Sunday, August 14, 2016

Nehat Jahiu -Mësuesi dhe atdhetari Mumin Kastrati



 

Vitet e pajetuara të Munin KastratitE kishim pranë Muminin. Atë më të mirin atë që vetëm zoti ia dinte plagët e mëdha të shpirtit, dhembjen  për një tokë pa liri për një tokë pa shkronja. E kishim mes nesh Muminin.  Sot ballë kujtimit dhe jetës së tij kemi një pasqyrë të madhe ku njeriu përherë skuqet se nuk ka bërë atë që ka bërë ai në jetën e tij në shërbim të kombit. Dikur jetonim me atë njeri që vetëm ai dinte se si mund ta doje tokën që të ka rritur shkronjën shqipe, tokën e Iliridës dhe të Koosovës.  Ia njohëm dikur ëndërrat Mumin Kastratit .Të bukura. Të madhërishme bash si ylberet që binin dhe bien në ditët pranverore apo vjeshtore në Sllupçan, në Likovë, në Kosovë, në mbarë shqiptarinë. E diku do të jetonte Mumini, miq të mi. Diku do ta kishte një fqinj të mirë. Po ai ishte bash vëlla me Mirësinë. Me lirinë. Me zilen e një shkolle. 15 vjet pa Muminin. E si t;ia bëjmë viteve që do të prekim nesër. Po ta kishim pranë atë Muminin, atë atdhetar për besë të fjalës, fort do ta kishim peng se nuk e njohëm edhe më mirë atë burrë fisnik.Mësuesi dhe atdhetari Mumin Kastrati


Mumin Kastrati nga Hogoshti, djalë i Salih Fejzë Kastrati-t, i takon plejadës së parë të misionarëve të Arsimit Shqip në fshatin Hogosht, kreu edhe Fakultetin por për shkaqe të regjimit fashisto-komunist dhe bindjeve të tij atdhetare kaloi jetën duke u perballë me punë të rënda jasht profesionit të tij. Lindi më 1 maj të vitit 1933 në Hogosht të Kamenicës ( Dardanës). Gjatë vitit 1957 do të punoj në shkollën fillore “ Shaban Beqiri të fshatit  Sllupçan të komunës së Likovës dhe pastaj për tu transferuar në shkollën fillore të fshatit Likovë ku edhe gjatë viti 1960 do të burgoset.  Si pasojë e bindjeve politike u denua nga sistemi mëse i ndytë komunisto-fashist jugosllav me 8-të vite burgim.  Përndjekjet, keqtrajtimet dhe burgosjet e mësimdhënësve shqiptarë nga UDB-a në vitet 1945-1952 ishin në shifra shumë të mëdha në tërë Kosovën të cilat vazhduan edhe pas vitit 1952 e deri me rrëzimin e sistemit famëkeq komunist. UDB-a këtë veprimtari antishqiptare e kryente padyshim, në koordinim me strukturat më të larta partiake e shtetërore të regjimit komunist duke pasur në mesin e saj edhe shumë bashkëpunëtorë shqiptarë. Shumica nga këta mësues u larguan nga proçesi edukativo-arsimor por disa prej tyre kanë përfunduar nëpër burgje të regjimit komunisto-fashist të dërmuar edhe për vdekje :

