmë kishte një traditë universitare prej shek XI (Universiteti i Bolonjës -1088), Universiteti i Parisit -1150 etj), kur më 1870 Hoxhë Hasan Tahsini,po e hapte Universitetin e parë otoman në Stamboll, dhe po emërohej rektori i parë i këtij universiteti nën Perandorinë otomane.
1.
Ai nuk e donte zgjimin vetëm për shqiptarët, por për të gjithë të tjerët.
Pra, ai po jepte kontribut në dy drejtime: duke përhapur dijen e iluminizmin evropian në Perandorinë otomane dhe duke dhënë kontribut prej rilindësi për kombin shqiptar.
Punoi e veproi në shumë drejtime¸ me energji të pashtershme dhe pa u lodhur.
Ai po vepronte për të hapur e çelur portat e dijes dhe të botës, në izolimin e mbylljen inkvizicioniste disashekullore të perandorisë, duke sjellë mendjet e lira të dijes. Dija e tij po çante muret tragjike të këtij regjimit vrastar (inkvizicionist) otoman,të shtresuar ndër shekuj.
Ai tashmë kishte një përvojë të pasur e të frytshme gjatë qëndrimit të tij në Paris: duke qëndruar në Paris për 16 vjet me radhë, duke studiuar atje në disa fakultete, duke gjurmuar nëpër bibliotekat e Parisit, duke njohur shkencat natyrore-matematikore, kozmologjinë, psikologjinë, jurisprudencën, filozofinë, pedagogjinë, historinë, duke njohur frëngjishten dhe gjuhët orientale, duke shërbyer si ambasador otoman në Paris etj, ai u bë njëra ndër figurat më intelektuale e më enciklopedike të kohës nën Perandorinë otomane.
Së këndejmi, nuk është thënë më kot se ishin intelektualët shqiptarët të Stambollit ata që e evropianizuan Turqinë e periudhës otomane: hapën universitete turke, shkruan enciklopedi, fjalorë, libra filozofikë, shkencorë etj, si Sami Frashëri Hoxha Tahsini; dhe ndikuan që ta fusin në përdorim alfabetin me shkronja latine, sikundër e kanë turqit edhe sot. Duke e evropianizuar dhe duke përhapur iluminizmin evropian në Stamboll e gjetiu, duke marrë pjesë në parlamentin otoman dhe në institucionet që po dilnin nga lëvizjet politike moderne të kohës; rilindësit tanë kishin bindjen, se edhe shqiptarët do të arrinin t’i fitonin të drejtat e veta më lehtë dhe pa dhunë, në kuadrin e një perandorie. Sido që të jetë, Rilindja Kombëtare krijoi zgjimin dhe vetëdijen kombëtar ndër shqiptarë dhe krijoi favore me sakrifica të mëdha. Hoxhë Hasan Tahsini, dijet e tij iluministe europerëndimore, i ka përhapur në Stamboll nëpërmes ligjëratave të tij, fjalimeve, tubimeve dhe formave të ndryshme të veprimit dituror.
2.
Kësaj radhe, për aq sa na në dorë, gjetëm Fjalimin e tij në hapjen e Universitetit të Stambollit, më 1870.
“Ditën e çeljes së universitetit hoxhë Tahsini, me pamjen e vet madhështore që e dallonte, doli në tribunë përballë një ushtrie talebesh(studentësh) dhe me një gojtari të pashëmbullt deri asokohe në Stamboll, mbajti një fjalim të nxehtë me dijeni të gjera, duke përcaktuar kështu boshtin ideor-shkencor e ideo-politik të asaj qendre të madhe kulturore”, shkruan Dr. Ibrahim Hoxha.
