Saturday, August 13, 2016

Ramiz Kuqi -Cikël -poetik

VETËM TI NUK MË TRADHTOVE

E urta mikja ime e stinëve fjalë shtruar
Edhe kur nuk të grisha erdhe si nuse
Veshur me kostum dashurie në poezi
Të tjerët mbetën udhëve duke lakuar
Më hyre në shtrat nga gjumi më zgjove
Të ecnin bashkë kujtimeve me mall
Gjunjaz lartësive të qiellit brodhëm
Pas një ylli buzë liqenit ëndërr syzjarr
Erërat i hetoje pa u derdh loti nëpër sy
Lajka nuk i bëre poetit kur qielli u bë gri
Lule në behar mbi vargje poeti trazuAR
Buzëkuqija e pranverave e hollë si selvi
Sa herë rashë në buzë ti erdhe si fëmijë
Më rroke përdore shpirtbardha pulëbardhë
Deteve më ende natën kur lehni qentë
Të hapnin shtigje dalldisur dallgëve valë
Sa herë të putha në faqe buzëëmbla fjalëurtë
Në dhomën e poezisë letra stilolapsa një gotë verë
Dimrave pranë oxhakut strukur rrinin në kullë
Të shkrihej bora lulekuqe të mbushej mali në pranverë
VETËM TI NUK MË TRADHTOVE...

PA TITULL
Jashtë regëtinë shi i ftohtë. Për brenda ka zjarr të heshtur. Zhurmë matanë xhamave të çelqit. Strehët pikojnë tik-tak, si orë e prishur. Erë matanë maleve, shkurrave. S’di a ka deti dallgë sonte.Mijëra ëndrra fluturojnë qiellit gri. Vargjet tundën nga germat e mbledhura nëpër dosje. Të shpikura, të pathëna janë këto fjalë?
Paqa ka ikur moti nga kjo luginë e dhimbjeve.Në heshtje toka, dielli. Atdheu është lodhur nga këto bubullima. Zhbirojnë fletët e dosjeve, lagur janë nga ky shi këto udhë pa adresë.Mallkim Perëndie? Mallkim i vetvetes?
Lulet e majit po dergjën në shtrat si Gjerg Elez Alia. Patkonjtë e Kalit janë ndryshkur. Mbathtarët i kanë mbyllur hanet. Njerëzit e përgjumit flejnë mbi shkronjat e stinëve të ikura.
Jashtë regëtijnë pikat e shiut. Dritarja e shpirtit rri e kyçur.
Erërat fryjnë larg. Ju nuk I dëgjoni këto oshëtima? Vijnë nga kuajt e harlisur. Mbi vithe trokëllimë e lehtë. Nga barku i Kalit me shumë dhembë ?!
Jashtë regëtijnë fluska shiu…

PRILLIT

Mos ia vjedh diellin stinës
As gernat e mallit në këngë
Gjethet e malit do bëjnë grevë
Zogjtë lejlekët udhëtarë nëpër stinë
Vetmisë do t'i shtohen rrudhat në ballë
Netët do struken në mesnatë pa rimë
Prill i thyer sërish nëpër udhë
Mbi kalldërm zëra të (ç') akorduar?!
Mos ia vidhni diellin stinës!

M'I MORE
Të gjitha ëndrrat e stinëve
Tash ndjehem si gjeth i gjelbëruar
Ç'na qenka kjo jetë ç'na qenka
As hi as zjarr i ( pa)shuar
M'i more
Më grimcove nëpër fjalë
Dhembje moj s'paska peshore
Që (s') e mat këtë mallë.

DHJETË VJET PA TY

( Babait)
Kërkoj një Fjalë të madhe prej poeti
Por për çudi si më janë ngrirë vargjet 
Si krushqit nëpër udhët me borë
Tek çajnë udhët me gjoks
Dhjetë vjet stinët ikën në përulje
Janar i ftohtë mbi strehë shtëpish
Copëra akulli si pikturë
Tej Lisit në Kodër qielli u përflak
Heshtja kishte rënë mbi male
Si një zë fyelli pa melodi
Mbi dhembje vjen sot malli
Mall Janari seç vjen
Siç djeg zjarri
Mbi këto shkronja koha tjerr vetminë!

MOS KËRKO

Lumni pas përendimit të diellit
Muzgu shndërrohet në shurdhëri
Rrezet i mbërthen në grusht nata
Ëndrrat s' bëhen zjarr nga ky hi
Pranë lumit grish zogj e manushaqe
Aromë lulesh të çela në pranverë
Ditët zgjaten loti të pikon mbi sy
Në prag të kullës s'të lëkund asnjë erë
Mos kërko!

TI KALË TROJAN

Si nuk u plake kurrë
Zdirgjesh çdo orë mureve të ftohta
Kur nata bie në gjumë të thellë
Si arkeolog gërryen nëntokës
Veneron qiellin kur bie shi
Mbi kokë bart pelerinë të murrme
Kalëron heshtur e tinëzar
Ti Kalë Trojan..kalë i rrallë
Mbi jelën tënde bart erë e zjarr
Si nuk u plake kurrë
Ti kalë me brirë e djall.


BAC Adem

Ti nuk ke kohë të ikësh një herë
Shumë udhë kanë mbetur pa adresë
Burgjet po shumëzohen nëpër Atdhe
Gjarpinjtë e gjakut si nepërka rrinë
Gjuhën e helmit e kanë në majë të fjalës
Lumi Ibër sikur qanë në vetmi
Shqiptarët dëbohen nga Veriu për Jug
Jugu hesht Bac
Ti nuk ke kohë të ikësh një herë
Pa i parë zogjtë lirë nëpër këtë qiell
Ti nuk ke kohë....

MOTIV MIGJENIAN

Si kokrrat e misrit në thasë të hirtë
Endemi nëpër shkallët e Enteve sociale
Me nga një najllon letrash në dorë
Shpalosim biografitë nëpër vargje stinësh
Dimrave të acartë
Si nëpër rreshtat e Legjendës së Migjenit
Në Abaetaren e Shkronjave, mësues të popullit
I kujtojmë duart e mërdhira të Lulit
Nëpër bodrumet kur dritë s'kishte
Dikush vjen me flokë të thinjura
Tjetri me shkop në dorë
Me syza të trasha xhami
Presim në rresh një nga një
Të heshtur
Pa bërë asnjë zhurmë
Si kokrrat e misrit në thasë të hirtë
Për disa lekë më shumë
Ne
Si të " Mjerët " e Viktor Hygos
Nga një dritare e vogël
E shohim botën me shumë sy
Ta sogjojmë këtë qiell
Qiell me zogj krahletë
I bart çdo erë hapësiarave të pafund
Motiv Migjenian!

UDHËT

Do të ndahen një ditë

Si dy lumenj të degëzuar
Gjurmë këngësh do të kërkosh
Zog pranvere nëpër lëndinë malli
Mbi fjalë do rrinë kujtimet e strukura
Copëza germash gdhendura
Stinë të ikura
Si një gramatikë e pashkruar 
Deri në fund.

Udhët ...

S'DUA MË

T'i shoh udhët e përgjakura
Njerëzit
Me fasha të bardha nëpër fytyrë
Gurët
Lë të shndërrohen në pëllumba
Është lodhur kjo Tokë me gjak
E lot nënash për bijtë e pagjetur
S'dua më qiell ngjyrë gri !
Në vend të grushtave-Puthje
Emër njeriu të ketë ky vend!

0 comments:

Post a Comment