Monday, March 6, 2017

Prend BUZHALA: - PËRSE TI NUK JE VRARË NË LUFTË?


(Çaste: poezi e deshifruar sipas një pelegrinazhi 
me ritualin e një turme të shenjtë)
Turma i ka ligjet e veta të pelegrinazhit e të ritualit shoqëror
mbi të cilat e ngre Shkallaren e Çmimit të Republikës
sipas meritave, me Medaljet sipas Masës së Gjakut.
E po qe se ti i shmangesh mënyrës së saj të jetesës
kur prek në shenjtërinë e saj,
duke kërkuar Thelbin e Lirisë,
atëherë kjo Shkallare shpall Republikën e Stigmës,
dhe të shtron pyetje drejtpërdrejt:
Përse nuk je vrarë në luftë?
Ti je fajtori përse nuk je vrarë në luftë.
Përse nuk ke vdekur në burg, kur të kanë torturuar për vdekje?
Prandaj qenke fajtor përse jeton,
përse je i gjallë.
Me ty duhet të vuajnë edhe krejt të tjerët,
Krejt familjet, krejt hallemëdhenjtë e nevojtarët,
këta të mjerë që nuk dinë të rreshtohen në pelegrinazh:
përse familje e tyre qenkan gjallë, përse marrin frymë.
Për ta thuret edhe Ligji Ndërkombëtar i Ndjekjes:
ata nuk kanë të drejtë të lëvizin,
ata janë të përjashtuar nga jeta dhe nga liria.
Harruan: jeta dhe liria kanë kodet e veta:
Njeriu është hi i së kaluarës, përjetësi e së ardhmes.
Është një pelegrin i gjithmonshëm dashurie në lëvizje.

0 comments:

Post a Comment