Monday, August 22, 2016

Mentor Thaçi - Cikël poetik

KATANDISJE
PIKË N´MIDIS T´KUVENDIMIT
nga njëshi i bërë, u zh´bëmë
në pikë e pesë, pikë e shtatë a pikë e nëntë ...
sall klubi i dreqërve e merr vesh
sa të huaj u bëmë mes nesh
gryka e pushkës lë çyken pas vetes,
atë që e hapë përpara, keqas e mbyllë pas,
vajit, zhgënjimit, hidhërimit ... i ipet shkas
eh ... flasim në shtatë gjuhë të huaja mes veti,
me të tanët e tëhuajsuar,
përkthimin vështirë ta gjejmë ... dreqo punë
derisa ... shumëgjuhësia u ngulit me dhunë
tevona, ec e merru vesh me vëllanë
kur pikë mes kuvendimit m´i ranë
tash, n´mëdyshje ...
të lëshoj ofshame ... apo të shame
për kokën e mbetur n´skamje.

MË THANË
IU THASHË
më thanë,
fol, pse nuk po flet,
e ke rendin,
fjalës gjeja vendin
iu thashë
se ... fjalët i mori era e lajkës,
nuk mbet vend për to,
t´paktën, vend nuk shoh
u shikuan n´er vetulla
me shenja "isharetesh",
u paluan si petulla,
s ´i zinin besë as vetes
iu thashë,
po më deshët taravol,
më thuani fol
më shikuan ... u qeshën,
e pashë se turpin ma deshën,
e pashë se hilen ngjeshën.

NJË LUTJE FISEVE TË VISEVE
O Fis i Hotit,
pash besen e Zotit,
pash vleften e motit,
pash d(r)iten e sotit
e pash nderin e Dedë Gjo Lulit,
mos lejo soj t´idiotit
me tru pështjellun prej tulit
me lu´jt me nderë t´imzotit ...
numërojau kokrrat e pasulit!
O fis i Thaçit,
i Sylejman Vokshit,
me fshikëllimë t´kërbaçit
bjeri çdo kodoshit
mos le me zbehë zotshpillakun
ai trimi i nër koshit
e fisnikërisë bujare
me i dhanë emër t´baloshit!
O Lulja e Shalës,
mos le me i ikë fjalës
burrat e legales
e me i dalë vetit mohi
se na mallkon moti
e na ndëshkon Zoti,
as për peng e dorëzan
vend vetit s´i lanë,
zulm, demek shumë nam
nga krimi e kanë!
O Gash e Berishë,
me plag´të në një k´mishë,
jeta merr teposhtëzen
kur e marrim joshjen
nga lakmia e koria
deri sa t´kukatë dhe shpia,
mos leni gverr t´marres
për atë dreg´zë të varrës,
se tevona qiraja
ia tejkalon barrës!
...
Vazhdon simbas reni, veni e kuveni ...
tevona i vjen refreni.

ZLLANAPOJË, ZOTI T´BEKOI
Ai shpat bjeshke kudo bleruar,
në mes t´tij Kasolle-stani,
një Traditë e trashëguar,
gjyshi babës e baba ke djali!
Rreth e rreth Pisha-Çetina,
hije e m´hije vashat si Zana,
gumëzhinë e gjallnon ledina,
n´gurapesh luajnë burrat luana!
N´rrasa t´gurëve gërryer gjuhësh
për t´marrë krypen dhentë e bekuara,
pastaj turr te gurrat, lugjesh
t´eçtuara, të pijnë ujin e akullnuar!
Dhe t´freskuara mësyejn mrizat,
hijeve t´flladëta afër tëbanit,
jo jo, n´bjeshkë nuk njohin mizat,
përveç kujdesin e Çobanit!
N´Roshkodol a n´Zllanapojë,
n´Bjeshkë t´Belegut, n´Mylyshec,
s´mund t´përmendë t´gjitha me gojë,
këmba ime kah nuk ka ecë?!
Dredhëza, mjedra e boronica,
ka falur Zoti si bari i tokës,
gufojnë vashat bashk me baçica,
se k´tu është Parajsa e botës!
N´tjetrin shpat burrat qethtarë
kanë qethë dhentë e tashmë festojnë,
aty-këtu ndonjë djalë beçarë
me rrotulla-mesele e ngacmojnë!
E t´ia therin telat Çiftelisë,
Fyell, Kavall edhe Lahutë,
kangë epike po edhe t´dashnisë,
zani i tyne dhe gjarpnin e zbutë!
Shpat më shpat kanga e grave,
për mahi në ngucje e përdhonim,
fëmija vijnë tuj u grahë gjave,
ah, k´tu harmoni gjenë shpirti im!

