Tuesday, May 1, 2018

POEZI NGA RAMIZ KUQI


NJË MAJI 2018

(Punëtorit)
Ti mban mbi shpe
Gurin e rëndë të Sizifit
Ligji
Flë nëpër sirtare
Fjalën e kanē lidhur
Në shtatë nyje
Si një litar i pakëputur
Rreth qafës tënde të hollë
Zhurmë në asfalt !

LUM O LUM
Ç'mi ke trazuar
Ëndrrat në fund prill
Ku m'i lë dy zogj nate
Në cilët dallgë
Në cilin gur rrënjë
M'i ke strukur?
U çorra duke klithur!
Ditën
Mes diellit i kërkoj
Natën
Qiellin me yje e zgjoj
Lum lumi
Pse sonte hesht
Para meje udhë
Labirinte të panjohura
E një emër
Lum lumi !

KA KOHË
Që kam harruar aromën e shiut në pranverë
Erën që përplas gjethet e buta nëpēr shelgje
Një fyell ndër male blegërimë qengjash lëndinave
Syrin e liqenit të dallgëzuar nëpër valē
Kur bie nata mbi faqe vargu dridhjet e perdeve
Kur muza vinte e heshtur nëpër udhët me kalldërm
Sa kohë më paska mbajtur në gjumë kjo stinë
Sa herë e paskam kapërcyer ylberin
E ëndrrat më paskan endur nëpër labirinte
Për Ty unë rashë në gjunj e bukura muzë
Ëndërrova të puth një natë natë e s’të putha kurrë
Ndonjëherë mbaje në dorë një copë diell
Herë herë të pashë të veshur me një flamur
Te kufiri i shpirtit mbi letra shkruaje me stilolaps
Një vijë të gjatë në hartën e grisur të shekujve
E asnjëherë nuk më the nga do tē rrjedh
Ky lumë
Ky zog që derdh cicërimë mbi këto degë
Ka kohë
Që rri gjunjëzuar te fjala
Ta gjej udhën e humbur nëpër mote
E shi nuk bie në pranverë!

FALJA
Një ditë e çast poetit
Të lumnohet nëpër vargje
Ka kohë që është gjunjëzuar
Para fjalës
Është nëpër udhë imagjinare
Duke kërkuar dy fjalë e një lirikë
Që t’i njomëzojë dy buzë bregu
Falja!

UNË NUK LAKMOVA
As kolltuk as gjunjëzim
Nëpër këto lakore jete
Veç ndonjë vargu të bukur
Që nuk arrita ta shkruaj kurrë
Nuk i deshta në jetë mediokërit
Leshverdhët të pabesët
As nëpër fjalë
Jam qepur s’e mohoj asnjëherë
Pas ndonjë lule nëpër ëndrra
Ndonjë mallë e pulëbardhë
Jeta nuk më solli sa herë buzëqeshje
Se koha ishte shpesh kokëfortë
Dimër në pranverë
Po të gjunjëzuarit dallkaukët
Që ndërronin qëndrim brenda natës
Si deshta kurrë
Unë nuk lakmova!

VARGJE PËR PRISHTINËN
( Izet Baraliut)
Sa herë vij te ti qytet i ëndrrave të mia
Më merr nëpër stinë një mallë i vjetër
Rrugët me baltë të kuqe
Nga Bregu i diellit
Më duket se shoh në rrugë portretin
E kohës së mplakur nga shirat
Që ranë andej
Fjalëurtin idealist të xhaxhit Enver
Zënkat e vogla për një atdhe pa kufinj
Rrugët e mbushura ne sufler pas perdeve
Sydanjollët që i lexonim nëpër romane
Sot erdha tek ti ëndrra ime e rinisë
E pashë
Sa shumë qenkan rrudhur stinët
Këtë fund prilli me erë
Veç një kujtim m’i rrokullisi germat
Prishtinë
Që iku një vjeshtë të vonë me shi
Nëpër ditar jete ka mbetur një strofë e bukur
E heshtur rri në një varg të pakëputur
As mallë as dhimbje ti muzë për poezi!

NËNËS KRUSHJANE
Ajo shkon çdo mëngjes
Tek varri i burrit të vrarë
Derdh lot
Për djemtë e pagjetur
Mbi supet tua nënë
Rëndon një qiell me shi
Nënës krushjane!

FLË
Ky qytet i gurtë
Mbi ëndrra të heshtura
Një biografi kohe
Shkruar nëpër fjalë
Njerëzit kanë harruar
Buzëgazin nëpër shesh
Flë
Mbi në kokën me thinja
C’ti bëj këtij frymëzimi
Që më troket nëpër fjalë?

ZONJA MERKEL
Ti Zonjë faqebardhë
Fjalë
Atë që thua 
E bën
Ti nuk je
Si këta kalamaj Ballkani
Që s’dinë të ngopën
Mbi supet e këtij populli
Që ia marrin nga sofra
Edhe bukën e gojës
Mbi djersën e tyre
Ngrejnë pallate
Janë
Zotërinj hijerëndë
Që flasin me gishtërinj dore!
SIKUR TË ISHTE
Fjala zog
Do të fluturonte
Degë më degë
Në cdo lis
Do të shpërthente
Me cicërimë pranvere
Në cdo gjeth
Do të portretizonte
Fytyra e ngjyra pikture
Do t’i trazonte
Malet nga gjumi
Pritjet në horizont
Akrepat e lodhura të orëve
Hijet e padukshme
Dosjet që flejnë mbi gjak
Ëndrrat e përkundura
Stilolapsin e poetit
Muzën në mesnatë
Sikur të ishte zogu !

DILEMË
Ai që s’u lidh
Për asnjë fjalë stine
S’mund ta lidh
Asnjë zinxhir qeni
Hallkat e tij
Janë me gjemborë !

FJALËT
Kanë ndonjë germë
Të heshtur
Që vret
Ta kthen edhe buzëqeshjen
Vargun ta mbush me ëndrra
Si tërfojë në livadhin e pakositur
Fjalët
Janë si kojrilat
Që vargëzohen nëpër qiellin me shi!

0 comments:

Post a Comment