Vargje për
heroin
Libri “Kreshniku i Lirisë”
i kushtohet një prej figurave më të ndritura të U.Ç.K-së, njërit prej
komandantëve të saj të shquar që me vetmohimin e tij, ra theror për liri.
Krijuesit me vargjet e tyre në këtë libër i kanë ngritur atij një përmendore të
dytë, dhe kjo përmendore, krahas asaj që është derdhur në bronz, është edhe
përmendorja me fjalët e shpirtit. Janë pikërisht këto fjalë që burojnë si gurrë
nga gjokset e krijuesve, që me artin e tyre të të shkruarit, e ngritën në piedestal
këtë hero të lirisë, i cili si shumë shokë të tjerë braktisën jetën në perëndim
dhe u kthyen në atdhe. Ata rrëmbyen armët për ta çliruar tokat e të parëve të
tyre nga vargonjtë e robërisë. Njëri nga këta është edhe kreshniku i lirisë,
Ismet Jashari, nga Orizarja e Kumanovës. Puna përkushtuese e autorëve ka
arritur që përmes vargjeve të shkruara ta plotësojë figurën e këtij heroi me
artin magjik të poezisë. Natyrisht që puna nuk mbaron këtu, vepra të tjera do
të ketë në të ardhmen edhe në gjinitë e tjera të artit.
Vargjet e këtij libri pasqyrojnë aspiratën e trishtë të realitetit robërues
të një populli që më së fundi ka rrokur armët dhe lufton për liri.
Krijuesit kanë përdorur figura
letrare se si e shohin kreshnikun e lirisë. Në vargjet e tyre ai krahasohet me shqiponjën
që kthehet në folenë e vet për të mbrojtur zogjtë e saj. Ajo shihet si simboli
që fluturon në qiell me flatra të zjarrta duke u bërë mburojë e qiellit tonë pa
diell. Më pas kjo errësirë e një nate të gjatë e cila nuk po gdhinte, ndritet
me pushkën e tij duke i dhënë aromë jetës së pajetë.
Natyrisht që ky vëllim poetik
lëndën për poezi e ka marrë nga lufta, nga martirët e saj që nuk iu dhimbs jeta
duke pasur vetëm një ideal, çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Këto aspirata të
mëdha kombëtare nuk mund të vinin si me magji, duke qëndruar vetëm, duke u
lutur me duart lart nga qielli. Ato realizohen atëherë kur bijtë e saj
ndërgjegjësohen dhe rrëmbejnë armët si stërgjyshërit e tyre nëpër shekuj, për
të arritur qëllimin e madh. Pas luftës ka avantazh për paqe, sepse lufta
përfshin veprime luftarake ku disa nga luftëtarët bien heronj të kësaj lufte
për të cilën ata falin edhe jetën.
Ndërsa paqja shihet shumë larg, dhe herë-herë e pamundur, sepse nga përvoja ajo
është një mungesë që nuk vihet re se do të sjellë frytet e saj si mungesë e
dhimbjes.
Fiksionet poetike e
thellojnë akoma më shumë mendimin krijues. Figura e heroit qartësohet sa e
bën të gjallë me fjalë prekëse dhe na duket sikur ne akoma e shohim atë të
gjallë para syve, duke mësuar nga tradita e gjyshërve dhe stërgjyshërve. Pavarësisht
se heroin tonë e përndoqën qysh në fëmijëri, nuk e lanë të arsimohej, e ndiqnin
këmba këmbës sepse ia kishin vënë sytë si element i rrezikshëm për ta, por
pushtuesi i kishte bërë llogaritë gabim. Ai nuk e kishte menduar se ndër
shqiptarët ekziston edhe një shkollë tjetër më e madhe se ajo që mendonin ata.