Kur bjen muzgu, ndizen llampat,
me vajguri apo ndonjë ashkël pishe,
n´sini prej pishe shtrohen darkat,
hahet buka shumë shumë e shijshme!
Bijnë me fjetë përnjëherë me pulat,
zgjohen heret pa lindur Dielli,
vesa e hershme srç i puthë lulat
dhe bekimi vjen drejt nga Qielli!
Të falemnderit o yni Hyu-Zot
për bukuritë Dhuratë që na i fale,
atë bekim tëndin na e japë TI sot,
mendjen e keqe kudoqoftë, ndale!
Mos t´na e prishin Token tonë,
mos t´i presin Pishat-Çetina,
brezat le të i kenë gjithmonë,
në trashëgim si Moti e Stina!
Paj, janë Hyjnore bjeshkët e mia,
Zhleb, Shtedim, Sejnovë, Belle, ...,
Bukuritë që na i ka Shqipnia,
Sharr, Rugovë, ..., si k´tu kund s´ke!

UJK NJË DITË E JO QEN ÇDO DITË!
Vendosa,
u bëra ujk
një ditë,
gjatë pritë,
për shumë kënd
unë qeni
i përditshëm,
habitshëm!
Hundët,
veshët
ngritën
përrreth
thikë përpjetë
se çfarë po ngjet!
Trup i rashë,
ua thashë:
- Epo,
më mirë ujk
një ditë
se sa qen
për ditë,
për atë
që s´deshti
me e ditë!

POROSI PA VERESI!!!
Ndrroja gishtat
fyellit,
më tha miku
kur i dhashë paratë
t´më blejë
atë!
Paj,
puna nuk kryhet
me dhënie
porosie
veresie,
m´pat thënë gjyshi,
në dorë paratë
punë pa shamatë!

PIP N´KËMBË
TRUNG, JO CUNG

mallin me reumë bashk
në shtrydhje, ngjeshje, ndrydhje ...
nejve të gjymtyrëve

çdo fërkim nye e m´nye
dhimbjes i shton arsye

numërimin, si rrathëve të jetës,
trung i moçnisur tanimë,
kurorë e zbardhur në Arbain

le të mbetet qoftë edhe sall hije,
qoftë edhe vend mrizimi ... ky trung
po sall jo dhe jo cung

ah, sa dhimbshëm përshtati
më shkojn legjendat,
secila një vulë urtie ...
secila një kapak dhimbshurie

dua të mbahem në këmbë
qoftë edhe me shtatëpalë dridhje e shkundje t´mallit
qoftë edhe me dhimbjet fshehur nën dhëmbë,
por, sall lis me lisa t´malit.

