Monday, March 5, 2018

Sinan KËRPAÇI: Cikli Poetik “ KUR BREKËT KTHEHEN NË FJALË”

MBI RE DHE NËN RE
Ti e bëre edhe sot pyetjen pa klas
dhe unë përsëri t`u përgjigja
që dashurinë s`e kam shifër.
Mbete skllave e pyetjes provokim
duke mos i lënë hamendësitë mënjanë,
harron se unë e ndërtoj planetin e dashurisë
me paralele dhe meridianë,
dhe nuk e kam kafaz.
Si piloti as i qiejve,
mbi re dhe nën re,
ngas me pasion “Boeingun” e saj.
E bëre edhe sot pa takt atë pyetje
që në fillim,
kur e nise me një “Sa”,
që unë e ktheva pa të mbajtur inat
në avion “Boeing”.

SHKUMA E VALËVE
Kur koha e deshi të bëhej kështu, qëlloi që dhe ne e deshëm
dhe s`ishte ai metali në gisht që na bëri komb.
Vazhdojmë në tonën dhe duhemi e duhemi po si njëherë,
i kemi prerë betimet me fjalë, e kemi lënë lumin të rrjedhë.
Jemi po në valët e Muguçalit, ku të putha e të putha pas shiut,
fjalët e dashurisë nuk i flasim por i tjerrim në shkumën e valëve.
Se gjithë kohën me mua bëri si deshi përroi Muguçal:
m`i zhveshi te bujani i Gurit të Gjatë edhe brekët e më ktheu në fjalë.

MBI RE DHE NËN RE
Ti e bëre edhe sot pyetjen pa klas
dhe unë përsëri t`u përgjigja
që dashurinë s`e kam shifër.
Mbete skllave e pyetjes provokim
duke mos i lënë hamendësitë mënjanë,
harron se unë e ndërtoj planetin e dashurisë
me paralele dhe meridianë,
dhe nuk e kam kafaz.
Si piloti as i qiejve,
mbi re dhe nën re,
ngas me pasion “Boeingun” e saj.
E bëre edhe sot pa takt atë pyetje
që në fillim,
kur e nise me një “Sa”,
që unë e ktheva pa të mbajtur inat
në avion “Boeing”.

“Si e kam djalin, o bir?”*
E kisha parë në sytë e ushtarit dje dhe pardje
nënën labe që më tha “Si e kam djalin, o bir?”
Vuri shenjën e barazimit midis djalit dhe mua,
si nënë ndezi një zjarr me dru lisi
në ato dy-tri fjalë të ngroheshim të dy.
S’më tha komandant si më thonë ushtarët,
gjeti tjetër rrugë të më kishte më afër,
nuk e thirri, e la vetë t’i vinte fjalën,
nuk zgjati dorën, por hapi krahët
për të shkarkuar si nënë mallin.
Kaq na u desh dje
që unë të takoja nënën time dhe ajo djalin.

NUHATJEHUMBUR
Ma hapni pak rrugën ju qentë rrugaçë,
tek e përbashkëta kam pjesë edhe unë:
nuk është faji im pse u shtuat shumë.
Të lehurat e çjerra ua dëgjoj dhe në gjumë:
hum-hum, rrugaçë nuhatjehumbur, hum-hum.
Të ishit si ata që luftojnë me ujkun në male
fre do t`i vija gojës, sa do t'u ruhesha fjalëve!
Ju s'jeni të luftës, – viktima të kazanëve.
Jeni pa fushëbetejën e gardianëve në stane,
të trullosur, të përgjumur,
armëhedhur në plehra, nuhatjehumbur.
S'e keni një motiv të madh për të luftuar,
zagarë që u mungon i zoti, krijesa bashkie
të lindur nga plehrat, pa ndeshje me ujkun –
mungesë respekti dhe besnikërie.