Sami Frashëri (sipas Mehdi Frashërit) ka thënë se” ditën e çeljes së universitetit Hoxha Tahsini me pamjen e vet madhështore që e dallonte, doli në tribunë përballë një ushtrie nxënësish dhe me një gojëtari të pashembullt deri asokohe në Stamboll, mbajti një fjalim të nxehtë me dijeni të gjera, duke përcaktuar kështu boshtin ideo-shkencor dhe ideo-politik të asaj qendre të madhe kulturore. Në fjalimin e tij ai vuri në dukje se shkaku i prapambetjes së theksuar të popujve islamike ishte mungesa e kulturës moderne.”
Sipas DR. LAURANT BICA, ky fjalim ngërthente në dhjetë paragrafë këtë lëndë mbi arsimin dhe dijen: hapja e universitetit ishte një portë, që po i hapej dije; ishte një mundësi më e madhe që iu jepej popujve të perandorisë; ishte një shkallë më lart në rrugën drejt progresit e drejt qytetërimit; ishte një mundësi për të zbuluar kapacitetet mendore që kish perandoria; duke u shtuar dhe shumëfishuar mundësitë e arsimimit i kufizohej terreni i veprimit të krimit, të dhunës; i hapej rruga zhvillimit, përparimit; krijon një zhvillim në gjerësi në të gjitha fushat që nga mjekësia e deri tek zhvillimi fizik e mendor i njerëzve; bëhej e mundur edukimi i brezit të ri, i rinisë, për të ecur ajo në rrugën e përvetësimit të shkencës dhe të dijeve dhe, së fundmi: duhej zënë hapi, sepse shekulli që jetonin ishte shekull i zhvillimit të shpejtë të dijeve.
Të mos harrojmë: Hasan Tahsini ishte njohës i dy civilizimeve. Së këndejmi, duke qenël njohës i dijeve evropiane, ishte njohës edhe i civilizimit oriental. Orientalisti i njohur botëror, Dr. Edward W. Said, thotë: “Retorika dhe gojëtaria në traditën letrare arabe, shkon mbrapa në kohë një mijë vjet, në kohën kur shkrimtarët Abbasidë (e Halifatit Abbasid) Al-Xhahiz dhe Al-Xhurxhani, të cilët shpikën skema tepër komplekse për të kuptuar retorikën, gojëtarinë dhe tropet që ngjajnë në mënyrë të habitshme moderne. Por e gjithë puna e tyre bazohet në arabishten e shkruar klasike, dhe jo në atë të folur popullore...”
Prandaj Tahsini citon edhe dijetarë arabë, edhe dijetarë evropianë. Por gjithnjë theksin ai e vë tëe diejt moderne evropiane. Është e njohur thënia e tij: '’Nëse do të mësosh dije, vrapo në Paris’’.
3.
Që në fjalinë e parë ai shprehet:
“Në një komb (popull, milet) investimi me para me fitimin më të madh është në shkencë dhe dituri dhe në edukimin e popullatës dhe për vendin (atdheun) është pasuria më e madhe.”
Diskursi i tij është diskurs retorik mbi dijen dhe arsimin. Gjithnjë sipas shembullit antik, aristotelian, dhe civilizimeve religjioze që erdhën më vonë; ai ndjek atë traditë që e quante retorikën si mjet të udhëheqjes së njerëzve për edukim, arsimim e formim. Prandaj, koha e sotme e zhvillimit të shpejtë të teknologjisë informative, e i zhvillimit të dijeve të komunikimit, ka shkuar përpara, pikërisht duke zgjedhur ato mjete që përçojnë mesazhe, mendime, ide mësime, këshilla, marrëveshjet e komunikimet ems njerëzve etj.
Hasan Tahsini, prandaj, katedrat universitare i ka konsideruar hapësira ku merren dijet e komunikohen dijet, ku Fjala e Dijes është pronë e të gjithë kombeve e jo vetëm e disa kombeve apo shtresave.
