Friday, April 27, 2018

POEZI NGA SINAN KËRPAÇI

PORTOFOLI
Unë portofolin e kam në dorë,
por e kërkoj në xhepin e pasmë
që e kam zënë me shishen bosh të rakisë...
Xhep, o xhepi im!
Ah, kamariere e bukur, mos më shih e hutuar,
se unë portofolin e mbaj në duar
si dhuratë për Ju.
Portofoli im brenda nuk ka vetëm para,
ka edhe kartën e identitetit dhe Bibliotekës K.
në xhepin vogëlan që gojë s`ka
kur përballet me Ty.
Të lutem, o e bukur, mos më pyet pse pi!

JONI ËSHTË MAGJE

Është vakur Joni,
ka dalë në zall e po ngrohet mirë,
sa ti, dashuria e madhe, e quan pishinë.
T`i flas kështu nuk më pëlqen
edhe pse këtë e thua ti.
Preferoj të them: Joni është magje,
thith diellin që në agim
atje lart në stane ku lahet një i vogël.
Magje nga dru lisi është Joni im, magje:
më lanë të vogël nëna në stane.
Trimi që ndeshet me ujkun
tund bishtin kokorreth, më lëpin,
ngreh veshët, dy herë bëhet më trim
dhe turfullon:
ah, sikur t`i ngjajë të zotit tim ky i vogël!


PËRGJIGJE PËRKTHYESIT TË RI
Në je i bindur se java ka plot shtatë ditë
shto edhe një nga vetja dhe bëje atë me tetë.
Ditën sipër të shtatave quaje “dita poet”.
Ja vazhdimi i këshillës në luftën për lidership:
kur përkthen një poezi dhe do të gjesh fjalët
zgjidh “ditën poet”, kur ajo të flet shqip.
Dëgjoje audio shumë të përvuajturin e këngës,
munde tundimin, mendo se e dëgjon me të njerkës
kur “i huaji” të rrëfehet, nga brenda të flet,
je ti për ta folur në të nënës atë - “të tij”
sipër të shtatave bashkë, në “dita poet”
në javën që rritet dhe bëhet e plotë me tetë.

DËSHIRË BURRI
Shumë femra të bukura sot bënë sikur nuk më panë
në çastin që ua pashë me cep të syrit pasqyrën:
thua nuk deshën të ma tregonin mua, por vetes fytyrën?!
Qëndrova gjatë mbi gjemba duke i parë nga cepi si i strukur
e megjithë vuajtjen e vetmisë s`ua kurseva fjalën “e bukur”.
E thashë sa e dëgjoi edhe rruga lutjen për tek e puthura.
I ndesha në çastin që s`ishte për mua fatlum,
i ndesha në rrugë nëpër minuta mosmirënjohëset e lumtura
në këmbënguljen si mushkë për t`u dukur të bukura.
Shtohen femrat që nxjerrin pasqyrat e vockëla në rrugë,
shtohet, bëhet alfabet, ngrihet në qiell si e lutur:
bëhu e puthur gjigante, o dëshirë burri, bëhu e puthur!

DHURATE GRUAS PER DITELINDJEN
1. Emrin tek yjet
Unë,
studjues i yjeve sikur të isha
dhe fati pak me mua
në aventurën time
galaktikat vetë i dytë
do t’i bridhja,
pa shkelur me këmbë
nuk do lija
asnjë vend
dhe në ballin e yllit
më të ndritshëm
do të shkruaja:
LINDITA
sa të mbërrija.

2. E bëra fakt
Dje kur desha veten ta gënjeja thashë :
hapa krahët si vigan dhe detin e pushtova!
Nuk ishte si ai i kështjellave,
as si fushatat e Aleksandrit të Madh,
as si të Napoleonit që me pushtime
kërkonin t`i gjenin skajin botës.
Shumë më e lehtë qe për mua -
një shkëputje e lirë, një rënie meteori
në hapësira deti me përmasat e tua.
Për ta bëre këtë,
ndryshe nga Aleksandri dhe Napoleoni
nuk m`u desh të mendohesha shumë gjatë:
prita një vit sa erdhi vera,
shkova te deti, u zhvesha dhe e bëra fakt.
Perandorët ikën, gjithçka u harrua
ndërsa ti mbete Perandori
“të skllavërosh” mua, o Diell-lindje!
3. Sylynjari i buzëve
Ti adoleshente e unë student që gardh më gardh
të ngrija prita në Zululand
pa e njohur fjalën “pas”.
Kur u rrëzove nga gardhi - prita ime
e në tokën që s`e preke desh re
nxorre “PO-në” nga buza dhe në timen e le.
Te burimi që i flasin me mbiemrin tim
unë shplodhjen e madhe dhe tani e dua,
nga këtu të them: si po rrjedh, o krua,
si rrjedh e përplasesh për gurëve, për mua!
Si atëherë kur qetësove detin tim
te sylynjari i buzëve të tua.
4. Kur të bëj dhurata
Nuk është, e dashur se dhuratat i pëlqej shumë,
vetëm se emrin tënd të shkruar lart e mbajnë
dhe, kur t`i bëj unë, ato vijnë me zhurmë.
Ti mendon atë që nuk e thua: o yll, sa je plakur!
Unë kulloj në breg dhe i marr hakën fjalës:
vetëm nga thellësitë e tua më vjen ky i lagur!
Nuk është se dhuratat të mëdha i bëj përherë,
sa kur i mendoj s`kuptohet jam në gjumë apo zgjuar,
vetëm se t`i tregoj në planete të tjerë
siç jam gatuar.

0 comments:

Post a Comment