Monday, March 20, 2017

Agim Gashi : VETËM PËR TY

(Parapjesë e asaj që do ta rrëfej)

U ngrys qielli e u ngrys moti
Nuk bjen shi, borë as breshër,
Vetëm rrufeja gjun e vret
N´zemrën time qëllon e djeg.

S’kenka gjë kancer hakeri
S’kenka gjë as plumbi n´ballë,
S’kenka gjë me t´kafshue kobra
Kur të len ajo për t´gjallë!

Me ftoftësinë më t´madhe t´jetës
Pa më thënë as lamtumirë,
Por më tha kam jetën time
Du t´jetoj nga tash e lirë.

Deri dje përbehej n´Zot´
Edhe „çmendej“ Ajo për mu,
Dje më tha s´jetoj pa ty
Ndërsa sot më nuk të du!

Në momentin më të vështirë
Që ke mund me pritë dhe pak,
Shumë kollaj ke mund kësaj pune
Me ia vu një kapak!

Përse deshte t´më lëndosh
Përse deshte t´më ofendosh?
Gjeje një m´the që ha bar
M´bëre derr e m´bëre kal´ !

(Rrëfimi)

Ndarje dhe kthim në të kaluarën
Por a kthehemi vallë vërtet?
Të vdekurit kanë vetëm një epërsi
Ndaj të gjallëve, ka thënë Niçe:
Nuk kanë nevojë të vdesin përsëri!

E dashur! Të deshta, të deshta shumë dhe prapë të dua,
Edhe pse ma errësove botën përfije
Në ditët më të vështira
Derisa fjalët për Ty sot janë hije.

Janë boshe, janë ëndërr,
Sepse s’kemi më mundësi
T’presim sëbashku edhe një vit të ri!
Fjalët burojnë si uji nga një pus i vjetër
Duke u kthyer diku në të kaluarën,
Në jetën e hijeshisë e të dashurisë,
Mbeten vetëm kujtimet e së kaluarës
Atëherë si mendonim këto
Se plane tjera kishim.

Të paramendoj të ulur pranë këtu përballë
Duke biseduar e duke lexuar poezi,
Dhe nuk zgjidhnim kohë edhe për t’u puthë
Për t’u dashuruar!
A e mban mend dashuria ime
Kur isha mjalti yt?
E sot? Çka jam për Ty sot,
Kush ta zëvëndëson mjaltin tim?
Jeta ime pa Ty mbeti pa gjallëri.
Për Ty s’di a je gjallëruar
A je përtri!?
Apo edhe Ty të humbi gjallëria
Se kur të humbë dashuria
Të humbë edhe shpresa për jetë!

Kur ma dhe lajmin se më nuk je për mua
M’u duk se m’u këputën damarët e gjakut,
M’u duk se m’i preve me dorën tënde
Që mos të rrjedhë më gjak,
Por as kjo nuk të mjaftoi-më sulmove,
M’u duk se çdo gjë që ndodhi në muajin e luleve
Sikur ishte sajuar vetëm për mua
Ndërsa Ty e dashur ftohtësia të erdhi
Aq rrëmujshëm e aq qetë
Kur trupi im ishte prerë në disa pjesë.
Dhe unë e di
Ai që vazhdimishtë jep
Dikur do të lodhet
Poqëse nuk merr asgjë si shpërblim
Ndërsa unë s’pata asgjë të të ipja ty,
Pos që të futa në botën dhe zemrën time
Në vetëveten time;
Duke t’i këputur krahët
Që mos të fluturosh më askund
Përtej strofullës sime
Doja të fluturonim sëbashku me krahët e mi
Por edhe këta m’u këputën sot!

Ti e dashura ime
Je e mëshirshme, e përjetshme,
Sa pak ke marrrë e sa shumë ke dhënë
Sa ke bërë dhe bën për të tjerët,
Ti që je engjëlli i dashurisë sime
Ti që ke të akumuluar fuqinë magjike,
Besimin e mrekullueshëm për suksese;
I bëre njerëzit më të mëdhenj se sa ishin
I rrite dhe i zmadhove përherë
Jua këthjelle trurin e turbulluar
Pse në fund ma vrave zemrën mua!?