Tashmë Fjala e Dijes nuk është vetëm ajo që shqiptohet me zbukurime retorike antike; po e mbushulluar me kuptimin nag fushat e pafund të dijes. Aq i etur për dije, prandaj, ai nuk ka ngurruar që të thithë sa më shumë nga aq e aq shumë fusha.
Aty ai e ka parë çelësin e ecjes përpara.
Dhe prej këtyre meseve që quhen universitete (tempuj të botës moderne të dijes), ai ka konsideruar që të rrinjtë nga dija do të kalojnë në veprimin konkret të zbatimit të tyre.
Në Fjalimin e tij ai po përcillte një mesazh të rëndësishëm për Perandorinë, për kombet e perandorisë, së këndejmi, edhe për kombin shqiptar (ende i papranuar nga osmanët).
Mesazhin e tij ai po ia përcillte të gjitha shtresave: kombeve dhe elitave sociale, studentëve dhe elitave shtetërore.
Ishte një thirrmë që po buronte nga thellësitë e shpirtit të tij, për t’u ndarë nga epokat e barbarisë dhe për t’i trashëguar më të mirat gjëra nga e kaluara, por gjithsesi për ta zënë hapin më të sigurt me të sotmen e kohës së tij:
“Ej populli ynë! Ky shekulli jonë siç po e shihni është kohë e zhvillimeve dhe përmbysjeve të mëdha! Zgjohuni, t’i praktikojmë nevojat tona sipas kohës dhe duke ia përshtatur mësimdhënien profesionale shekullit të arsimimit dhe të mos mbetemi mbrapa nga rruga që preferohet apo ndiqet nga të gjithë!
Ej, bijtë e atdheut, vatanit!”
Nëse në antikë retorika merrte përsipër ndriçimin e mendjes, ndriçimin publik të mendjes njerëzore; në shek XIX këtë rol po e merrte përsipër iluminizmi i përhapur përmes universiteteve, akademive, librave të botuar dhe publicistikës.
Nuk është e rastit përse shqiptarët zgjohen duke krijuar shoqata apo patriotike, arsimore e kulturore apo duke botuar libra, revista dhe gazeta; i krijonin këto, gjithnjë në hapësirat jashtë perandorake, sepse ende errësira otomane (gjeniocidale), nuk mund të pajtohej që kombet të kenë dritë arsimimi e lirie; dhe, në mungesë të kësaj lirie për arsim, dije e e zhvillim; shqiptarët zgjodhën rrugë të tërthorta e të drejtpërdrejta veprimi për të pushtuar HAPËSIRA TË LIRISË, ashtu sikundër e theksuam në fillim.
Po triumfonte një epokë e re, e pandalshme, drejt dijes dhe përparimit që po e shembte një perandori me strukturat e saj të prapambetjes.
4.
Te ky Fjalim nuk e përdor rastësisht figurën e apostrofës: duke ia drejtuar thirrjet e tij kombeve, njerëzve: Ej populli ynë! Ej, bijtë e atdheut!
Do të na kujtohet, që, Naimi Ynë përdori apostrofën te “Bagëti e Bujqësia, në bashkëveprim me figurën e eksklamacionit, thirrmës gazmore, mahnitëse, tipike romantike. Intonacionet ekspresive të intonacionit retorik (figura e eksklamacionit), ngërthen dhe treguesit formalë të zgjimit; eksklamacioni zgjon ndjenjat, vë theksin te reflektimi, dhe e drejton dëshminë. Që të.tri këto elemente, i ngërthen në stilin e tij retorik edhe Hoxhë Tahsini: thirrma u drejtohet njerëzve të atdheut e rinisë për ta zgjuar për të mësuar e studiuar; theksi përqednroeht te reflektimi: për t’u ndarë nga një epokë e errët e për t’i mësyrë shtigjet e qytetërimit; dhe dëshmia vjen si tregues i qartë: ja ku ka arritur Parisi,a ty ku shkova të studioj unë!
