Monday, August 29, 2016

Poeti Vlonjat Çlirim Hoxha - Cikël Poetik

Do mbetem pjesë e pavdekësisë.

O botë e madhe e pa fund,
ti që na mban në gjirin tënd,
gabim të madh kam bërë unë,
një vajzë e bukur më ka marr mend.
Nuk di si ndodhi, as vet se di,
të gjunjëzohem prej poezisë,
në rrugët e jetës çdo njeri,
bie në duar të dashurisë.
Më lër të lutem, të qetë më lër,
si meteor i gjithësisë,
nëpër natë e nëpër terr,
do mbetem pjesë e pavdekësisë.
Do thonë për mua ndonjë herë,
ishte i marr pas dashurisë,
e donte jetën, e donte shumë,
nëpër vargjet e poezisë.
Kur fryn era mbi qytet,
dhe deti dallgë ngre me shkumë,
atje jam unë me të vërtetë,
dhe poezia derdhet lumë.
Atje më lini të frymëzohem,
roman të ri të nis të shkruaj,
ma lini zemrën të dashurohet,
për një vajzë sa shumë po vuaj.
Do iki tutje tej horizontit,
do të kërkoi pavdekësinë,
dhe në u kthefsha ndonjë ditë,
do kem me vete dashurinë.
Rrufe nga mali do të zbres,
porsi Zeusi pellazgjisë,
vullkan dhe flakë do të lëshojë,
mbi tërë armiqtë e dashurisë.

NE KUPE TE QIELLIT

Në kupën e qiellit lartë mbi qytet,
Të shoh unë ty midis yjesh.
Në kupën e qiellit ku nata thërret,
Ti shkon me ëndrra mes pyjesh.
Atje jam unë, atje po të pres,
Ku zemra vuan dashurinë,
Në detin e errët, në qiejt e zezë
Kërkojmë të dy lumturinë…

V R A P O...
Mos i shpenzo energjitë e tua e dashur
Tek të tjerë yje në Univers,
Drejtoi ato tek mua,
Se unë për ty po vdes.

Kam nevojë shumë,
për tënden energji
Jeta nuk do t’vlente fare,
do t’ish si pus i zi

Prandaj mos mu kurse,
Ti eja dhe vrapo
Ta ndezim dashurinë
Rrufe të jetë ajo.

Në botë ka edhe njerëz
që s’dinë ç’është dashuria
Të tjerë akoma më keq
nuk din se ç’është rinia

Por moshë nuk njeh ajo
e shtrenjta dashuri
Të vjen dhe të fanepset
ti mbetesh veç i ri.

Të vjen të përkëdhel
me zëmër të lëndon
Dhe kënga ndër buzët e nxehura
nga shpirti të buron

Në katër stinët e vitit
Prezente është ajo
Është ëndërr shumë e bukur
Vrapo, vrapo, vrapo...

Kaçurrelja dashuri...

Do të vi një ditë e dashur do të vi,
Kur rrugëve do zvarrisim këmbët gjithë pluhur,
Dhe bota indiferente s’do dojë t’ia dijë,
Se dikur kemi dashuruar dhe ne me zemër.
Mbi motet e plogësht mbi ethet e dheut,
Mbi majat e maleve ku shkrepin rrufet,
Atje do të jem, në daç më besoni,
Se dashuria atje më thërret.
Por vitet do treten si plagët e shpirtit,
Ohu, sa shumë ëndrra kam për të treguar,
Veç dashurisë dhe vajzave të bukura,
Kjo botë pa to do ishte e shuar.
Gërvishtëm dhe ne mbi zemrat e njoma,
Plagosëm pulëbardha përtypëm qershi,
Nga fundi i dheut u ngrit si dallgë deti,
E ëmbla, e pastra, kaçurrelja dashuri.
Dhe vjeshta e artë kur të trokasë,
Mbi gjokset e botës në kaltërsi,
Mbi vithet e tua, mbi buzën e zjarrtë,
Do tretem i tëri si një qiri...

Në plazhet e Vlorës...

Sa shumë brodha plazheve të Vlorës,
Të gjeja ty me trupin prej missi,
Më kot u lodha mbi rërën e thatë,
Të gjitha vajzat mu dukën të një fisi.
Kuptohet, shqiptarkat me hiret e tyre,
Çudisin gjithë botën, princesha mbi kala,
Dhe unë robi me grusht i bie kokës,
Ku shkoi vallë ajo që pa mend më la.
Sa vapë bënë sonte, sa xhiro ka në bulevard,
Hej miq më besoni jetojmë në Vlorë,
Historia dhe Flamuri këtu kanë folenë,
Me dhjetëra djem e vajza si princër me kurorë.
Ti humbe vogëlushe mes vorbullës bulevardit,
Më kot hodha sytë mbi vajzat e tjera,
Të bukura, të paqme, të sjellshme te Zoti,
Si ty nuk pash dot veç flladit që solli era.
Bulevardi i Vlorës sfilatë e bukur misesh,
Çdo mbrëmje zhurmon minifunde taka të larta,
Këtu ke ç’të shohësh dhe syri të shplodhet,
Vetëm këtu ndizen dashuritë e arta.
Më thoni ju lutem ju vajzat e Vlorës,
Në plazhet e nxehta ku thuren dashuritë,
Ku qielli dhe deti puthen horizontit,
Në shpirtrat tuaja ka vetëm dritë.

Ju rrëfej këngën e ciganes së vogël Elina...
“Eja të t’fsheh në pyllin më të dendur
Ciganja ime, e bukura Elina
E nën pemën e bajames,
Për të parën herë të shoh hijeshinë
E lëkurës tënde të thekur
Se je e imja, e imja, e imja...
O shpirt i çmendur, më i çmendur se era
Bëmë një me shpirtin tënd bredharak.
Se s’ësht’ e thënë të ndihem kështu nga herë,
Për një grim lumturie jeta është kaq pak.
Eja ciganka ime, o yll i sapo rënë
Buzëqershiza ime, bel-thyer, trup-arta.
Gushës tënde do lë shenjë hënën e ngrenë
E gjoksit tënd perfekt puthjet më të gjat-a.”

MATURANTËT E QYTETIT TIM

Erdhi fundi i shkollës maturant,
Ethet e provimeve kanë filluar,
Për ju s’ka më lojna, s’ka gallatë,
Mbi libra natën vonë rini zgjuar.
Kujtimet valë, valë tek ju do mbeten,
Në ekskursione udhëve pa mbarim,
E në dërrasën e zezë ju do shkruani,
Për ditët e bukura që s’kanë më kthim.
Oh, sa shumë degë kam për të zgjedhur,
Nuk e di cila i përshtatet tipit tim,
Në u bëfsha doktoreshë, financiere a politikane,
Them se në jetë kam arritur një qëllim.
Shoqëria ime larg nga ju do jem,
Ku era e fatit mbi Vlorën tonë të fry,
Por në mendje e zemër përherë do ’u kem,
Malli do më marrë dhe lot do kem në sy.
Nuk dua trishtim, trishtim sjell vetëm ndarja,
Për ju maturantët e qytetit tim,
Ju filiza të bukur të këtij Atdheu,
Shqipërisë përuluni në përjetim...




0 comments:

Post a Comment