Kjo ishte shkolla e odave, ishte çiftelia, lahuta që mbante të gjallë historinë
e të parëve, dhe pikërisht këtë shkollë ata nuk mundën ta mbyllnin dot,
nuk mundën ta çrrënjosnin sepse i kishte rrënjët shumë thellë dhe të padukshme,
e këto rrënjë ishin hyjnore. Tek disa poetë figura e heroit shpaloset në mënyrë
të drejtëpërdrejtë duke i vënë në dukje cilësitë e një luftëtari trim që
fluturon si dykrenori në Kosovë. Kujtesa e traditës historike shqiptare del në
pah menjëherë duke vënë në dukje edhe armatosjen, edhe qëllimin, se përse ai
rroku armën në dorë.
Poetët na
tregojnë se lufta është lënda e parë, dhe kjo e shpejton penën e një poeti
epik. Duke lexuar këto vargje ne menjëherë na vjen ndërmend vepra epike e
Homerit “Iliada”. Vargjet epike e ndjekin epërsinë e Homerit, duke e zgjeruar
pafundësisht fushën e luftës për të përfshirë paqen...E paqen mund ta
interpertosh si të duash! Disa e interpertojnë si mungesë të armiqësive, ose
diçka pozitive në të drejtën e vet...në këtë rast ne e shohim si çmim i blerë
shtrenjtë që ka pozitiven në të drejtën e saj....
Diapazoni
poetik i krijuesve të fjalës është i bukur. Ata me thellësinë e mendimit dhe
larminë e fjalës na japin ekspoze pas ekspozeje nga më të veçantat. Dhe
natyrisht këto ndjesi i japin ata njerëz që kanë si dhuratë muzën, që kalërojnë
mbi pegasin dhe pastrojnë qiellin nga retë. Ekspozetë poetike janë dridhëse. Ata
shpesh shkëputen nga realja dhe kalërojnë me pegasin duke përshkuar me mendimin
e tyre fushën e bruzët qiellore. Figura e kreshnikut të lirisë na paraqitet e
skalitur me mjeshtri nga pena e tyre, ku vihen në dukje përmes vargjeve tiparet
dalluese të heroit i cili nuk e do robërinë e atdheut vet, dhe këtë robëri ai e
ka provuar qysh në fëmijëri mbi kurrizin e tij. Tashmë ka ardhur momenti që kjo
robëri të flaket tutje jo me lutje dhe me lule, por me grykën e pushkës. Heroi
është i pari që e rrok atë sepse ai ia di asaj shumë bukur melodinë, ia di
dhimbjet atdheut në trupin e tij, dhe për t’ia shëruar këto dhimbje ka vetëm
një ilaç magjik që është gryka e pushkës.
Tashmë lufta ka mbaruar dhe është vendosur paqja. Pas fitores u festua me
këngë dhe valle, por sot kemi një metaforë supreme të kohës që është se ne
shihemi akoma si armiq, megjithë gjakun e derdhur dhe dëshmorët e rënë.
Megjithë fitoren që shijuam, armiqësia vazhdon akoma. Sytë e turbullt dhe
mendjet e mbrapshta megjithëse të humbur në këtë luftë nuk duan ta pranojnë. Sa
herë shkruhet dhe këndohet për heroizmin tënd ata heshtin e dridhen sepse ti me
veprimtarinë tënde për liri u ktheve në një legjendë për popullin dhe atdheun
që do të kujtohesh ndër breza.
Libri “Kreshniku i Lirisë” ku kanë shkruar
poezitë e tyre 67 poetë, me penën e tyre i kanë thurur vargje kreshnikut të
lirisë Ismet Jashari. Në krijimtarinë e tyre qysh në vargjet e para ata
paraqesin duke shpalosur artistikisht qëllimin e kësaj lëvizje të armatosur e
cila kishte idetë, qëllimin dhe mënyrën për t’u realizuar ato. Dhe këto mjete ishin armët, nuk ishin lulet, bisedat
diplomatike dhe përqafimet. Tashmë dihet se lirinë nuk ta fal askush. Ne këtë e
dimë ndoshta më mirë se çdo popull tjetër në botë, sepse liria nuk dhurohet,
por ajo fitohet. Duke lexuar këtë vëllim poetik më erdhën ndërmend vargjet e kryeheroit
tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut kur tha se : “Lirinë nuk ua solla
unë, por e gjeta këtu në mes jush”...
