Friday, March 31, 2017

Prof. Dr. Abdullah Mehmeti: “ ZILET E NJË JETE” TË AUTORIT NEHAT JAHIU


JETËSHKRIMI I NJË MËSUESI , MES ZILEVE TË VOGLA  DHE IDEALEVE TË MËDHA

        Të paktë janë njerëzit që tërë jetën ia kushtuan arsimit, që përveç gjurmëve në veprimtarinë edukative-arsimore ndër breza, të kenë lënë edhe vepra të shkruara për punën e tyre, të bashkudhëtarëve në këtë mision të shenjtë, nxënësve të vet, e sidomos për ecejaket e arsimit në gjuhën amtare, në kohën dhe rrethanat kur kanë punuar e vepruar.
        Nehat Jahiu është njëri ndër ata, që përkrah punës si mësues, pedagog, arsimtar dhe veprimtar, kurrë nuk e lëshoi pendën nga dora. Përveç veprave të shumta letrare dhe publicistike, ka lënë gjurmë të pashlyera edhe në historinë e arsimit shqip të trevës së Karadakut të Kumanovës dhe më gjerë, duke u lënë gjeneratave të reja një histori të shkruar për kohërat e bujshme të arsimit në gjuhën amtare në këto anë, veprimtarët e dalluar dhe problemet e kohës kur punoi si arsimtar, por edhe më vonë, pas shkuarjes në pushimin e merituar nga karriera arsimore.  
        Me punën e tij si edukator i shumë brezave, përmes veprimtarisë së gjerë kulturore dhe letrare, mësuesi i idealeve të mëdha, Nehat Jahiu ka dhënë shembullin më të mirë në rrethin ku jeton dhe punon, duke krijuar modelin si duhet të jetë mësuesi, arsimtari, pedagogu, profesori dhe në përgjithësi intelektuali shqiptar.
        Nevojat e popullatës, mes së cilës jetoi dhe veproi autori i librit për të cilin bëhet fjalë në këtë recension, kanë qenë tepër specifike, të ndjeshme dhe të ngutshme, prandaj edhe detyra e mësuesit të këtyre trevave nuk ka qenë e zakonshme. Prej tij koha ka kërkuar të jetë mësues për gjithçka e kudo, në shkollë, në familje, në rrethin ku jeton e vepron, si dhe në mbarë shoqërinë, e cila kishte nevojë më tepër se për dije, më tepër se për shkollë dhe arsim, për emancipimin e përgjithshëm të saj, si nevojë dhe domosdoshmëri për shërimin e gjithë atyre plagëve shpirtërore dhe morale që u kishte lënë vragë ndër shekuj koha e sundimit nga të huajt.
        Nga temat që autori i trajton në këtë vepër, shihet qartë se gama e interesimeve të tij në jetë dhe punë nuk kanë qenë thjeshtë vetëm ushtrimi i profesionit, por interesimi, preokupimi dhe angazhimi i pandalur për shtrirjen e ndikimit të vet, kudo ku populli dhe shoqëria pati më tepër nevojë.
        Në këtë vepër që mban vulën e një kohe të turbullt për arsimin dhe shkollën shqipe në trevat shqiptare në Maqedoni, e në fshatrat e Kumanovës në veçanti, si në një gjerdan me xhevahire të çmuara radhiten ngjarje dhe personalitete, veprimtari dhe ideale, qëllime dhe dëshira të shumta dhe të shumëllojshme, ashtu siç i ka ndjerë e përjetuar vetë autori i këtij libri.
        Ky libër në pjesën më të madhe të tij mund të trajtohet si autobiografi, por trajtimi i temave të cilat e preokupojnë autorin dhe të cilat i trajton me aq përkushtim dhe profesionalizëm, na japin të drejtën ta trajtojmë si një libër i madh i jetës, jo vetëm të autorit, por edhe të popullit mes të cilit janë zhvilluar këto ngjarje dhe kanë vepruar këta personalitete që përjetësohen nga autori i kësaj vepre.
        Në këtë libër, autori trajton një numër të madh temash, duke filluar nga ato për mjetet themelore të mësimit, lapsin dhe fletoren, problemet didaktike, librat shkollorë, planet dhe programet mësimore, revistat shkollore, literaturën dhe bibliotekat, e deri te kabinetet e munguara për një shkollë moderne dhe projektet serioze për reforma të nevojshme në arsim.
        Disa nga temat e trajtuara në këtë libër, lirisht mund të radhiten ndër perlat e prozës artistike moderne. Jo vetëm pse mund të zgjojnë emocione të veçanta tek lexuesit, por harmonia e krijuar mes formës dhe përmbajtjes së temave në këtë vepër nganjëherë të lënë pa frymë, sidomos në pjesët ku përshkruhen peripecitë e një vajze të re shqiptare, e cila lufton me dallgët e egra të jetës, me fanatizmin dhe injorancën, vetëm për ta fituar lirinë e saj, dritën e jetës, të drejtën e shkollimit dhe emancipimit.
        Kujtimet e autorit për veteranët e dalluar të arsimit, për nxënësit e tij të dashur, për zgjimin e dashurisë për librin, burimin më të madh të dijes dhe përparimit, po ashtu janë pjesë të cilat i japin këtij libri një peshë të veçantë, atë që mund ta ketë vetëm vepra e një autori i cili ka bashkëjetuar me librat, është edukuar dhe ka edukuar dhjetëra gjenerata me këto ideale.
        Kjo vepër, sa mund të jetë historike-pedagogjike, po aq është edhe letrare-artistike, ku temat e motivet e gërshetuara në një harmoni të natyrshme, veprës i japin një kuptim dhe dimension të veçantë.

Tetovë, 9 janar 2017. 

0 comments:

Post a Comment