Wednesday, May 23, 2018

TREGIM NGA RAMIZ KUQI


Mëngjes maji. Era fryn gjithandej rrugës dhe derdh letra e pluhur në hapësirën e pafund.
Qielli edhe sot duket se është i mllefosur. E unë jam ulur në hapësirën e një kafiterie të ETC-së në qytetin e ëndrrave të mia. Ballë meje rri i heshtur Lumi, një punëtor i urtë. Në sytë e tij shoh shumë ëndrra. Pas pak i them:- Të hamë mëngjes?
- Kam ngrënë unë. Pak bukë me gjizë dhe caj. Nuk jam mësuar të ha nëpër restorane. Këtu hanë zotërinjtë!
E Lumi është punëtor krahu. Cdo ditë e gjen tek rruga pa adresë. I bën sytë katër kur ndonjë zotëri kërkon punë. I ka mbushur tridhjetë vjet dhe asnjë ditë stazh pune nuk ka regjistruar .Më shikon në sy Lumi.- Po pres të më hapet udha një ditë për Evropë. E di se edhe atje ta nxjerrin qumështin për hunde, por mund të ndajë pas shumë vitesh para. Ta blej një banesë,të martohem e të krijoj familje. Nuk dua që fëmijët e mi të bëjnë jetën time! E ai hap zemrën e flet hapur. Këtu është luftë, por pa armë.Sa herë zbres shkallëve në mëngjes, hedh mbi supe strajcën me vegla pune dhe meditoj: do të kem fat të punoj sot? E shpesa më mban. Se një ditë për mua dhe moshatarët e mi do të ketë punë, punë krahu. E Lumi ka kryer studimet moti.
Era fryn e lehtë e në mesditë dielli ka shtrirë rrezet mbi tokë, male e fusha. E Lumi gërryen me një shpatë të hollë copëza të holla të cimentos të shpërndara gjithandej nëpër kate të një shtëpie në periferi të qytetit.
Fund maji. Pikat e shiut zbrazen mbi xhamat e një veture në parkingun e ETC-së. E Lumi derdh shikimim, larg, në një horizont të ëndrrave të tij!

0 comments:

Post a Comment