KORRIDOR I GJATË
Korridori i gjatë,
i gjatë si vetë turni i tretë
i gardianit në burg
pret orën të popullohet
nga “pakot”* në qeli:
të dalin të burgosurit
e “demokracisë”
më të shumtë se në Diktaturë
dhe të kthejnë në rrugë
këtë vetmi
me të drejtën që u jep ligji.
Në skaj të korridorit me “pako”
rri Europa që nuk na qas,
me refrenin monoton:
“Korridor i gjatë, korridor i gjatë!”

KORRIDOR I GJATË
Korridori i gjatë,
i gjatë si vetë turni i tretë
i gardianit në burg
pret orën të popullohet
nga “pakot”* në qeli:
të dalin të burgosurit
e “demokracisë”
më të shumtë se në Diktaturë
dhe të kthejnë në rrugë
këtë vetmi
me të drejtën që u jep ligji.
Në skaj të korridorit me “pako”
rri Europa që nuk na qas,
me refrenin monoton:
“Korridor i gjatë, korridor i gjatë!”

MË GËNJE NË S`KA NDODHUR
Mos thuaj që s`e ke parë një ëndërr me mua,
mos e fol me gojë, me dorë mos e shkruaj,
më gënje, më gënje në s`ka ndodhur
në natën që mbolli pagjumësi këtej.
Më gënje si koha gënjen kumbullën të çelë e gënjyer,
si vjeshta pjek para kohe frutin e hershëm
e pastaj e shkund në tokë me erë.
Më gënje se të besoj, më gënje edhe një herë!
Veç bëmë lulekumbull të çlodhësh vështrimin,
veç bëmë frut të pjekur të varur në degë
me shpresën se një ditë do njom buzët e tua.

KËRKOJ NJË DET
Në të ecurën tënde jam rrjedhë edhe unë,
varem nga “Tri majat” dhe kërkoj një det,
pas më ndjek një diell nëpër ditën time
derisa në mbrëmje unë e zhyt në Jon
për ta zgjuar nesër herët nga një stan
kuqon e Borshzallit.
Rrjedhë jam, lumë jam në atë të ecur,
pas të ndjek me diell në stërkala dallgësh
kur të tund në Jon, kur të tund...
Pres një natë t'i them "nata e Borshit"
e zgjuar ta mbaj gjithë natën
deri aty në të gdhirë gjersa detit t'i vë flakën
me një kuqo nga tri majat
vetë i dytë me një sykaltër.

PËRGJIGJE
Për mua do të jesh Aeroporti “E...”
ose “Pista që më ngre në qiell”,
pema që nuk varesh si shelg lotues,
por kërkon diell.
Thua se jam pa fre në dashuri
e fjalën ma lëshon si sëpatë:
mendon se je duke kërkuar diell?!
Të zgjat dorën, të them: ngjitu lart!
Dielli është arma që mbaj në dorë
nga lartësia ku në pritje rri,
ku vetëm poeti nuk di të bërtasë
nga pragu i fjalës: sëpatë, sëpatë!
Vetëm kështu nuk bëj me fjalën,
kur të quaj Kokërr e Majës
dhe pres t`u vendos yjeve emra.

PËR TY, O DËBORË
E lodhur nga Parajsa ule poshtë:
kërkon Tokën që e gjen
dhe bie gjithë gaz,
ne – dy poetë nga ”Kati i Dytë”,
me kobure të shkrehura të vijmë pas.
Zbresim nga i Dyti: Parajsa jonë.
Dy poetë, me dy kobure bosh,
që me hamendje kërkojmë tokë
e ti: bukuri e ftohtë, na bie mbi kokë.
Të dy palët e gjejmë gjuhën
se nga Parajsa vijmë.
Ti sa na prek e ne të shkrijmë,
na ledhaton,
me duart e flokëve na nxjerr rakinë.
Jemi tre udhëtarë
që nga Parajsa vijmë:
ti – një që ule nga qielli,
ne – dy nga “Kati i Dytë”.

PJEKJE
Koka ime, kjo e qethura shkurt
ngjan e rrumbullakët si një mollë.
Nëse i japim edhe pak nga qafa
më shumë do afrojë me një dardhë,
një dardhë në Fushëbardhë,
nga ato që piqen fort e bëhen llunga
me diellin e Çiçilisë në mëngjes
i dorëzuar mbasdite si dashuri te Luca.
Dhe pjek në rrotullim, pjek ky diell,
pjek fjalën në mollëdardhën time.

