Monday, March 5, 2018

Ramiz Kuqi: Cikli Poetik " CICËRIMAT E MARSIT"

KOHA
M’i ka ngarkuar fjalët
Si malet me borë
Këta të pasoj
I sheh me kravatatë tē kuqe
Tek zbresin te varret
Me xhipa të zinj
E truprojë
Ç’u duhen mes turmēs
Që shqip i flet marsit
E dhimjen e nënave
S’e dëgjojnë?
Koha
Ma ka ngarkuar
Barrën
Si gur Sizifi
Mbi varg të kryqēzuar!

VJEN E IK
Si një ëndërr e përhitur
Me krahë të padukshëm
Shtrin këmbët gjerë e gjatë
Si të ishe mbret në pallat
Fjalë
Ti dashnore nëpër vargje
M'i derdh stinët si erë
Të ndrydhin nëpër dosje
Fletëza
Me shenjë të kuqe
Kur nuk u buzëqesh nuri
Në vargin tim vjen
Sa herë nata zbret si nuse
Në dhomën time buzëgaz
Kur më sheh të mrrolur
Më rrëmben për pallton e vjetër
Më thua sa herë
Zgjohu
Mbush kupën me verë
Merr stilolapsin në dorë
Shkruaj poemën për tokën
Fishkëllo mbi maskarenj
Që të mbajnë si në burg
Vjen e ik
Por unë asnjëherë
S'u hidhërova me Ty
Edhe kur dal pa obrellë në shi
Duke kërkuar një yll
Në qiellin tim POEZI !

PADASHJE
Lashë vargjet dot
Pa pikë e presje
Lë të derdhen fjalët
Pa rimë
Ashtu shtruar
Si gjethet e malit
Në vjeshtë
Kur kojrilat vargëzohen
Si litar i pakëputur
Nëpër qiellin e poezisë!

PËR 7 MARSIN
Ke ecur me shkronja të përgjakura
Me qiriun e Naimit
Në udhën e stërgjatur të shekujve
Dritë
Në shpirtin e kombit
Rrethuar nga armiq
Stamboll Athinë e djaj Karpate
Leckosur
Po flamurin e Abetarës
Nuk e lëshova
Nga duart tua të plasaritura
Mbolle bimën e lirisë
Ke ecur me shkronja të përgjakura
Fushave
Nën hijen e lisave
Rreze dielli u bëre
Në stinën time
Shkronja ime e Diturisë!

O HIJENA
Në cdo gur e shkëmb
E lisa me gjethe plot
Jam gjak toke 
Flamur i shekujve
Në cdo betejë
S’e kam ulur kokën
Ditën kam varrosur heronjtë
Në agim
Pa lindur dielli
Kam zbritur në bedena
Plumb qielli
Zog atdheu hijena
Jam
Këtu e mijëra vjet
Ma keni copëtuar hartën
Azi dhe Evropë
E hijenat e Ballkanit
Zgjojnë hijet
Po unë jam rrap
Që nuk me shkul
Asnjë erë!
Lulebozhur jam
Në tokën time!

JEMI MIQ POEZIE
Ndaj s’i ka fjalës hidhërimi
Kur na rrok ndonjë dallgë casti
Harrojmë se jemi poet
S’di a na vret pendimi
Edhe kur të them
Ke sy trëndafili
Na ka lodhur ky dimër i egër
Ndaj na dridh malli kur vjen prilli
Jemi miq poezie!

CILI ZOG
(Ali Podrimjes)
Të grishi
Buzë lumit të panjohur
E dëgjoi klithjen tënde poet:
Kosova është tokë që s’shitet
As nuk blehet
Gjak
Që rrodhi nëpër zhguna
Atje maleve lart mbi kodra
Atje
Ku lulet gojëfile
Ndjellin rreze dielli
E një fyell
Që bie
Nëpër këngë të pakënduara
Prapë Evropa
Plas gishtërinj mbi plagë
Me plëngprishësit e kullës sime!
Cili zog?

FRYMËZIM MËNGJESI
Në Alnabry bie borë e butë
Me fluska derdhur nëpër rrugë
Si stinët tona
Me ëndrra të kryqëzuara
Shpesh të duket si asgjë
Si një hije e përhimtë
Që na i nxjerr fjalët
Si gulcim dallgësh
Nga detra të largët
Kjo muzë !

DHIMBJE
( Të rënëve për liri)
Ti je Prekazi im
Që kohës
I ke dhënë erë lirie
Je dhimbje e Sharrit
Që gjëmon
Kur vjen marsi
Ata zgjohen
Ulen ballë nesh
Enden
Nëpër lot nënash
Dhimbje o Sharr
Plagë e hapur
Ti je Prekazi im!

0 comments:

Post a Comment