Saturday, August 13, 2016

Astrit Balliu - Cikël poetik

POR TI FLI NËNË...!
Vonë paska vajtur nënë
koha këmbët tërheq zvarrë
Thashë ta shtyj,por s'qenka thënë 
kjo qenka më e rënda barrë!
Vonë nënë,thua të kesh fjetur?
A dhe ti kështu si unë,
rri ashtu mes ëndrrash tretur
e vetëm lutesh të kthehem unë.
Atë foto ç'e mban në duar,
ç'ke që e lan ashtu me lotë?
Jam pak larg,por s'të kam harruar,
mjaft se s'jam në tjetrën botë... .
Fli pra nënë , mjaft e uruar!
Si ti prind jam bërë dhe unë.
Pa gjumë dikur,dhe tani zgjuar!?
Tërë jetën brengë të mbeta unë?
Kështu vijnë gjërat pra në jetë,
duam s'duam ne,larg që të jemi.
Por ti fli nënë,fli pra e qetë,
me zemër dhe mendje ne bashkë jemi.
                
                  ***
Nuk është njeri ai
që ka dy sy veshë, e duar.
Apo një trup të bukur,e të veshur mirë
Njeri mbetet ai
që të mban fort përqafuar ,
kur je shumë i mërzitur
dhe të bën të ndihesh mirë...!

         ***
Gur i çmuar diamanti
po pra,gur i shtrenjtë shumë!
Ndonjëherë "kushton"më shtrenjtë
guri.. që hedh pas,them unë...

VËRTET DHEMB POR DUHET THËNË.
Në fillim të vjen dhe keq
trastën nga supi s'e heq.
N'fakt duhet ta kesh zili
syri i tij sheh në thellësi.
Ashtu nis,me tavolinë
shet ca shkrepëse e cigare
Dalëngadalë nxjerr n'pah dhuntinë
bëhet bos...një ditë s'të flet fare!
Ashtu nis dhe korr suksese
-i lumtë! Themi,është përpjekur.
Por të ngjitet do më lart,
dhe vendos ,shkel mbi të vdekur.
Bën para e pasuri
padyshim dhe shoqeri.
Se një fjalë s'e kam thënë unë
burrë i mirë me shokë shumë.
E kështu ëndrrat veç shtohen
por dhe etja për karrierrë
S'vonon shumë dhe politika
vjen e i troket në derë.
E këtu flet gjithçka vetë
vendos bëhet deputet
Siç e dini dhe ju vetë
leku kthen ujin përpjetë.
Dhe një ditë dhe ky si tjerët
nga derrkucët më derrkuc!
Bëhet tok, dhe pse jo herët
e vazhdon me hundë nē llucë.
Gjoja në shërbim të popullit
por në fakt s'ia ka idenë.
Për çfarë flitet, a çfarë bëhet
as për të vjetrën, as për të renë.
Për gjëra tjera e vret mendjen
mbrapsht të marrë,sa harxhoi.
Ca të vjetërve ua ka ëndjen
e pas tyre nisi e shkoi....
Nuk them ka dhe ca me shkollë
që t'mos e kishin më mirë!
Hiqen gjoja mendjehollë,
por...vrima në ujë,dhe s'i bëjnë mirë.
Në fakt këta ta heqin trurin
pranoj , janë goxha finokë!
Dorën fshehin,pa hedhur gurin
këta punojnë me mend në kokë.
Bëhen NJË të dyja palët
të shkolluar e të pashkollë.
Ashtu lëmsh...i ngatërrojnë shalët
dhe bëhen e atdheut njollë.
Kurse ne,akoma presim
nga këta njerëz-shushunja.
Që ndoshta dhe e mbyllin thesin
po u rrafshuan Korabi e Runja.
Vërtet dhemb, por duhet thënë
një e madhe e vërtetë.
Që në grackë ndihemi të zënë
breshkës shalën,ia vumë vetë...
Dhe tani,rrimë edhe shajmë
ata,që vjedhin e gënjejnë
Vetëm qahemi e qajmë
zgjidhje as që duam të gjejmë.
Se ata,as treqind s'janë
kurse ne,mbi tre milionë
Dhe që të qajnë,aq sa ne qamë
duhet ti mbysim me pështymën tonë.
Që të mos rri shto miell ,shto ujë
s'është se dua t'ju them ç'duhet bërë.
Por ne bashkë,po bëmë shumë bujë
i bëjmë të flasin me vete të tërë.

TË NDODH DHE TY...!
Ty të ndodh të mbetesh vetëm,
dhe të pyesësh veten-vallë?!
-Sa herë foli,tha t'vërtetën,
thua për mua ndjen kaq mallë?!
Padyshim një zë kumboi,
dhe ti ngele e befasuar!
-Ikja jote më shkatërroi,
jam mes ëndrrash ngatërruar
Ty të ndodh, madje shpeshherë,
të përmendësh emrin tim.
Kurse mua ,as dhe një herë,
të mos jesh ti idhulli im.
Ty të ndodh, ç'më ndodh dhe mua,
të bësh të tjerë kot për të qeshur.
Për dashurinë ato që thua
të vërteta, lakuriq-zhveshur!

TANI E DI Ç'DO TË THOTË LUMTURI !
Vite më parë, fëmijë akoma
mbaj mend më pyesje-babin sa e do?
Unë hapja drejt qiellit ato duart e njoma
-ja,gjer lart në qiell,të mjafton kjo?
Me duart plot kallo,hop më rrëmbeje
më ngrije lart gjithë vrull,drejt qiellit
Lumturinë time sa shumë e ndjeje
dhe sytë të shkëlqenin si rrezja e diellit.
Nuk qe e thënë t'më shohësh burrë
të të tregoj,ç'mu desh dhe mua?!
Ike në qiell,s'u ktheve kurrë.
Vallë të janë zgjidhur mëdyshjet e tua?
Kaluan vite,por s'kam harruar
dashurinë time "gjer lart në qiell".
Të paktën ta dija,e ke takuar,
të shkëlqejnë sytë akoma si diell?
Si puna e rrethit qenka kjo jetë,
kujtoj mjaft gjëra,plot nostalgji.
Tashmë baba jam berë dhe vetë
dhe mirë e di ç'do të thotë lumturi .

0 comments:

Post a Comment