Saturday, April 1, 2017

Prend BUZHALA: LAKMIA PËR PASURI DHE MBRETI MIDA


(Çaste eseistike: IMAGINARIUM) 2
A ka njeri që nuk shfaq ndonjë dëshirë në jetë? Në këtë gjë, të gjithë njerëzit në rruzullin tokësor janë të njëjtë.
1.
Sa e sa spiritistë, këshilltarë të Mendimit Pozitiv, madje dhe intelektualë, teologë, psikologë a filozofë, kanë shtruar vërejtjen që buron nga thellësitë e brendshme të ndërdijes së njeriut: ruaju, çka dëshiron; hapi sytë kur shpreh ndonjë dëshirë! Bie fjala, njeriu i sotëm, si ai i dikurshmi në mitet antike, dëshiron që të ketë para pafundësisht. Mundësisht, krejt botën! Pothuajse, sot paraja merr rolin e Perëndisë. Po i përflasim, nga një shkrim i përparshëm, disa nga refleksionet e tilla.
Të gjithë njerëzit kanë nevojë të kenë para për ta siguruar ekzistencën. Në këso rastesh, a ndodh që paraja ta pushtojë Njeriun në kërkesat egoiste njerëzore? A thua, secili njeri që ka shumë para, a është i lumtur? Dhe a ua ka siguruar lumturinë grumbullimi i sa më shumë parave?!
2.
Shkrimtarët nganjëherë i janë kthyer Mitit të mbretit MIDA, mbreti i Frigjisë antike. Dora e Mbretit Mida, kur prekte një gjë (qoftë dhe njeriun), e shndërronte në ar. Dionisi mitologjik, perëndi e ekstazës, i kënaqësive dhe e verës, e shpërblen Mida-n, meqë ky e kishte mbajtur e strehuar satirin Silenus që kishte bredhur e humbur (qejfli e mbikëqyrës i verës së Dinoisit). Si shpërblim, Dionisi e thërret mbretin, e pret në gosti dhe e pyet, se cila ishte dëshira e tij, meqë mund t'ia plotësojë secilën që ai e kërkon. Mida i thotë se ka dëshirë që gjithçka që ta prekte, ta shndërronte në AR. Kishte pasur mjaft pasuri, por lakmia e pangopur për të pasur pafundësisht, e shtyn në këtë kërkesë mrekullibërëse. I plotësohet dëshira dhe, për ta sprovuar, aty për aty mbreti Mida prek një gur dhe një degë lisi e aty për aty ato shndërrohen në ar. Gëzimi i tij ishte i pafund, për pushtetin e ri që kishte në duar! Kishte në dorë fuqinë e transformimit të çdo gjëje në ar. I gjithëpushtetshëm në pasuri! Ëndrra e tij e madhe realizohet. Kthehet në shtëpi i gëzuar, urdhëron shërbëtorët të shtrojnë gosti me pije e ushqime të pasura. Madje, edhe kur prekte pijet dhe ushqimet, ato praroheshin, i shndërroheshin në ar.
3
Edhe kur e preku të bijën, ajo u shndërrua në ar. Tashmë zemra zë e i thyhet rëndë!
E sheh se kjo dhunti e kishte edhe anën e saj të kobshme, fatkeqësinë.
I lut tash perënditë që t'ia marrin këtë dhunti të shndërrimit të çdo gjëje në ar. Lutet dhe vuan urie, sepse ushqimet mungojnë, mbasi ato ngurtësohen në ar. Ari nuk hahej. I mungon edhe dashuria e vajzës, e cila është ngurtësuar e shndërruar në metal ari...
E urren dhuntinë e vet e dhuratat aq të lakmuara për pasurim me anë të arit.
E fjala e urtë thotë: "Kujdes se çka kërkon", "Kujdes në kërkesat tua!"
Mbretin Mida perënditë e lirojnë nga kjo e keqe e dhuntisë së prarimit me ar.
Eh, ai që vetëm grumbullon e grumbullon, verbohet e nuk e sheh se ajo pasuri e grumbulluar NUK HAHET. Dhe gllabëruesi lakmitar vazhdon.
Realizimi i dëshirave ekstremisht të pa fundme, si e Mbretit Mida, e shndërron njeriun në lakmues që nuk di të ndalet, e bën njeri gllabërues që asnjëherë nuk është kënaqur vetëm me ato që ka grumbulluar. I etshëm për profit të ri, të shtuar, i etshëm për fitime të reja.
( rishkrime, 1 prill 2017)

0 comments:

Post a Comment