ASPAK MË SHQIPTAR SE UNË
(Njërit-es nga ata-o demagogët mendjemëdhenjë në Tiranë)
Ti s´flet kurrësesi ma shqip se unë
as kur veti ia ban dëshiren ... qejfin,
as ti s´ke n´fjalor fjalë ma shumë,
kur t´njajtë kemi shkrimin ... alfabetin!
Pak e aspak mërzitem që s´më kupton,
kur unë ty t´kuptoj shumë mirë,
ma mëso dialektin tim nëse don,
t´më kuptosh pa kenë vështirë!
S´je aspak ma shumë shqiptar
se sa unë që m´shikon si ndryshe,
mund t´më quash ... shkupjanë, malësor, kosovar ...
por, jam i njajti shqiptar, pa mëdyshje!
Me çfarë të drejte më injoron ... nënçmon ...
mua që nuk kenkam "gjytetar" nga Tirona,
me menemadhësinë tande, randë gabon,
skam ku t´çoj as ke ku m´çon, sot as tevona!
N´kjoftë se kaq shumë m´ç´vleftëson
mbasi po t´shkruej nga pak n´gegnisht,
dije mirë që shumë randë po shkreton,
standardi vonë erdh ... vonë, katërcipërisht!
Mbasandaj, tepër naltë po e vjerrë pallen,
hundën e çon thikë përpjetë deri m´i vetull,
nuk gjanë kungj ku me vjerrë pallten,
s´kallzohesh zojë as zotni, po sall një petull!

PËR KU KËSHTU
(Balada e budallakisë)
Paj ... po pra, unë jam unë, e ti je ti,
po s´bëmë t´mirë punë, mund t´bëjmë më zi!
Vetë mbrapështia, është kjo mëri,
sa dhe shëmtia, që s´ka kund kufi!
Unë duaj mua, e ti duaj veten,
po si s ´u shua, ky ves tanë jeten!
Ecim mbrapshtë, në inati tjetri,
dhe s´dalim jashtë, këtij ileti!
Kemi tredhur trurin e djerruar shpirtin,
shtrydhem dhe gurin, tuj i nxjerrë bishtin!
Ecim kokëngrehur, me njëqind marri,
n´dinjitet t´zbehur, sjellur breg varri!
Luftojmë vetveten, por jo armikun,
e zh´vlerësojmë jeten, injorojmë mikun!
Njëri sall prish, e tjetri shkatërro,
mbetëm në bisht, t´ngjarjeve ... kudo!
Po i ikem bishtit, do t´bijm n´zuzë t´byth´s,
shoqi-shoqit prej trishtit, s´ia lëshojmë sytë!
Dhe ... këngë i këndojmë, vetes n´vetëvrasje,
as që mendojmë, se del gajasje!
I kem dhënë besen, dreqit t´mallkuar,
se do t´vrasim shpresen, për t´mos shpëtuar!
Hë, na vraftë fruthi, dhe lia e ujit,
si s´na han u´thi, për inati t´hu(a)jit!
Vesh duhet t´marrim, se na cofen morrat,
vetvetes varrin, ia hapin sall horrat!

ASPAK MË SHQIPTAR SE UNË
(Njërit-es nga ata-o demagogët mendjemëdhenjë në Tiranë)
Ti s´flet kurrësesi ma shqip se unë
as kur veti ia ban dëshiren ... qejfin,
as ti s´ke n´fjalor fjalë ma shumë,
kur t´njajtë kemi shkrimin ... alfabetin!
Pak e aspak mërzitem që s´më kupton,
kur unë ty t´kuptoj shumë mirë,
ma mëso dialektin tim nëse don,
t´më kuptosh pa kenë vështirë!
S´je aspak ma shumë shqiptar
se sa unë që m´shikon si ndryshe,
mund t´më quash ... shkupjanë, malësor, kosovar ...
por, jam i njajti shqiptar, pa mëdyshje!
Me çfarë të drejte më injoron ... nënçmon ...
mua që nuk kenkam "gjytetar" nga Tirona,
me menemadhësinë tande, randë gabon,
skam ku t´çoj as ke ku m´çon, sot as tevona!
N´kjoftë se kaq shumë m´ç´vleftëson
mbasi po t´shkruej nga pak n´gegnisht,
dije mirë që shumë randë po shkreton,
standardi vonë erdh ... vonë, katërcipërisht!
Mbasandaj, tepër naltë po e vjerrë pallen,
hundën e çon thikë përpjetë deri m´i vetull,
nuk gjanë kungj ku me vjerrë pallten,
s´kallzohesh zojë as zotni, po sall një petull!

0 comments:

Post a Comment