Friday, August 19, 2016

Baki Ymeri - Katër Poezi

SHIPKOVICA
Pas pesëmijë vitesh
Nga Parajsa erdha ta shoh
Se si e prisni dritën
Në zemër të Dardanisë.
Fëshfërimë yjesh
Thëllënxat shtojzavallet
Engjëjt librat
Fran Kola e Mnjaku
Vokallarët dhe Gjura
Bishat e Vardishës
Dhe Përroi i Kishës.
Muret e shtëpive të vjetra
Porsi në çerdhe
E mbajnë frymëmarrjen
Qenje e gjallë
Historia hyn dhe del nga dyert
Bebzat i drejton
Tejmatanë Kodrës së Kalasë
Ngazëllimin e mban mes oborresh
Qetësi mbëlton mes shtatoresh
Shtëpi lidh mes shtëpishë
Mure lidh mes muresh.
Sulltani na i ndërroi emnrat
Por jo edhe shpirtin.
Naimi e mban të pashuar
Dritën në vatër
Kadareja na e përkujton
Se historia merr frymë
Ndërmjet mureve
Ajo i shpërlan teshat
Teshat e bardha presin.
Çfarë hijeshie
Teshat e bardha flasin mes veti
Zjarri kënaqet në vatra
Njerëzit dëgjojnë
Ç’thotë era në mbrëmje
Muret dëgjojnë
Ç’thonë trëndafilat në mëngjez
Pasqyrat dëgjonë çka thotë
Shëmbëlltyra juaj në mesditë.
Teshat e bardha
Rrjedhin përmes Shkumës së natës
Unë kthehem në zemër të Transilvanisë
Dardania qëndis flamurin e Pavarësisë
Për njohje e jo për hatër
Qenje e gjallë
Historia ta pjek bukën në vatër
Ngase Shipkovica në kohën e sulltanit
I përkiste Vatikanit.

KËNGË
Më thuaj moj vllahinkë,
Çfarë qumshti të ka dhënë nëna jote
Dhe në çfarë dhomash të ka ngujuar
Që po të vjen kaq era e bukur
Si një trup i përkundur
Me përkëdhelje të ëmla?
Prej nga e vjedh vallë
Shijen që po ta ndjej
Në gjirin e puthur me afshin
E resë së shpërthekuar
Në këmishën e saj të mëndafshtë?
Buzët tua janë dredhëza?
Vaj, moj vllahinkë,
Në mesditë kur krisi vetëtima
Përmbi to - shpërtheu erëtima.

KËNGA E KOMBIT
Mbi fushat e luleve,
Mbi altarin e shenjtë
Të faltoreve
Ku meshohet shqip
Regëtin flaka e Bashkimit.
Mbi qerpikët e pavdekësisë
Kambana e Ribashkimit troket
Kurse ne, më të vegjël se heronjtë
Asistojmë në përlindjen e historisë.
Në portën e fitores
Martirët e përjetësisë
I zgjasin duart
Për të na përkëdhelur.
Në Vlorë e Prekaz
Kënga e kombit
E lindur nga betejat
Lartësohet deri në qiell
Si një nuse e qëndisur
Nga perlat atdheut.
Katedrala e Kombit
Truproje e fitores
Me kryqin e Gjergjit
Dhe mëshirën e Terezës
Vezullon
Në Diellin e Dardanisë.
Kurse ne, Zot, ne
Jemi bijtë e lotit Tënd
Të përzjerë me glinën
E gjakut të shenjtë…

ZJARRI I JETËS
Zjarri i jetës krijon vatrën e dashurisë.
Forca vjen nga Qielli dhe familja.
Fjala e matur ka flatra engjëjsh
Dhe shpirt të dridhshëm...
Mos i trembni fjalët,
Mos të shqetsohen,
E të lëndohen!
Ja shtëpia e fjalëve të mia,
E braktisur dhe e heshtur…
Në gjirin e mrekullive të botës
Shpresat po presin
Në varkën e vetmisë.
Te Kroi i Sorkadhave
Do të takohem me Zotin.
Uluni dhe ju mbi bar,
Të rrëfejmë kujtime të bukura
E t’i lutemi Zotit
Për shëndetin e popullit shqiptar!



0 comments:

Post a Comment