D
ëshira për t’u marrë me poezi është e hershme, aq sa ç’është i hershëm dhe njeriu, madje dhe ikja e tij në kërkim të vendeve të tjera, mbase në fund të fundit është kërkimi i poezisë së vetvetes, i thelbit, zbulim i së bukurës. Nëse përsëritet shpesh thënia e Dostojevkit se e bukura do ta shpëtojë botën, mua më pëlqen të shtoj se poezia është ajo që na shpëton ne nga kotësia dhe zvetënimi i gjërave dhe na jep emocionin e duhur, aftësinë për t’u mrekulluar.
Këto po sillja nëpër mend, kur më thanë se revista Albanezul (Shqiptari) në Bukuresht, ka marrë nismën të botojnë disa antologji të poezisë shqipe në trojet tona etnike dhe në mërgim, dhe jo vetëm aq, po çdo autor mund të marrë me vete në antologji dhe një tjetër autor nga vendi ku ka bujtur. Ide interesante kjo, po thosha dhe kur më kërkuan që parathënien të mund ta shkruaja unë, m’u përzien befas në kokë fjalët Antologji, Grua, Shqiptar, Ballkan, Itali, Xhejm Xhojsi në Trieste, që mblidhte fjalë shqip, Diasporë, Eminesku, Naim Frashëri që botonte në Bukuresht, Ecje, Bashkë, shoqatat e shkrimtarëve shqiptarë në Greqi, SHBA, etj., libri në makinë, pas xhamit dhe gati thashë me zë se Njeriu, kur udhëton, e ka më të lehtë të këndojë.
Shqiptarët janë në një udhëtim të madh. Të paduruar tani që Evropa të vijë sa më parë tek ata, një pjesë kanë ikur ta gjejnë ata sa më parë Evropën. Nuk është fjala thjesht për kontinentin e vjetër, se trualli i shqiptarëve në Evropë është i patjetërsueshëm aty, por nënkuptohet dhe metafora e Evropës së qytetërimit dhe mirëqenies, e vlerave dhe e virtyteve, e thënë hapur, e Poezisë. Që kapton dhe në kontinentet e tjera, në Amerikë, po dhe në Azi e Afrikë, edhe në Australi, kudo ku kanë mbërritur shqiptarët. Dhe, siç thamë, udhëtimin e tyre edhe ata e shoqërojnë me këngë.
Bij të gadishullit më poetik, me fqinjë grekërit, prej të cilëve kanë marrë shumë, ku besoj, se s’kanë dhënë më pak, me sllavët e Jugut, që ndajnë dhe me ta mite dhe legjenda të përbashkëta, me rumunët, që i lidh një bashkëpunim brilant rilindë, shqiptarët, tashmë në dy shtete, në Shqipërinë e lashtë dhe në Kosovë, në Republikën më të re në botë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, me një diasporë më të madhe se veten, duke pasur përballë dhe Italinë, porta e Evropës për ta, duan të jenë dhe janë copëz e kulturës së përbashkët të njerëzimit, ku më e rëndësishme se multikulturalizmi është bërë interkultura, të përfshirë dhe ata në këtë lëvizje, ku duan të shpalosin veten, duan të marrin botë, por edhe të japin. Dëshmi është qoftë dhe një antologji e tyrja.
Vërtet, ç’është një antologji, çdo të thotë? Si fjalë, dihet, rrjedh nga greqishtja, ànthos - lule dhe légein – mbledh ose zgjedh. Që latinët përdornin dhe kompozitën florilegium – tufë lulesh, sinonim i së cilës është dhe fjala miscellus, që ka dhe kuptimin e ushqimeve të përziera. Poezia kështu që herët po barazohej me ushqimin. Ndërkaq më pëlqen të shtoj se latinët, sipas ndonjë botimi etimologjik, ashtu siç i thoshin sabaia birrës ilirike, i thoshin dhe përmbledhjes së poezive. Edhe paraardhësit tanë, pra, Ilirët, me gjuhën dhe zejet e tyre, kanë ndikuar tek të tjerët, janë përzier dhe kanë bashkëpunuar me popuj. Po, po, edhe në fushën e poezisë si në atë të luftës.
Një antologji tekefundit u rrekërka qysh në gjenezëqë të bashkojë sa më shumë, nëse është e mundur: tufën e luleve dhe të emrave, aromën - edhe të fjalëve, tryezën me ushqime të shijshme, por dhe me metafora, dehjen me pije dhe me ndjenja, si në një të kremte të përbashkët thërret të tjerë në heshtje, lexues edhe përtej kufijve, bën miq, etj., etj. Gjatë një bisede në Torino me poetin rumun Marin Soresku (që e botova dhe si parathënie të antologjisë së poezive të tij në gjuhën shqipe), ndër të tjera e pyeta se cila do të ishte porosia e tij për popujt e Ballkanit, të gërryer nga konfliktet dhe luftërat? - Të lexojnë poezi, - më ndërpreu ai.
Antologjitë e njëri-tjetrit e kryejnë më së miri këtë mision. Ato janë përmbledhjet poetike të popujve. Prandaj kriteret për të hartuar një antologji janë nga më të ndryshmet, nga më befasueset, kritere kohe dhe hapësire, kontinetale dhe epokash, etnish dhe gjuhësh, drejtimesh letare, etj., etj. Ka antologji dhe të kritereve tematike, vetëm me poezi dashurie ose me poezi për punën, për të rënët, krishtlindjet, me poezi për ujërat, për gurët, kuajt, vuajtjen, etj., etj. Ka të tjera me poezi vetëm të grave, të shkollarëve, ashtu siç po botohen në vendin tim antologji me shkrime të të burgosurve, që besoj janë dukuri dhe e vendeve të tjera që kanë dalë nga diktaturat. Sepse poezia mbi të gjitha është liri, mrekulli e saj... Është si një trokitje e beftë në derë, ku pritet esklamacioni i thjeshtë dhe i gëzueshëm: - O, mirë se erdhe! - Kush je? - Një si ti! - Nga vjen? - Nga vendi i poezisë...
0 comments:
Post a Comment