Kësisoj, nuk është thënë më kot se realizimi i pasurisë së të folurit ngërthen dhe pasurinë e përmbajtjes.
A nuk janë vetë librat e shenjtë të mbushura me figurat e tilla të mendimit, sikundër janë apostrofa dhe eksklamacioni?!
Dhe, a ka lutje (në daç edhe: uratë, dovë, etj), që nuk e ngërthen një thirrmë drejtuar Perëndisë, njerëzve, madje edhe botës jo të gjallë, edhe shtazëve e bimëve?!
Dhe, a nuk ka te secila përshëndetje solemne apo në ndonjë ceremonial tjetër (varrimi, përurimi etj), një eksklamacion e apostrofim të tillë?!
Varet se me ç’mjeshtëri e përdor folësi, gojëtari, këtë figurë.
Eksklamacioni i Hasan Tahsinit kishte brenda vetes një botë të pafund enciklopedike që po ua shqiptonte atyre studentëve, profesorëve, elitës social e shtetërore, kombeve të perandorisë, me fjalët jehonë që vinin diku nga thellësitë e universit të dijes: ja, ky universitet është ndryshimi që ju do ta keni dhe prekni, do ta ndjeni dhe aty ju do të kaliteni; është vatra ku ju do të jeni në gjendje të futeni edhe në misteret e universit, në të fshehtat e natyrës, matematikës, fizikës, në të fshehta e mistereve të qenies si është psikologjia... ai po ju ligjëronte se me dije mësohen të fshehtat e mençurisë si është filozofia apo mjeshtërinë e sundimit të shtetit me anë ligjesh, si është jurisprudenca (ër ta shkëputur atë nga epoka e errësirës terroriste të vrasjeve të njerëzve dijetarë që shpalleshin kundërshtarë të perandorisë, apo njerëz përparimtarë që shpalleshin dinsëz; për ta shkëputur nga praktika e gjenocideve, që po shfaroste grupe të caktuara njerëzish e kombesh për shkak të përkaëtdisë kombëtare apo fetare...
Me të folurit e tillë, ai po i shndërronte kombet, njerëzit, të rinjtë, vatanin, në bashkëbisedues e në bashkëpjesëmarrës në një ngjarjeje epokale historike; aza do të jenë përçues të këtij universio të dijes e çlirues të prangave të padijes, sepse vetë Tahsini e kishte thënë: “Arsimi duke u shumëfishuar, dhuna pakësohet.” Analfabetizmi zvogëlohet, krimi bie. Dija ndriçon errësirën. Sa konfrontime të tilla dritëerrësirë, hasim edhe në veprat e Naim Frashërit! E Hasan Tahsini shton: "Është e nevojshme që progresi të bëhet shkallë shkallë”.
Dhe thirrjet e tij përmbanin të folurit e fortë ekspresiv; kjo figurë shënjon, më në fund, qartësinë e të folurit për subjektin (universitetin, dijen) dhe qëndrimin ndaj këtij subjekti (dijet, iluminizmi).
Ndryshe, të folurit e tillë, e shndërrona të në një të folur me pasion, e dëshirë të zjarrtë (për përparim, dije, zhvillim, çlirim shpirtëror etj).
Pas këtyre fjalëve të thëna me solemnitet para mijëra vetëve, ai po fliste i vetëdijshëm se po hapte një periudhë të një epoke të re në fushën e arsimit të lartë për një perandori të tërë: “Të ecim, të ecim në shekullin tonë që është shekulli i arsimit dhe të hyjmë (sa më parë) në Universitet!’’
Në fund të fjalimit gjenden edhe dy distikë poetikë që ndërlidhen me datën e hapjes së Universitetit.
( 30 maj 2017)
*******************************************************
********************************************************
NGA FJALIMI I REKTORIT HOXHA TAHSINI NË HAPJEN E UNIVERSITETIT TË PARË NË STAMBOLL, NË SHKURT TË VITIT 1870
Në një komb (popull, milet) investimi me para me fitimin më të madh është në shkencë dhe dituri dhe në edukimin e popullatës dhe për vendin (atdheun) është pasuria më e madhe.
