Tuesday, June 20, 2017

Prend BUZHALA: HISTORIA E NJË BESIMI


(Tregim me pak fjalë), 19
Sa herë e shihte fotografinë e Diktatorit, instinktivisht ngrihej në këmbë.
Kur kujtohej se kishte vdekur, në mendje i dilnin përpara, përndjekjet, burgosjet, privimet, libërdjegiet, pushkatimet, vrasjet, eksodet, anatemimet e çka jo tjetër.
I dilnin përpara të dënuarit, të mallkuarit, të ndarët nga familja e shoqëria, të poshtëruarit; i shkonin ndër mend skenat e pushkatimit, prangat, qelitë, të torturuarit, autoburgu, njerëz që s’arritën të dalin nga burgjet, mbasi vdiqën në të të sëmurë, apo që vdiqën nga torturat a plumbi. Para kujtesës marshonin prokurorë, mendjezezë, njerëz-bisha, skuadrat e pushkatimit, policë, hetues, gjykatës e gjyqe, spiunë...Ishte makina e përbindshme shtetërore e krimit.
Uria, etja, mundimet e vuajtjet pafund.
Gjyqet në emër të popullit.
Nën flamuj kombëtarë me yje.
E kishin mësuar të mos besonte më në Perëndinë.
Këtë mosbesim e kishte krijuar vetvetiu: jo pse e kishin bindur drejtpërdrejt të mos besonte; por për shkak se Perëndia kishte lejuar gjithë këto të liga mbi kurrizin e të pafajshmëve.
Kur gjendej në rrugë, aty ku shfaqej fotoja e Diktatorit, ai qëndronte gatitu.
Gatitu qëndronte edhe kur hynte nëpër zyra shteti a institucione.
Instinktivisht, ngrihej a qëndronte gatitu. "Për ta shpëtuar Familjen, të mos i gjente gjë."
Duhej nderuar kjo Perëndi e Verbër, gjakmarrëse, gjakprishëse.
Para Librave të Diktatorit, duhej të kishte "admirim." Si para Librave të Shenjtë; ndryshe, do të përfundoje në pranga ose mund të gjendeshe përpara skuadrave të pushkatimit.
Kur e dëgjoi Lajmin Kryesor, Lajmin Bumbullues, se diktatori kishte vdekur, nuk besoi. "A vdes Perëndia?"
U shpallën Ditët e Zisë.
Për herë të parë i besoi Perëndisë:
"O Zot, ai nuk paska mundë me të frikësue ty! As me të burgosë a me të vra! As me të ble a me të korruptue. As me lidhë me Ty familjarizëm."
Nëse do të kishte ndodhur kjo, atëherë duhej të ndodhnin përsëri dënime, burgosje, pushkatime...
Lajmi qe tronditës për vdekjen. Tronditja kishte adresime të ndryshme nga arsye të ndryshme e të kundërta.
Pas tridhjetë e sa vjetësh, kur e pa një të ri duke e nderuar Foton e Diktatorit, në vend të fjalëve drejtuar të riut, pëshpëriti: "Kot e ke që e nderon Vdekjen.... Ne jemi gjallë."

0 comments:

Post a Comment