Saturday, August 20, 2016

Sinan Kërpaçi - Katër Poezi



NË KE VEND MERRMË DHE MUA              


Për pak fluturim kaprolli
te një shkëmb
fare nuk pyet për kokën,
kërcen te një katarakt
sa e rrotullon një mokër
të bluaj ai mulli bukën time.

Mos ik pa marrë dhe mua
si merr pritat, si merr gardhet,
më bëj vend:
jam te rruga i vetmuar,
jam një udhëtar që pret
për ta bërë udhën bashkë.

Mos ndalo, nuk zbres gjëkundi,
me ty jam deri në det e më tej
sa të shndërrohemi nga përrua
në një varkë të dy bashkë:
ti si të krijuan buzat nga rrëketë,
mua si më bëri nëna
kur i çoi fjalë Zoti atje lart.

Vetëm më ço gjer në det,
në ke vend e nuk të rëndem,
vetëm mos bëj këmbë pa mua,
kaprolli që s`të ha prita,
ti përrua!

Nga libri në dorëshkrim: "Ditari i gardianit K"


NË UDHËTIMET E GJATA . . .       


Sa herë që shkoj e sa herë që kthehem
nga ato udhëtimet e mia të gjata
unë e ndaloj avionin sa gjej një ruse
në stacionin e qiejve
që mos ta pi kafen vetëm
mbi Himalaja

gjithnjë duke i ngritur kokat të dy mbi re
e këmbët duke i ngulur fort e më fort
poshtë,
 mbi ato maja.

Ndonjëherë më qëllon që rusen s`e takoj
dhe unë avionin në Himalaja nuk e ul,
nuk kërkoj as tokë,
nuk kërkoj as qiell pa re.

Natyrisht,  drejt Kinës shkoj
por hapur po ju them:
nuk jam atje.

Kështu më ndodh mua mbi Himalaja
kur s`jam i zoti ta takoj
eseninianen,
të florinjtën mbi maja,
rusen që ul avionë.


GJOI NË ÇIÇILI

Sa gjoi në Çiçili unë dola:
e ndeza fjalën në diell,
bokërimë më bokërimë
pas të ndoqa.

Ndalova të vura flakën
pa e kursyer dhe veten
deri sa u bëmë zjarr ne të dy

dhe s`e lamë një shteg
për “mardhëm”.

Bëmë zjarr me zemër lisi
sa flaka kaloi majën
Çiçili.

Çiçili!
Me një gërmadhë kujtimesh
pas më merr
atje ku dielli del
t`i themi “gjuan”.

LORDI PA LARG

            “Nuk ka penë apo penel të rikrijojë peizazhin e bregdetit       jonian...Nuk njoh gjë tjetër që mund të konkurojë në bukuri tridhjetë miljet e bregdetit që shtrihet nga Vlora në Butrint.”
                                                                                                 Bajron

Joni shfaqet në ditën e re me krahë pulëbardhe
në tridhjetë milje nga Vlora në Butrint.

Lord Bajron, le jashtë kohës tënde një Angli
për t`i dhënë bukurisë përkufizim me kilometra.

Pashai të mbuloi me dhurata te kalaja buzë Vjosës
dhe unë nga çfarë shkrove të nesërmen kuptova:

si poet i lindur hipe në një shkëmb gjigant të Jonit
dhe pe sa të hëngri syri përtej Ali Pashës.

Tridhjetë milje t`u deshën nga Vlora në Butrint
për t`i dhënë vetë bukurisë përkufizimin në shqip.

0 comments:

Post a Comment