Kurrë s’kam pasë dëshirë
Të mburrem
Si i mençur dhe i urtë....
I urtë isha dikur e tani jam sa ti,
Ndërsa ti je përtri!
Zemra më çahet në dysh
Kur të parafytyroj sa e bukur je e më s’të kam
E ti as që e merr dot me mend
Se dikur isha mjalti yt
E sot? Sot jam i idhëti yt!
Më duket se të kam dashtë një jetë
Se të kam njohur që kur ke lind
Dje të kam dashur shumë e shumë,
Por nesër do të të dua edhe më shumë.

Ti më njeh dhe e din mirë
Se shumë vite isha i shkëputur
Nga jeta normale, nga lumturia,
Dallgët e jetës më çonin kah donin ato
Derisa një ditë të njoha Ty,
Që më solle në një jetë normale
Ma ktheve dashurinë e jetës
Se isha as i gjallë e as i vdekur!

Kur ishe te unë
Të tregoja Ty:
Se unë kam fjetë kohë e pa kohë
S’kam pasë nevojë të humbi gjumin për askend,
Vetmia më hante e gërryente në shpirt
Dhe po të mos ishte lulja ime e Ilirisë
S’do ta kishe fatin të më njohësh
E as të më thuash tani lamtumirë
Kur u përpëlita me jetën
Dhe në luftë me sëmundjen
Por betejen do e fitoj për ideal
Edhepse akoma gjendem në spital!

A të kujtohet kur më erdhe nga larg
Ti krijesa e qiellit dhe e tokës
M’u hodhe në përqafim e më puthe fort,
Ishe e re dhe më e re se të gjitha të rejat
Sa bukur dije se ku duhej të prekësh
Në çastet e lumturisë epshore,
E shpesh më shkonte mendja
Mos vallë po e aktëron të dashuruarën,
Por jo, sepse ti kishe degë
E rrënjë të dashrisë së pastër
Me bukuri e personalitet zemëror
Më magjepse aq shumë- diell
Me dukej se fluturoja në qiell.

Kërkova shumë nga Ti,
Por unë nuk isha ai që i plotësoj kërkesat
Ti mos u tremb nga asgjë,
Gëzohu, vetëm gëzohu,
Se lumturia u përket trimave
Çdo triumf i yti do të jetë gëzim për mua.

II
Sot jam zgjuar i tronditur nga gjumi
Të kam parë në ëndërr Ty, dhe
Dashuria për ty më rridhte nga çdo pore të trupit
Aq pak të pashë ndërsa shkrihesha nga dashuria
I shtrirë edhe në shtratin e sëmundjes
Vetëm Ty të dashuroj.
Sa i lumtur aq edhe fatkeq jam
Mërzitem që s’të kam më
Por gëzohem kur e di që egziston,
Sa plak më duket vetja nganjëherë
Por i ri si njëzetvjeçar
Se kam një dashuri diku në këtë dhe
Besoj se një ditë do të shihemi përsëri.

Të kujtohet e dashur kur ishe te unë
E laje trupin në banjon time
Unë të fërkoja e pastaj të krihja
Flenim në dyshekët e shtruar në tokë
Se shtrat për dy veta s’kam pasë kurrrë
Sa na merrte gjumi e sa zgjoheshim
Bisedonim, putheshim, shkriheshim....
Unë isha vetëm i yti
E ti vetëm e imja, pa vesves
Dashuri që nuk harrohet as kur të vdes.

Duart prekeshin vetëvetiu
Buzët valë të nxehta nga dashuria,
Vetvetiu dilnin fjalët: „Sa të dua shpirt“!
Gjithmonë më thoshe: „Je mjalti im“!
Por unë mendjen e kisha tek dita kur do të ikje Ti
E dija se unë përsëri, përsëri në vetmi.
E ti më thoshe se kurrë më nuk do të rri pa ty
Ta ndjeja frymarrjen në qafën time
Në fytyrë, në gojë e në ballin tim,
Ah sikur kurrë të mos agojë dita
E të jemë kështu një jetë me Ty,
Në dyshekët e mi të shtruar në dysheme
Rrafsh ishte në të gjitha anët
Ti fleje e qetë e unë të vështroja
Edhe fjetjen si mjalti të ëmbël e kishe
Por ikja jote më shqetsonte
E gjumë në sy s’më vinte.

