Monday, March 27, 2017

Prend BUZHALA: KËNAQËSIA HYJNORE E EROSIT NJERËZOR


(Lirikë me çast mazohizmi, për vuajtjet në jetë)

Ç'të ndjek e përndjek një mendim që vendin vend nuk ta lë
e të pyet: thuaje, ç'është jeta? Çka është jeta?
Bataretë e mendimit të rrethojnë e të shtrëngojnë.
I dërgon drejt teje ushtarët e shqetësimit,
Të rrethon me ligje të shkruara e të pashkruara,
T'i vë përpara portretet e presidentëve, diktatorëve dhe banditëve,
T'i shfleton në tryezë projektet për vështirësitë e jetës
për kotësitë e ekzistimit dhe për (anti)të drejtësinë njerëzore...
Koka mbushet e stërmbushet me lajme, me analiza e komente,
bombardohet , me lexime gjithfarësh... me një Babiloni librash.
Ç'të bësh me vitet e me ditët që shkuan e me ato që do të vijnë?
Mirë, të thotë: bëhu rrobaqepës, qepi vitet e ditët,
qepe pëlhurën e çjerrë të kohës, qepi copëzat e shpirtit të grisur.
Ta vizaton në pamjen e fytyrës mirësinë e një fëmije
që nuk ia dëshiron askujt të keqen në këtë botë,
një qenie që ka dëshirë të dashurojë e të dashurohet,
të jetë e lumtur, të jetë e drejtë dhe e ndershme.
Një fëmijë që ende e ruan ankthin e Fjalëve të Trishtuara,
helmin e Fjalëve Thikë, kur shihte përreth kufomat e luftës,
dhe një pikë ujë kur ia dërgonte një plake që gjëmonte...
Dikur zbrazesh i tëri: a thua kush na paska hedhur në këtë botë?
Ne e paskemi kërkuar të vijmë në këtë anë të ekzistencës?
Apo ishte kënaqësia hyjnore e erosit njerëzor?
Ç’është ajo kënaqësi për vuajtjet përndriçuese?
Për të qenë më afër Hyjit, Parajsës dhe Hyjnores?!
Ndërsa Planeti vuan për Shpirtin e Dashurisë.
Dhe jeta mbetet pa përgjigje: ç’është jeta! Pyeteni dashurinë.
( 27 mars 2017)

0 comments:

Post a Comment