Mumin Kastrati ishte dhe do të mbetet pishtar i atdhedashurisë, lirisë dhe arsimit shqip ndërkaq vepra e tij, do të jetë gjithmonë një udhërrëfyes për gjeneratat e sotme dhe të ardhme, jo vetëm në Komunën e Kamenicës, por për gjithë vendin.
Kështu u tha në Akademinë Përkujtimore me rastin e 15-vjetorit të vdekjes së Mumin Kastratit.
Kryetari i Komunës, z.Begzad Sinani, tha se familja Kastrati nga Hogoshti përbën një shembull unik për sa i përket atdhedashurisë dhe rezistencës heroike në mbrojtje të të drejtave dhe lirisë së shqiptarëve në atdheun e tyre.  “Armiku kurrë nuk mundi ta shuajë zjarrin kryengritës të tyre pa marrë parasysh torturat çnjerëzore që ushtruan ndaj tyre nëpër qelitë famëkëqija jugosllave. Mumini do të arrestohej derisa punonte si mësimdhënës në fshatin  Likovë, rrethina e Kumanovës të Maqedonsë dhe do të dënohej me 8 vite burg të rëndë, por ai kurrë nuk u thye, andaj vepra dhe sakrificat e tij ishin frymëzuese për kohën kur ai jetoi dhe veproi si dhe për brezat që do të vijnë, se si duhet ta duam dhe të punojmë për atdheun dhe për kombin tonë”, tha Sinani duke folur për jetën dhe veprën e Mumin Kastratit. I pranishëm në këtë Akademi, ishte edhe veprimtari i çështjes kombëtare, z.Adem Demaçi. “Emrat si ky i Mumin Kastratit, janë gurëthemeli i shtetit të Kosovës dhe mesazhi i veprës së  tyre është që këtë vend ta ruajmë e ta duam”, tha veç tjerash ai.
 Nga Musa Musliu - Shembull tipik i një pedagogu, një punëtori arsimor e një atdhetari të shquar se si duhet punuar në shkolla me nxënës, me gjeneratën e re, i tillë ishte Mumin Kastrati, i cili ndërroi jetë para pesëmbëdhjetë viteve.
Mumini kudo që ishte shkëlqente jo vetëm me vlerat e tij arsimore, pedagogjike e intelektuale, por edhe me ato morale e njerëzore. Kisha fatin dhe nderin që profesorin Mumin ta njohë për së afërmi, sepse në klasën e pestë të shkollës fillore e kam pasur arsimtar të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e më vonë edhe si koleg pune (të dy profesorë të gjuhës dhe letërsisë shqipe) në Shkollën Fillore “Skënderbeu” në Hogosht. Prandaj, me kompetencë dhe pa hamendje mund të them se sa më afër që e ke njohur atë, aq më i kthjellët i ishte shfaqur shkëlqimi, sinqeriteti, mençuria, miqësia dhe pamja e qeshur e gazmore. Mumin Kastrati ishte lindur më 1 maj të vitit 1933 në Hogosht, lokalitet që shtrihet rrëzë maleve të Kikës legjendare dhe duke qenë edhe zonë kufitare me Serbinë, në këtë vend janë zhvilluar shumë luftëra të përgjakshme me hordhitë barbare serbe.  Shkollën fillore katërklasëshe Mumini e ka kryer në fshatin e lindjes, në Hogosht gjatë vitit shkollor 1945-46. Sipas të dhënave, klasën e fundit të progjimnazit e ka kryer në Gjilan në vitin shkollor 1949-50, ndërsa kursin e ultë pedagogjik e ka kryer në Prishtinë, prej 20 maj e gjer më 28 gusht të vitit 1951. Me qenë se në këtë periudhë kohore mungonin njerëzit që dinin shkrim e lexim shqip, Mumin Kastrati me shkollimin që e kishte bërë, më 1 shtator 1951, ka filluar të punojë si mësues në Shkollën Fillore të fshatit Hajkobillë, duke vazhduar gjerë më 15 janar 1953, ndërsa një ditë më vonë, më 16 janar 1953 ishte transferuar të punojë si mësues në fshatin Kremenatë të Komunës së Kamenicës, duke punuar gjërë në përfundimin e vitit shkollor më 31 gusht të vitit 1953. Pas përfundimit të kursit pedagogjik në Pejë, Mumini ka filluar të punojë arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në fshatin Muqivërc, pastaj pas mbarimit të Shkollës Normale në Prishtinë, në shtator të vitit 1955, ka filluar të punojë në fshatin e lindjes në Hogosht arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, kohë kur unë isha nxënës i tij. Gjatë viteve 1956 – 58, ai ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në SHLP në Shkup. Pastaj, ka punuar arsimtar i kësaj lënde në fshatin shkollën fillore “ Shaban Beqiri të fshatit Sllupçan gjatë vitit 1957/ 58 që pastaj të transferohet në shkollën fillore të fshatit Likovë të komunës së Likovës, rrethina e Kumanovës  ku  arrestohet.. Veprimtaria e tij dhe edukimi i gjeneratave të reja në frymën atdhetare, po përcilleshin nga organet e Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe në janar të vitit 1960, ai u dënua më 6 vite burgim të rëndë. Pasi u lirua nga burgu (pas dy vitesh pauzë)  Mumin Kastrati ka punuar si arsimtar i lëndës përkatëse në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Banjën e Siarinës, pastaj nga një shtatori i vitit 1968 e gjer më 31 gusht të vitit 1970 ka punuar si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë.
