Wednesday, May 23, 2018

CIKËL POETIK NGA Kasam ShAQIRVELA


hkëputur nga libri me titull: “ UdhËS SË DIELLIT “ ,
(b a l a d ë)
Lugjeve të verdha të vendit tim shkëmbor
Korrierët i bartin me vete kujtimet e mbetura
Nëpër strajca kohësh përplot me tufane
Arnuar me copëza jete e fije shprese
Nga njëri cep tek tjetri cepi ata i shpijnë
Sinorit të kësaj toke të lashtë, tokës së premtuar
Nga Iliria e Poshtme nëpër Ilirinë e Epërme
Historitë e copëzuara shndrisin si meteorë
Merimangat endin pajën e nusërisë
Arkivave të metropoleve botërore
I presin dhëndurët në Kalë të Bardhë
Tu heqin vellon Shkrimeve Biblike
Zjarri rri ndezur në vatrën e moçme
Ma ruajnë pandërprerë Vestalet e Shenjta
Nuk e lënë të fiket as nga lotët e mallit
Dodona, Kabiret, Samotraka, Eulefsina
Fatthënat t’ngujuara ndër vite, plaka Pitia
Lexojnë fatin e njerëzimit në brenga
Busullat orientuese të anijes së Nojes
Detit të shpresës notojnë drejt poleve
Etja shuhet vetëm ndër Kroje të Arta
Ku vastakë akulli të shpojnë në sy
E Baladat e Drinit vijnë si margaritarë
Dhe Dimri i Madh thyhet nga Prrilli i Kuq
Me kohën nebulozat mjegullojnë kujtesën
Edhe myku e mykllon trurin e fjetur
Edhe pse koka po kallet n’mendime
E pret zemrën që ta zgjojë para Agimit
Dhe shpirti të lirohet nga vesi i vazalit
Sepse, ai vetëm i lirë e bën zemrën të dlirë
Nipat që rriten me të bëmat e Pirros
E pyesin gjyshin për trojet e stërgjyshit
Vallë, ku priten shikimet Pellazgjike?
Atje larg, matanë shtyllave të Herkulit!
Për Mollën e Artë në Kopështin e Hesperideve
Pyetne Atlasin majave të Malit!
Mbesat në prehrin e Gjyshes, Nënë Madhet
Shtëllungën e përrallave e tjerrin hollë
Shpellave të Liqenit Kaspip, atje n’Albani
Argonautët nisen me Argon drejt Kolkidës
Ah, Eros shigjetari ç’i bëri Medeas?!
Ia shpoi zemrën dashuria për Jazonin
Nuk e shëroi dot as Hekata hyjneshë
Sepse nga leshi i Bashkës së Artë
Tirret peri për endjet e Penelopës
E që lidhë gërshetat e Teutës Ilire
Në ditën e Gërshanisë me Dhimitër Farin
Krushqia qe e pafat zhbiroi anijet Liburne
Zemërimi i Hyjnive i fundosi me Atlantidën
Brenda Oqeanit Atlantik në pakthim
Dhe tani, Legjendat bashkë me Mitet
Druajnë për një tjetër Dimër të Madh
Prrillit le t’ia zë vendin Marsi i Hershëm
Ai që e çel pranverën,këtë stinë të bilbilit
Këtij këngëtari të ëndrrave të vrara
Që brenda në kafaz i është shterur zëri
Në pritje të gjatë shekujve në kalim
Dikush për t’ia hapur derën e madhe
Që të fluturojë i lirë ndër ograja
Dhe prapë të këndojë mbi ferrë
Njashtu siç këndonte edhe atëherë
Së bashkë me erën e luleve të para
Fati i buzqeshur të më trokasë n’derë
Dimrin e Madh që po zgjatet si shumë
Papritur e ngecur të ma bëjë pranverë!
T’mundë t’i lavrojë tokat e jetës sime
T’i mbjellë e t’i mushë me farëzime
Arat e Atit tim që m’i la Kadem
Në vjeshtë t’i mbledhë ato prodhime
Mbushur hambarët me i lënë përplot
Që fëmija në djep mos të qajë me lot
Edhe unë breznive këtij ylberi t’pasosur
Tua lë trashëgim Dem Baba Dem
Ashtu si m’i la dhe mua Ati jem!
Këtë zjarr të vjetër ta ruajnë përherë
Mos ta lënë tu fiket as dimër as verë!
Zjarri i asaj ëndrre për bashkim kombëtar
Të mbetet i pashuar për brezat mbarë.
NDODHhEMI NË URË
Unë edhe ty një fat e kemi
Degëve të ndryshme u derdhëm
Rrugëtimi na solli deri këtu
Tek lumi Ballkan, vërshuesi
Tani ndodhemi në mes të urës
Të hollë si qimja e flokut
Të mprehtë si shpata e xhelatit
Cilit breg t’i qasemi nuk e di?
Të rrethuar nga zjarri jemi
Po t’i afrohemi na djeg, na bën hi
Të largohemi mundësinë s’e kemi
Një zgjidhje ka, ta gjejmë na duhet!
Zjarri që përpinë sa më parë të shuhet.
ZBRES E NGjITEM ShKALlVE
Shkallve të zemrës unë do të zbresë
Dhe t’i futem shpirtit thellë,përbrenda
Dashuria zjarrin le të ma ndezë
Atë çka e thot zemra le ta bëjë mendja
Shkallëve të zemrës sërish do tu ngjitem
Valën e shpirtit në vlim për ta parë
Nga forcë e dashurisë n’këmbë do t’ngritem
Nga ai zjarr i dashurisë së parë.

