Thursday, August 11, 2016

Vullnet Mato - Jehonat e Një Zëri Dibran



Libri me poezi i poetit Kujtim Stojku, ka të shkrirë mes vargjeve, tingujt e jehonave që përcjellin Nëntë malet e Dibrës, shushurimat e pashtershme te Drinit dhe simfonitë e ëmbla të bilbilave të fushë- Gjoricës. Më ka mbetur në kujtesë të pashlyeshme kjo poezi me tingëllim tejet të ngrohtë, alla aseninian:
“Ma mbush e dashur një gotë verë,
Një gotë verë, ti sot ma mbush,
Lëngun e kuq ta kthej menjëherë,
Të mbys hidhërimin duke të puthur në gush.( Poezia: “Më mbush një gotë verë e dashur”)
Poeti Stojku, i lexuar shpesh ne internet, së fundi krijimet e tij të shumta i përmblodhi në 140 faqe të një libri, ku fjala e vargut peshon mjaft. I formuar me intelekt të përfituar në disa arsimime të larta, ky poet jo vetëm këndon ëmbël, por edhe filozofon me meditacion të spikatur.
“Një ditë vendosa ia hapa kafazin
Dhe zoga e burgosur fluturoi si shigjetë,
Por u përplas keqas në xhamat e dritares,
Dhe u ngrit me mundim të arrinte retë.

Ashtu e plagosur, dhe e lyer me gjak
Fluturoi pak minuta në hapësirë kaltërsie...
Pastaj u kthye dhe ra te këmbët mia,
Vdiq pasi ngopi shpirtin me ajër lirie...” (Poezia “Gardalina e kafazit)
Si tek të gjithë poetët e tjerë, dashuria zë vend kryesor në këtë libër dhe shpesh të krijon emocione drithmore.
“...kur shoh atë shtatin e saj të plotë,
Që i përdridhet tamam si ngjalë,
Dhe kur i zbërthej të bardhin gjoks,
Bëhem sikur më hedhin ujë të valë...”(Poezia “Vasha ime si perri”
Fati i Kosovës martire ka zënë vend në disa poezi te këtij autori, ku ndjehet jo vetëm dhimbja për të rënët, por edhe ngazëllimi i natyrshëm për daljen e saj në liri.
“Ku po shkojmë babi, më tha im bir një ditë,
Do të shohim, i thashë, më të bukurën ekspozitë,
Ekspozitë Kosove, ku gjaku është kthyer në dritë,
Në Dardaninë e lashtë, bekuar prej perëndisë.” (Poezia “Ekspozita e gjakut”)
E veçantë në llojin e saj dhe tejet emocionuese është edhe poezia për Ibrahim Rugovën:
“Para arkivolit tënd radhitemi të brengosur,
Dhe padashur një ankth i madh gojën na mbyll,
Se toka Arbërore ishte për ty një ankth i pasosur,
Ndaj sot ke mbetur në gjoksin e saj, i shuar si një yll...”
Gjetjet artistike u japin disa poezive jo vetëm nivel të lakmueshëm artistik por edhe forcë shprehëse”
“Kur bridhja lumenjve e pyjeve të katundit,
Apo gurrave ku buronte uji si brisk,
Kujdes, më thoshte gjyshja mos të zë gjumi,
Se vjen Najada të rrëmben edhe ik.
.............................................................................
Kur u rrita me deshi një vajzë si najadë
Dhe u magjepsa pas bukurisë së saj engjëllore.
Me zuri magjia e saj, kokë e këmbë në çast
Sikur të ishte bija e asaj najadës fëminore.
Gjyshja më tha: Këtë najadë mbaje për dore!” ( Poezia Najada
e fëmijërisë”)
Ka shumë vlerësime që mund të thuhen për këtë libër të parë të poetit Kujtim Stojku, të mirëpritur nga lexuesit, por mendoj se edhe me këto pak fjalë, kushdo krijon bindjen për të shfletuar deri në fund librin e tij.

Vullnet Mato- shkrimtar, redaktor i librit.

0 comments:

Post a Comment