Tuesday, April 17, 2018

Prend BUZHALA: DEKOMPOZIMI I REALITETIT


(Kundrime eseistike), 2
Në pikturën abstrakte do të vëresh se si piktori e dekompozon figurën e njeriut: koka fluturon nëpër ajër, hunda përbaltet në tokë, sytë zgurdullohen diku në një errësirë shpelle, duart lëvizin njëra në një cep mali e tjetra duke luajture me valët e lumit, goja mbetet e hapur për t'u ushqyer (dhe në mungesë të syve) ia mësyn një ngordhësire, kurse këmbët njëra ecën për në lindje e tjetra për në perëndim.
1.
Kësisoj ndodh edhe me fjalët: ato, po ashtu, dekompozohen copa-copa, në tinguj të shthurur: s'ka më shqiptim harmonik. Ka një kakofoni kaosi, një fjalë e shkruar në njëmijë trajta të përkeqësuara. Fjalitë kanë humbur kuptimin e tyre, kurse komunikimi pëson fiasko, ato i bëjnë atentat kuptimit të tyre: tradhtia duket si atdhetarizëm, e mira shfaqet si e keqe dhe e keqja si një e domosdoshme, shkencën e zëvendëson injoranca, kurse imoraliteti, e keqja, padrejtësia, e liga, urrejtja, pabesia, sjellja e paskrupullt, neveria, çoroditja etj shfaqen si krejtësisht normale!
Le ta kuptojmë, fillimisht, fjalën DEMAGOGJI që kishte kuptim pozitiv (nga gr. δημαγωγός, edukues i popullit, udhëheqës i një turme, nga gr. δῆμος, njerëzit, popullsia, commons + ἀγωγός edukues, kryesues, udhëheqës). Por më vonë, për shkak se këta edukues e udhëheqës a përfaqësues të popullit e keqpërdorën misionin e tyre, i shfrytëzuan paragjykimet e injorancën e turmave e të njerëzve të zakonshëm për të fituar popullaritet të vetvetes; e përmbysën kuptimin e parë të kësaj fjale, për t’u shndërruar në të kundërtën e saj: fjala shënjon tashmë mashtruesin që jep deklarata të rreme, jep premtime dhe nxit frikën te ky publik, “duke shkaktuar urrejtje, lakmi dhe paranojë.” Edhe sot demagogët arrijnë ta përfitojnë publikun dhe qeverisin me injorancën e tyre. Kurse Fjalori i Përditshëm Politik tashmë e ka krijuar strategjinë e shpëlarjes së trurit, për të mbjellë iluzionet tragjike të një realiteti të shpërfytyruar, të dekompozuar.
2.
Diku në vitin 1978 shkrimtari Ramiz Kelmendi botonte librin e tregimeve “Njerëzit dhe kërmijtë” (tregime që ishin botuar më parë nëpër revista e gazeta, për një dekadë rresht). Që në ato vite pata bërë një shkrim kritiko-letrar, të botuar te gazeta stuzdentore "Bota e re". Ja pak fragmente:
"Ishin paradoksalja, e çuditshmja, komikja e tragjikja që gërshetoheshin për ta ndërtuar kategorinë e të deformuarës në tregimet ‘Kaçamilli’, ‘Njeriu me katër duar’ dhe ‘Veta e mbramë: qeni.’ Shkalla e lartë e deformimit realizohet përmes groteskut, pjesëve atributive dhe shprishjes së konventave krijuese të tregimit. Në tregimin “Kaçamilli” personazhi i Ademit është Kaçamill. Anët e karakterit të ulët të personazhit dalin përmes relacionit e zmadhuar-e zvogëluar-koment autorial.
Mishërim i 'karakterit të kërmillit{ janë: frika, qyqarllëku, heshtja, strukja; këto veti të karakterit ndërrojnë faqe në 'pesë minutat' e motit të lig: tashmë ai bëhet i madh, trim, krenar, i zhaparitur, 'lua'. Ndërsa satira ua bën me dije njerëzve se kjo qenie personifikon mendjemadhësinë, vetëlavdatën, famën e rrejshme, lakminë e pafund, sedrën, prepotencën intelektuale e morale. Bota asociative në tregimin 'Njeriu me katër duar’, është e afërt me rrëfimin mbi mbretin Trajan që i kishte fshehur veshët e tij si të gomarit. Kjo mrekulli e fshehtë del si një tablo zhonglerësh: ja një katërduarsh në botën e dyduarshave! Një katërduarsh që nuk jeton as në Bibël e as në fantazi, po në botën reale, në rrethin tonë. Autori, përmes rrëfimit paralel, zbulon edhe fenomene paralele: herën e parë si çudi të mishngrënësit Polifem në botën e njerëzve me dy sy; herën e dytë si botë fantazmagorike të Argusit me njëqind sy që i përcjell veprimet dhe lëvizjet e njeriut; herën e tretë si botë-enigmë në të cilën mbizotëron atrofia krijuese dhe faqja e zbehtë e shëndetit të njeriut. Herën e fundit, mbas këtij vargmali despotik e anarkik zhgënjimesh, njeriut i mbetet shpresa, e shënjuar këtu nëpërmes idealizmit të Pulëbardhës Xhonatan Livingston, kësaj figure të risemantizuar nga letërsia botërore...
Kategoria estetike-groteske e të deformuarës këtu shndërrohet në një tip estetik të shkatërrimit të jonjerëzores. Në një tip të shkatërrimit të trajtave të despotizmit që kërkojnë t’i shumëzojnë duart si një rrjetë merimange mbi hapësirat e pushtuara të lirisë së njeriut, duar të kujdesit të rrejshëm në pamje të jashtme, po duar që fshehin krimin e bërë, që fshehin një botë cinike, një botë lakenjsh, sqimatarësh e ambiciesh të sëmura. ... Kaleidoskopi i këtyre kodoshëve e i kobashëve pasurohet më shumë po me ato mjete shprehëse edhe në tregimin 'Veta e mbramë: qeni': njëherë duket një fëmijë si qengj; qengji bëhet dhelpër, dhelpra bëhet lua cirku. Fotografia satirike e kaleidoskopit këtu ndalet më shumë; kemi përpara një kuzhinë speciale të një mishngrënësi që ushqehet me tru, zemra, gjuhë, sy; aty është njeriu mishngrënës që shkul tru njerëzish, që çan zemra njerëzish, që pirunos sy njerëzish, që copëton gjuhë njerëzish. Tash, ja urrejtja e njerëzve dhe ja një fëmijë i pavetëdijshëm, i harruar, i hershëm – vdes si qen. ... Nga aspekti strukturor i narracionit, e copëzon rrëfimin. Nuk ka një rend sukseciv të ndodhurash e veprimesh, të cilat ndërrojnë fytyrë aty për aty. ...”
(16 prill 2018)

0 comments:

Post a Comment