Ashtu si një gonxhe e freskët në kopshtin e trëndafilave që kur goditet nga ndriçimi i diellit kundërmon erën e këndshme të lëvizjes së bukur, ashtu njësoj dhe pishtari i shkencës dhe i arsimit në shoqërinë e bashkëqytetarëve këtej e tutje (d.m.th. pas hapjes së universitetit L.B), duke ndriçuar zotësitë dhe kapacitetet e mendjes të atdheut tonë, pa pikë dyshimi që do të kundërmojë erë të mirë.
duke u shumëfishuar, dhuna pakësohet.' Këto fjalë të arta të tij, ai i sqaron më përpara e më pas. Me arsimin e njerëzve, bie analfabetizmi, ulen shifrat e krimit etj etj. Errësira e injorancës ndriçohet me dritën e shkencës.
Është e nevojshme që progresi të bëhet shkallë shkallë dhe flet për atë që e quan
 E ardhmja e një kombi është e lidhur ngushtë me edukimin që merr rinia.
Ej populli ynë..! Ky shekulli jonë siç po e shihni është kohë e zhvillimeve dhe përmbysjeve të mëdha! Zgjohuni, t’i praktikojmë nevojat tona sipas kohës dhe duke ia përshtatur mësimdhënien profesionale shekullit të arsimimit dhe të mos mbetemi mbrapa nga rruga që preferohet apo ndiqet nga të gjithë!
Ej, bijtë e atdheut, vatanit!
Botën e lartpërmendur (të zhvilluar) që është dëshirë e të gjithë njerëzve, nënshtetas të denjë të këtij shteti të dashur (ku jetojmë) për të qënë të aftë të banoni dhe që të meritoni shpërblimin (për punën e bërë) si dhe të keni një vënd të deklaruar dhe të nderuar, duhet të dini të sillni prova për të argumentuar të vërtetën:
Ejani të lidhemi me njëri tjetrin, duke biseduar miqësisht të bashkohemi si një familje!
Ejani të bëhemi shtegtarë dhe të ngjitemi me durim (e këmbëngulje) malit shumë të lartë të arsimit dhe të ecim rrugës së drejtë të shkencës. Të ecim, të ecim në shekullin tonë që është shekulli i arsimit dhe të hyjmë (sa më parë) në Universitet!’’
Ejani të bëhemi shtegtarë dhe të ngjitemi me durim (e këmbëngulje) malit shumë të lartë të arsimit dhe të ecim rrugës së drejtë të shkencës. Të ecim, të ecim në shekullin tonë që është shekulli i arsimit dhe të hyjmë (sa më parë) në Universitet!
(DR. LAURANT BICA njofton se Prof.Dr. Hasan Tahsini lexoi dhe të dyja poezitë e krijuara prej tij: e para lidhet me datën e inaugurimit të Universitetit dhe është një distik (dyvargësh)(mban datën e çeljes së universitetit. 21 shkurt 1870, atë ditë që foli Tahsini. Kjo u shkrua e gdhendur në një tabelë të mermertë dhe u var tek porta e hyrjes së Universitetit. Distiku ishte ky):
‘’Të lexohet data e ditës së inaugurimit të mësimit.
U cel me madhështi, Universiteti Darylfynun-i Osmani’’!
(Ndërsa strofa e dytë shprehte entuziazmin e vetë profesor Hasan Tahsinit për çeljen e Universitetit Perandorak, rektor i parë i të cilit ai pati nderin të jetë):
‘’Ej Tahsin, njerëzit e dijes,
Në këtë ditë të shënuar kanë pohuar
Drita e shkencës së Universitetit
Studentët ka për t’i ngazëlluar!’’

0 comments:

Post a Comment