PEDAGOGIA E LETËRSISË
(Ia kushtoj pedagoges sime në shkollën e oficerëve, Kostandina Çollaku)
Është një i vogël në togën e katërt
që mund të shkruajë për ju...
Nuk e tha asnjëherë se ç`vlerësim kishte në të vërtetë,
por kur i nxirrte nga mesi i ditarit vjershat e mia
dhe i bënte publike ato klasë më klasë
i lexonte të ndjera si për dhjetë.
Emrin ma thirri me zë vetëm kur në “DRITA”
unë i botova dy vjersha,
kur dola në gazetë,
dhe i rregulloi “ushtarit” me mik një vend
te Skënderbeu: në Bibliotekë.
Nga toga e parë tek e pesta
më ka kënduar në vesh “Batalioni i Dytë Këmbësor”,
më kanë ndjekur fjalët me zë dhe pa zë gjithashtu:
është një i vogël në togën e katërt
që mund të shkruajë për ju.

TË MIVE U THASHË “JU”
Në moshën që s`njihja shkronja
nuk isha pa abetare.
Me fishkëllimë te buza
si dhuratë nga ata,
nga ata që u thashë “Ju”
unë e kisha këngën labe.
Tridhjetegjashtë shkronja alfabeti -
abetare shqipe faqe më faqe
i lexova si një:
fjalën “unë” e fola me vete,
fjalën “JU” e thashë me zë.
Zogjtë uleshin mbi dëborë
dhe linin me kthetra
për abetaren time shkronja.
Të shpreheshin te kënga
u shkërmoqja thërrime:
si ditën që u bëra dhëndër
dhe ata cicëruan në dasmën time.

O UJK QË NA HA TË GJITHËVE
Me qimet e ndritshme si argjend
sillesh somnambul nëpër gjumin tim
gojëhapur me plot dhëmbë ujku.
Zbrite nga malet dhe më ruan shtëpinë
që unë kur u çmenda e braktisa:
shtrihesh në krevatin tim si pasha,
dhe s`fle më nën lisa.
Nuk të dua, o zoti ujk në shtëpi,
s`të dua tek e kujtimeve dollibash,
aq me tepër të më nderesh dhe në shtat.

KËTU ËSHTË BURGU IM
Tani ai ndodhet që nga unë
njëqind e njëzetë kilometra larg,
i madh në një fushë kënetore të shkretë.
Them për atë me mall dhe dhimbje:
“Këtu është burgu im!”
si të jetë në Sheshin Skënderbej.
Herë njërën dhe herë tjetrën dorë
zgjat nga Tirana drejt tij
kur flas për më të madhin burg
që mos të duket larg:
“Atje është burgu im!”
Ëndrrave të gjumit në kryeqytet
i largëti im nëpër natë më del,
afër nuk është e përsëri them:
“Këtu është burgu im!”
për burgun tonë të madh.
“Këtu...” dhe “Atje...”,
sa afër e kemi ne - gardian e poshtë.

DUA T`JU BIND
Si t`ju gjej, tha ajo që më erdhi në pranverë,
si t`ju gjej kur t`i bie telefonit celular
e zëri im të mbërrijë ku thua se je?!
Më trego ca shenja të tuat me fjalë
si ato mbrëmë “on line”
sa të mbërrish atje ti i mesnatës,
ku e lamë.
Kam një gazetë zhurmëmadhe në dorën e djathtë
të mbrohem me vjershat e mia nga dielli që djeg,
kam librin “O Tomorr në PEKIN” në xhep
me dedikimin fjalëshumë për ty,
kam xhaketën zvarritur mbi supin e majtë
si u ngrita nga gota gurmazlagur,
dhe kokën avull plot me poezi:
t`ju bind se nuk jam vetëm “on line”,
se shkrij nga Dielli, se çel, se nuk jam akull.

0 comments:

Post a Comment