Eh! Sa të dua akoma!
Kur ia kthen shpinën dikujt
Nuk ke se si të marrësh forcë
Ti kthehesh përsëri
Këtë e di unë, e di edhe Ti,
E ti vazhdoje jetën se nuk ankohem në Ty,
Dhe bindu njëherë e përgjithmonë
Akoma i tëri s’kam vdekur
Jam gjysmë i gjallë sa me të dashuruar
Duamë s’do të të them kurrë
Se askush nuk mund të më bindë
Se ti nuk më do akoma më shumë
Më dashuron marrëzisht
me të gjitha të metat që i kam
Njeri të përsosur nuk ka!

Në çdo orë e në çdo sekondë
Të dua shumë e më shumë
Edhe pse më s’të kam, këtë e di
Por ja që ti je qielli im
Ti je hapësira ime e veprimit
Ti je drita e syve të mi
Dhe për hatrin tënd dhe lulës sime
Unë jam e do të jem
Edhe pse s’të shoh, beso se të dua shumë.
Po mos të ishe ti në jetën time
Unë s’do të kisha as sy e as dritë
Dashuria jote rrugën ma ka ndritë
Ajo ndritje që shndërrohet në rreze misterioze
E që më dha forcë të jetoj
Të jetoj e dashur që Ty të dashuroj!

Eh sa gjatë e kemi kërkuar njëri tjetrin
Ti dhe unë si mund ta imagjinojmë
Se më nuk jemi dashnor të vërtetë
A është e mundur vallë kjo?
Unë gënjej veten time
Duke të paramaneduar se të kam pranë,
Se po të prekë,
Ndërsa Ty s’të kam gënjyer kurrë
Edhe tani të vërtetën po ta tregoj
Sa keq që s’të kam më.
Duart më janë lodhur
Gishtat më janë ngrirë
Por zemrën valë dashurie për Ty e kam
Moj lulebora e malsisë
Oj valë e dallgë e Shkëlzenit
Më beso se vetëm për Ty po frymoj.

Ti kënaqu atje ku je
Dhe e di që sot mirë je
Ndërsa unë do jetoj për hatrin tënd
Gjithmonë kam menduar të të bëj të lumtur
Edhe pse s’kam mundur të jem princ mbi kalë të bardhë
Asnjëherë s’kam menduar me të sjelllë fatkeqësi
Përpos, dritë, fat e lumturi
Me dashuri.

Oj e bukura malësore e mbushur dashuri
Kot më shkruan e më sulmon
Se i tillë unë nuk jam
Mirësinë, dashurinë edhe vdekjen
I mbaj afër e për to mendoj
Ndërsa atë të shkretë hakmarrjen
E urrej dhe larg e më larg e largoj
Në dreq të mallkuar e dërgoj
Kush hakmerret s’ka nder e s’ka idol.

III
Ti më ishe si flladi i pranverës
Ti më ishe ndihma e bukës
Ti më ishe sofra ime,
Ma ke shtruar si është më së miri
Sepse je lule që çel tërë një vit
Je diell që më bën dritë,
Hënë e plotë gjithmonë për mua
Oh sa shumë sa shumë të dua,
Të dërgoj perëndia në jetën time
Të më mbushësh me gëzime.

Je brilante e prauar
Ënderr e dashurisë se paharruar
Por ky i paharruari po vdes ngadalë
Me britmën e dashurisë sulem drejt vdekjes!
Deri dje s’pata kohë për dashuri
Se Kosova ime ishte në robëri
Dhe tani erdhi koha e dashura ime
Që sëpaku një orë luftën të mos e mendojmë.

Lamtumirë oj e magjishmja ime
Të falenderoj për gjithëçka
Për zemrën që ma fale
Se dy zemra askush nuk i ka!