Në
krismat e pushkës së U.Ç.K-së ishin lajmërimi i bashkimit të madh kombëtar.
Këto shkëndija lufte dhe gjaku të derdhur ishin njësoj si për Çamërinë,
Preshevën, Iliridën, ishte ideali i madh, Shqiptaria.
Mirëpo poezia është poezi.
Askush s’ka pse të frikësohet nga vargjet e një poeti që me dhuntinë e tij të
dhurur nga Zoti këndon një këngë të tillë. Por poeti nuk mund të dalë jashtë
genit të popullit të vet që ta mohojë atë. Poeti do të dojë ta shohë të lirë.
Nëse ai do të bënte të kundërtën ai nuk mund të quhej bir i atij populli të
cilit i përket. Poeti ka një mision të veçantë të ngarkuar nga perëndia,
populli, dëshmorët që ia bëjnë gjakun të vërshojë nëpë vena, zemra që i troket
në krahëror, fryma që merr dhe i jep jetë në gjak, mish dhe shpirt të deklarojë
triumfalisht talentin e tij. Sot detyra më themelore për çdo atdhetar është
bashkimi kombëtar. Për këtë lufoi, ai, Ismet Jashari. Për këtë ideal e dha
jetën dhe prandaj jeton në zemrat e të gjithë kombit shqiptar.
Sot këto pohime të krijuesve,
disa mendje të mykura, disa mjekra të shpupuluara mund ta quajnë si një
diskutim të pohueshëm, mirëpo përjashtimet vijnë në mendje. Poeti sheh diçka,
ai sheh një pikë të madhe të pakontestueshme për atë që pohon dhe e kërkon me
forcë, sepse atë e thërrasin ca zëra të nëndheshëm që nuk e lënë të qetë, të
shohë ëndrra të bukura, sikur endet në lëndinat me lule...Ai ngrihet në mesin e
natës i mbuluar nga djersët dhe i kapërthyer nga ankthi. Këtë ia jep zëri i
gjakut të derdhur për këtë qëllim siç bëri Ismet Jashari. Pikërisht këtë pikë
të pakontestueshme, shikon poeti ku përmes artit dhe dashurisë për qëllimin e
madh e bën atë të pamëshirshëm edhe ndaj forcës më superiore.
Meqenëse për të gjithë
krijuesit tematika është e njëjtë ata kanë arritur që me penën e tyre të japin
larminë e vargut poetik. Është dhënë kushtrimi për të filluar luftën, popullata
është nën një terror të paparë, e lodhur, e vrarë pamëshirë. Njerëzit kanë
marrë rrugën e ikjes nga sytë këmbët. Vendi kudo goditet me zjarr e me hekur. Një
gjendje të tillë na paraqitet përmes vargjeve artistike të cilat nxjerrin në
pah cilësitë e heroit. Këto janë vargje mbresëlënëse që përmes figurave metaforike
na e kanë dhënë mjaft prekëse gjendjen e atyre ditëve. Përdorimi i figurave
aristike nga krijuesit pavarësisht se tematika është e njëjtë, ata me penën e
tyre kanë sjellë për lexuesin krijime të tilla që nuk mund t’i ndash nga njëra
tjetra.
Në çdo poezi që ne lexojmë
njëra pas tjetrës shohim se krijimtaria ka rrjedhur si ujvarë duke na përcjellë
me patos të zjarrtë figurën e kreshnikut të lirisë Ismet Jashari. Ky libër i
shkruar pas njëzet vitesh të rënies së heroit bëri që fjala të gurgullojë
papushim duke thurur vargje për veprën e tij heroike.
