Friday, August 19, 2016

Kujtim Stojku - Varri i Nuses

VARRI I NUSES 

Atje lart mbi kodrinë pushon nusja e bukur,
Në atë vend ajo dha shpirt, dhe shkoi në përjetësi.
Netëve të errëta, kur del hëna tokën të ndriçojë,
Nusja ecën mbi taka, gjerdanët në gjoks i tringëllijnë.

Nusen e shikojmë të vezullojë nga flakët e ndritshme,
Duke fluturuar me bukuri engjëllore nëpër hapësirë,
Fustanin e bardhë ajo tërheq pas dhe zogjtë cicërijnë
Në fytyrë, duket sikur i ka rënë pluhuri i pavdekësisë...

Dashuria luftoi me vdekjen,po vdekja pa mëshirë e mundi
Dhe hija e ftohtë e ngriu jetën si në një ëndërr të keqe.
Kur dha shpirt, era furishëm përreth gjithë gjethet tundi,
Kushedi çfarë mendonte në ato momente ajo fatkeqe...

E shikoj dhe padashur vrasja e pabesë dhëmb në shpirtin tim,
Sytë i shkëlqejnë flakë sa me fjalë nuk mund të tregohen.
Fustani i bardhë valëzon në mjegullën qiellore gjithë shkëlqim
Kapur përdore në mes të yjeve, shpirti i nuses rrotullohet.

Dalloj buzët e saj ngjyrë trëndafili, si të paprishura fare,
E shikoj mbi pallatet prej akulli teksa endet me hidhërim...
Ajo kthehet më përshëndet me dorë dhe niset për në varre,
Si një pulëbardhë mbi kaltërsinë detare, kur ngrihet fluturim.

0 comments:

Post a Comment