Por a mund të harrohet aq shpejt
Koha që kaluam sëbashku
Jo, jo kështu s’mund të jetë
Se nuk është e mundur fare
Që ti dhe koha që e gëzuam
Të më ikni si guralecat e Drinit
Që i bart në vende tjera
Se s’ka asgjë në botë
Të m’i fshijë kujtimet
Se çdo gjë ka mbetë në mua,
Edhe kur më ke ndihmuar,
Edhe kur më ke qortuar
Edhe kur më ke dashuruar,
Ti te unë ishe dhe mbete e madhe
E tillë si ke qenë do jesh ndër mote
Grua bukuroshe e lule me kurorë
E bukur dhe e imja Aurorë!

Të kam lutur, shumë të kam lutur,
Të më bëhesh nusja ime
Të të veshi në velin e nusërisë
Ta bëjmë një dasmë të pastër,
A i ke akoma të gjalla këto kujtime?
Ndoshta do të bëhesh nuse e tjeterkujt
Ndoshta ishe nuse e llastuar
Por pranoje moj pllumbesha ime
Se në mua ishe e dashuruar
Pse u largove, pse më ike?
Oh Zot! Sa mirë që ishim.

Të uroj nga zemra që të plotsohen dëshirat
Që zemra jote të mos vuaj kurrë,
Fluturo si flutur, si engjëllushë…
Kodra e male, fushë më fushë
Ka ardhë koha të shlodhesh nga mundimet
Që jeta t’i përplasi Ty,
Tani jeto e qetë e në lumturi.
Pëllumbat letra e lajme do të të sjellin
Se diçka e çuditshme ndodhi
Me mua e me Ty,
Pëllumbat janë më të fortë se skyfterët
Kanë butësinë dhe mblidhen pranë teje
Ja nga këtu nga po të shkruaj
N´dritare t´spitalit të Bierkesdorfit
Qëndron një pëllumb i bardhë
Ai e din se jam me shpirt të trazuar
Pret ti jap një lajm për Ty
T´gjitha të mirat nga zemra e shqetsuar
Jeta nuk na do neve zemërbutëve
Jetojmë jashtë kohës
Jeta po i do ata që janë plangëprishës.

Sot është e diele qershori
Është një e diele e trishtuar
Edhe moti i vrerët është
Thua se edhe koha po vuan për Ty,
Në television këndon Madona
Një këngë të dhimbshme të dashurisë,
S’e kuptoj mirë por e ndjej
Se dashuria nuk iu kthye kurrë!
Ah e dashur, as ti s’do të më kthehesh kurrë
Por do ta përballoj edhe këtë
Se akoma i them vetes burrë
Ti do shkosh diku, do ecësh
Në jetën tënde me shoqëri tjetër
E pa mundur ti kthehesh njeriut
Që të dashti aq shumë,
E di, e di që s’do të më kthehesh kurrë.

IV
Vetëm unë mund ta përballoj
Me burrëri e forcë njerëzore
Me guxim e forcë si guri,
Kujtimin për Ty që ma turbullon shpirtin
Të hy e të dal nga ajo dhomë gjakftoftë
Në të cilën ti më hyre si hyjneshë
Me një fustan të hollë bilur
Si një engjëllushë e zbritur nga qielli
M’u hodhe në përqafim maratonik
Duke më thënë: Ti je mjalti im!
Ndërsa mua aroma jote më ngjalli
Aromë gruaje që ta mbushë shpirtin lumturi,
Thuase fluturoja horizonteve plot dritë
E sot i kujtoj ato ditë që shkuan në pakthim
Dhe i qetë vetëmevete them:
Moj bletë e mbushur nektar
E gjithë kjo ka ndodhur, vallë!?

Pranë e kam lulen time ulur
Më flet diçka që s’e kuptoj
Më thërret përsëri: babi, babi me ty po flas
Mendjen ku e ke?
Më shikon përmallshëm dhe më përqafon
Duke më thënë: ajo do të kthehet përsëri,
Se fjalët që ti ka thënë i ka mahi
Ajo të don shumë, na don mua edhe ty!
Unë e dëgjoj dhe në shpirt më përvëlon
Kur plagën në barkun tim ma ledhaton.
Por unë e di që bota u kthye mbrapsht,
Munde sëmundjen më thotë
Se të shëndoshë çdo kush të do
Ndërsa i sëmurë je barrrë edhe për të tjerë
Babi shërohu edhe njëherë.