Çdo luftë ka dëshmorët e vet,
dhe u takon këtyre dëshmorëve nderimi dhe respekti për veprën e tyre heroike që
ata bënë për çlirimin e popullit. Dëshmorët janë një dëshmi e pavdekshme e asaj
ushtrie që njihet si U.Ç.K. Kjo ushtri hapi një faqe tjetër në historinë
tonë kombëtare. Ajo u vu përballë një ushtrie të armatosur deri më dhëmbë, e
stërvitur dhe e pajisur me armët më moderne të kohës. Ushtria sllavo - serbe
shkeli çdo rregull të luftës sepse ajo ndërmori një gjenocid të pashembullt
ndaj popullatës së pambrojtur. Ajo u soll mizorisht ndaj grave, fëmijëve, pleqve
duke përdorur ndaj tyre makinën ushatarake më të rëndë të kohës. Kësaj ushtrie
barbare si në kohërat biblike i duhej një kundërpërgjigje. Dhe kjo
kundërpërgjigje erdhi nga bijtë më të mirë të saj, që edhe pse nuk e kishin
përvojën, nuk i kishin armët, nuk ishin stërvitur nëpër akademitë ushtarake,
morën vendimin e madh që të përballeshin me të. Dikush në atë kohë e quajti si
diçka sipas oreksit këtë lëvizje që lindi nga vetë gjiri i popullit i cili
kërkonte liri, i cili kërkonte të shkëpuste vargonjtë shekullorë të barbarëve
serbë. Propaganda e tyre filloi të villte vrer papushim për njëzetekatër orë
kundër luftëtarëve të lirisë. Dëshmorët që binin në betejën e radhës ajo i
quante terroristë. Por një fjalë e urtë popullore thotë se “dielli nuk mbulohet
me shoshë”.
Veprimet e saj të organizuara
luftarake tërhoqën vëmendjen e botës. Ajo filloi të mos e besonte më propagandën
shpifëse të Millosheviçit. Kjo ushtri e vogël që përbëhej nga bijtë e saj më të
mirë dhe që stërvitej në kushte jo të barabarta me pushtuesin e bindi opinionin
ndërkombëtar se ata luftonin për t’u çliruar nga pushtuesi shekullor që i
kishte lyer duart deri në bëryla me gjakun e popullit të pafajshëm, vetëm sepse
ata ishin shqiptarë. Veprimet e tyre luftarake sollën në rend të ditës edhe
njëherë Çështjen Shqiptare, e cila për fat të keq kishte rënë në gjumin e saj
letargjik. Krismat e pushkëve të ushtarëve të lirisë, dëshmorët që binin në
beteja e shtynë opinionin ndërkombëtar të reflektojë për padrejtësitë historike
që i ishin bërë këtij populli dhe filloi pak nga pak ta përkrahte këtë luftë.
Për herë të parë kjo lëvizje e armatosur nxorri në pah edhe një element tjetër.
Organizimi dhe pjesmarrja e kësaj ushtrie në luftë nuk ishte e lokalizuar, por
ajo ishte mbarëkombëtare nga të gjitha trojet shqiptare. Edhe shqiptarët që
jetonin e punonin në emigracion, erdhën dhe mbushën radhët e saj. Veprimet e
kësaj ushtrie nxorrën në pah edhe njëherë miqtë dhe armiqtë e Shqipërisë. Një
nga miqtë e saj historik ishte dhe SH.B.A. Ata dhanë ndihmesën më të madhe në
mbrojtje të çështjes shqiptare duke qenë një nga aleatët kryesorë në luftë.
Gjithë këtë lëvizje
ndërkombëtare e vuri në lëvizje ai grup djemsh shqiptarë që iu dhimbs atdheu,
iu dhimbs populli nga ata lindën, sepse ata nuk mund të vepronin ndryshe nga
stërgjyshërit e tyre që u mbijetuan dallgëve të historisë vetëm përmes luftës.