  Në shtator të vitit 1970, Mumini kthehet në vendin e lindjes në Hogosht dhe filloi të punojë në shkollën fillore “Skënderbeu” si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Këtu isha duke punuar edhe unë fillimisht si arsimtar e pastaj edhe si drejtor i shkollës. Në angazhimet tona shpesh konsultoheshim për shumë gjëra. Kah fundi i vitit 1973 dhe fillimi i vitit 1974, në Kosovë rrethanat politike u ndryshuan për shqiptarët. Pushteti i atëhershëm jugosllav kishte marrë vendim që çdo punëtorë arsimor që ka qenë i dënuar politikisht nuk ka të drejtë t’i arsimojë dhe edukojë nxënësit në shkolla. Për këtë çështje më informuan organet kompetente të Komunës së Kamenicës.
  U gjenda në një situatë shumë të vështirë si ta njoftoj arsimtarin, kolegun, mikun me një vendim të tillë. Por, burrat njihen në ditë të vështira. Mumini ishte në dijeni për zhvillimet. Më ndali dhe më tha: “Mos ik prej meje, sepse vendimet e pushtetit i di përpara teje, ti nuk po më largon, por pushtuesi.” Ai e dinte se shqiptarët po rrezikoheshin për çdo ditë, sepse Mumini rrjedh nga një familje e njohur patriotike që ka qenë gjithnjë në shënjestër të pushtetit serbo-jugosllav. Ndjekjet politike, burgosjet dhe keqtrajtimet e atij pushteti nuk kishin të ndalur ndaj kësaj familje atdhetare. Kështu pas Muminit që burgoset më 1960, pastaj radhiten të gjithë vëllezërit e tij si: Rexhepi, Sabiti, Qemajli e Ismajli (për themelimin dhe udhëheqjen e Odës Ekonomike të Kosovës). Të gjithë këta ishin dënuar për shkak të krenarisë së tyre kombëtare, por edhe se ishin vëllezërit e Muharrem Fejzë-Kastratit, i likuiduar si një nga organizatorët e rezistencës kombëtare kundër forcave pushtuese serbe në vitin 1945.  Në këtë kontekst nuk mund ta lëmë pa e përmendur nipin e Muminit, Isa Kastratin që nga familja kishte trashëguar një ndjenjë të lartë të atdhedashurisë dhe gatishmërisë për sakrifica sublime. Meqenëse ky nuk ishte pajtuar me padrejtësitë që bëheshin ndaj shqiptarëve në vitin 1975 u burgos me 34 veprimtarë tjerë në krye me Adem Demaçin, simbolin e rezistencës kombëtare. Pastaj Isa pas daljes nga burgu në janar të vitit 1999 rreshtohet në radhët e UÇK-së dhe vritet më 21 prill të vitit 1999.  Prandaj, me plot bindje mund të thuhet se për Muminin pasuria më e madhe e tij ishte dashuria për vendin e tij, për çlirimin e atdheut një e herë e përgjithmonë, nga armiku shekullor serbo-çetnik, si ne të gjitha aspektet me kohë e kishte kuptuar se lufta për lirinë ishte e vetmja rrugë, e vetmja mënyrë e formë për ta fituar lirinë dhe pavarësinë, për të cilën u derdhën lumenj gjaku. Mumin Kastrati vdiq më 03.01. të vitit 2000 pa e përjetuar lirinë. Është detyrë e jona t’i kujtojmë figurat e shquara shqiptare, sepse falë punës, aktivitet dhe kontributit të tyre, ne sot kemi krijuar shtetin, institucionet tona shtetërore publike dhe kemi shënuar rezultate të lakmueshme në shumë sfera dhe segmente të tij. Lavdi jetës dhe veprës së Mumin Kastratit dhe të gjithë atyre që dhanë një kontribut për arsimimin e gjeneratave të reja në frymën kombëtare dhe për lirinë e popullit. 
….Kur të dëgjoni diku zile shkollore në trojet e Shqiptarisë, kujtojeni Mumin Kastratin! Kur të dëgjoni një këngë për trimat kujtojeni  Muminin. Ai nuk ka nevojë për kurora, se të gjitha i kishte dhe i ka jeta dhe vepra e tij e pavdekshme. E shkurtër, po e gjatë në bëmat e saj. E ai që nga parajsa ku mendon për vitet e pengjet e tij ta panumërt të na e bëjë hallall lotin e hidhur të ndarjes së madhe, të asaj ndarjeje që ka vetëm nisje e kurrë kurrë mbërritje.
             



0 comments:

Post a Comment