V
Dola të shetis në Rur-Parkun e Dürenit
Dhe mendjen tek ti e kisha
Me aparatin e pastrimit të plagës në krahë
E mbaj si një armë të ftoftë
(Edhe pse armët s’i kam dashtë kurrë),
Duhet ta mbaj një kohë edhe më të gjatë...
Sa lule kishte buzë Rurit
Asnjë Lulëbozhure këtu s’mund ta gjesh
Ato rriten e lulëzojnë vetëm në Kosovë
Ngjyrën e gjakut e kanë...
E unë si ta lejoj veten time
Të vdes nga një sëmundje e turpshme?
Duhet ta mundi ore se s’ka ndryshe
Si e mundi miku im Hafizi
I dha lamtumirën dhe e shporri tutje
Për të jetuar akoma me miq e familje.

E dashur, kur shetitë buzë lumit
Unë i vetmuar si gjithëherë,
Mendja të shkon edhe tek imtësirat
Vetëm e vetem të falenderova mijëra herë
Për parfymin që ma ke dhurua
Sa e ndjej veten në terezi
Kur aroma e parfymit tënd
Ma zëvëndëson aromen e trupit tënd
Edhe të luleve të parkut që erë nuk kanë
Andaj të quaj engjëll që më ke lumturu
Do të më lumturosh përsëri
Neser a pasneser këtë se di!
Dhe Zoti do të të shpërblejë
E unë të dërgoj nga larg
Mijëra falenderime dhe përqafime-pse jo?!

Mendonim të jetonim në Kosovë
Kështu më thoshe ti e unë ta pohoja,
Kosova kurrë më mirë s’ka qenë
Armiku u largua në vendin e tij,
Nuk ka shenja rreziku të madh
Si gjithmonë çdo ditë e re që agon
Po na vjen si dhuratë nga perëndia,
Shqiptari sot çan male, kodra e brigje
Kalimashi bashkoi Shqipërinë
Kjo ishte plotësia e jetës shqiptare
Ringjallet e bashkohet shqiptari,
Pse të mos bashkohemi edhe unë e ti!?

Oh Zoti është kah merret me ne
Por ne nganjëherë e harrojmë Zotin!
Kur Zoti harrohet atëherë edhe Zoti harron robin
Ndërsa unë s’kam harruar se ti je si ngjala,
Ngjalë e rrëshqitshme dhe e bukur
Të përshëndes nga spitali
E lumja ti që je në shtëpi!

Ti moj krijesë qiellore
Më shkruajte ashpër përsëri
Për një fjalë për një mahi,
Qetësohu! Brezat tanë do të pikojnë dritë
Festat do të jenë më të këndëshme
Më tutje vitet kalojnë
E ne nuk do të jemi më
Për vitet e bukura të lumturisë
Brezat do të na e kenë lakmi
Për një dashuri në vitet e bekuara.

VI
A e mban mend e dashur
Natën e fundit kur dashta të shkrihem me Ty,
Por m’u ngrit tensioni e zemra rrahte me shpejtësi
Më hypi edhe zjarrmia
Tërë natën nuk fjeta, të vështrova Ty,
As ti gjumin s’e bëre të qetë
Duke u ngritë shpesh e duke më pyet: A je mirë?
Si të isha mirë dashuria ime
Kur ajo ishte parandjenjë
Se nesër do të të përcjell
E s’do të shihemi më kurrë!?

E magjishmja ime, ngjala ime
Bukuroshja ime, e vetmja dashuri,
Po e përmbylli këtë letër për Ty,
Mendoj se ta kam bërë me dije
Se ky që jam tjetër s’mund të bëhem
Dhe nuk hidhërohem në Ty,
Ruaje kujtimin, ruaje të freskët
Duke ta dërguar edhe zemrën time
Me gjithë mend të them: Të falemnderit!

26.07.07
Dyren

0 comments:

Post a Comment