Ranë dëshmorët e parë, ra komandanti legjendar Adem Jashari, Iliaz Kodra,
Antigona, Fehmi Ladrovci dhe Ismet Jashari. Këta që po jepnin jetën në fushën e
betejës ishin ajka e luftës. Prandaj ky vëllim poetik ka një vlerë edhe më të
madhe duke i kënduar këtij heroi. Dhe pena nuk do të pushojë këtu, për heronjtë
e lirisë. Vepra të tjera do të shkruhen për veprën e tyre heroike. Një bie por
mijëra të tjerë ngrihen pas atij që për atdhe dha jetën. Dëshmorët nuk
vajtohen! Për ata ka vetëm këngë.
Në këtë libër figura e heroit
të Kosovës dhe të gjithë trojeve shqiptare, nga poetët na është dhënë mjaft e
plotë. Ata me penën e tyre e kanë përjetësuar duke i ngritur një përmendore
tjetër, dhe kjo përmendore është përmendorja e këngës. E kështu poetët njëri
pas tjetrit me krijimtarinë e tyre e lartësuan kreshnikun e lirisë Ismet
Jasharin duke e përjetësuar në vargjet e këngëve që u burojnë nga zemra. Edhe
sot gojët e shthurura nuk mungojnë të hedhin baltë mbi heronjtë e luftës dhe
veprimtarinë e tyre luftarake si detyra më e shenjtë ndaj atdheut. Por
krijuesit kudo mbarë në trojet shqiptare dhe në diasporë, e kanë detyrim të mos
heshtin dhe dashur padashur të bëhen pjesë me shpifjet e radhës që ndërmerren
ndaj heronjëve të luftës dhe veprimtarisë së tyre. Ata kanë detyrimin që
talentin ta vënë në shërbim të kësaj çështje të madhe që akoma gjakun e ka të
freskët. E këto vepra nuk do të mbarojnë këtu, të tjera do të pasojnë në të
ardhmen.
Veprimtaria e kreshnikut të
lirisë Ismet Jashari ka nxjerrë në pah dashurinë e madhe për atdhe e cila është
më e madhe se çdo dashuri. Ai jetonte në Zvicër së bashku me familjen e tij,
dhe po të mos kishte pasur këtë dashuri të madhe ndaj atdheut ai nuk do të
kthehej por do të qëndronte atje dhe do të jetonte i qetë me familjen e tij. Por
tek njerëz të tillë si Ismet Jashari dashuria për atdhe është më e madhe dhe më
kryesore. Para dashurisë së fëmijëve të vet ai vuri dashurinë për atdhenë. Këtë
e tregoi me vepra duke rënë në fushën e nderit dhe duke mbetur i pavdekshëm.
Siç vihet në dukje edhe në poezitë e këtij libri, për Ismet Jasharin shpëtimi i
atdheut është lavdia dhe shpërblimi më i madh për cilindo. Populli
shqiptar ka luftuar për atdheun më shumë se për çdo gjë tjetër. Gjatë gjithë
shekujve e deri më sot historia ka treguar se sa shtrenjtë e kemi paguar ne
lirinë, sespe bijtë e këtij populli kanë luftuar me guxim dhe shpirt mbinjerëzor.
Ata nuk trembeshin përpara asnjë rreziku, por përkundrazi vendosmëria e tyre
bëhej më e madhe sa më i madh të ishte rreziku. Për fat të keq rreziku për ne
ka qenë gjithmonë më i madh. Duke qenë në këto kushte të vështira dhe të
pabarabarta detyroheshim që ta shtonim qëndrueshmërinë, këmbënguljen dhe
besimin për të mbrojtur nderin dhe lirinë.
Zgjedhën e huaj dhe terrorin e
saj nuk mund t’i durojë shqiptari. Ato janë më të rënda se vdekja. Prandaj ai e
quan vdekjen më të mirë se turpin, siç e përsërit edhe Naim Frashëri në
vargjet:
Më mirë me
nder të vdesim
Se me turp
të madh të rrojmë
Kreshniku i lirisë Ismet Jashari duke trashëguar virtytet më të mira të
popullit nga i cili mësoi dhe u rrit, ia shpërbleu atdheut të vet duke i
dhuruar jetën e tij....
Tiranë, janar 2018
0 comments:
Post a Comment