ZEMËRBARDhËT
Sa herë i futem luftës
Që të tjerët e shkaktojnë
Nuk e marr për zemre
S’trembem kurnjëherë
Pasojat për njerëzimin
Ata vetë le ti kujtojnë
Unë veç mundohem
Dimrin ta bëjë verë!
Kur plagosem
Nuk merakosem
Se s‘plandosem
Por çelnikosem!
Edhe kur fyhem
Nuk thyhem
Se nuk shkrihem
E as për toke shtrihem
Më i fortë ngrihem!
Kur pengohem
Që t’ndalohem
Nuk rrëzohem
E as pendohem
Por gëzohem
Se më forcohem!
Me plot moral
Dal vetë në mal
Me zemër t’bardhë
Për t’ardhmen time
Që ka me ardhë
Ajo nuk vonon
Për atë që punon
Po edhe nëse vonon
S’ka çare pa ardhë
Një ditë domosdo
Se Atdheu i do
Të gjallë a hero
Ata njerëz që kanë
Zemër të bardhë
Dhe digjen si qiri
Për brezat e tyre
Që kanë me ardhë
Me Plis të Bardhë.

SUMBLlAT S’DUANË ILIK
E kam lala ni xhamadan
Pesë sumblla sedefi aj mi ka
S’i mbërthej dot si n’mintan
Hapun krahve veç e mba
Gjezdisem lirshëm napër vatan
Shpi më shpi e jaran m’jaran
Tuj pi raki tuj djeg duhan
As pes pare nuk kam me dhan
Edhe kunglli nuk shkon mbi uj
Asht i rand e bije n’fund
S’e mba vendi adetin e huj
Nana veç fmijt e vet i përkund
Ktu tek ne asht tollovit puna
Njerëz me die edhe pa die
Do me brekë e do me guna
Sumbllat s’duen n’ilik me hie
Xhamadanin hapur nëpër furtunë
Trupit brijt kan për me ju thye
Nuk po t’pyet a ke mbarue punë
Po kah fryn era gunën me e kthye
Pra ni trup me brij të thyme
S’asht ni trup ma qi premton
Përveç shtratit në lëngime
Ai veç zhagitet e nuk gracon.

ShPIRT I VUAJTUR
Jam një shpirt i vuajtur shumë
Që shkon e ecë hiç pa pushuar
T’i kapë ngjarjet që rrjedhin lumë
N’det të huaj mos me m’shkuar
Jam një shpirt që ende vuaj
Dhe nuk gjej kund shpëtim
As kur shkoj n’vend të huaj
Dhe as kur jam n’vendin tim
Shpirti im më është lënduar
Vragë të thella m’i kanë qitur
Zaptuesit e huej e kanë munduar
Vezirët e vet e kanë shitur
Edhe pse shpirti më është trazuar
Por sërish i shkretë m’ka mbetur
Në dhe të huaj duke mërguar
Larg vendlindjes duke u tretur
Si lejlek duke shtektuar
Pus më pus e gjol më gjol
Etjen shekujve për t’ua shuar
Etjen e shpirtit të vuajtur boll.
O perëndi,po t’lutem shumë!
Çfarë mallkimi n’shpirt m’ka ra
Vuajtjen time të gjatë lumë
Detit të qetë dua për t’ia pa.

MOS U NIS ME FJALËT E HUAJA
Në këtë kohë të pakohë
Heshtja është për faqe të bardhë
Matë mirë pastaj shkurto!
S’e di kohën si ka për të ardhë?
I bëj vetes njëfar favor
Derdh me kofë e mbidh me dorë
Hec e nxir t’i tash hesapin
Çka për darën, çka për kasapin?!
Ti kur flet me zërin tënd
A e dëgjon zemrën çka po t’thot?
Apo veç rri ulur në një kënd
Dhe përsërit fjalët si idiot
Shihe veten more abdall
Me katër gojë s’ke për të ngrënë
Ke një rol vetëm si papagall
Ata që ta dhanë gjat s’do ta lënë.

0 comments:

Post a Comment