Friday, March 9, 2018

Ramiz Kuqi: NË SOFRËN E FJALËS

PSE LULET
Rrinë aq bukur në duart tua
E nga sytë shkëndija fluturojnë
Drejt një qielli të pafund
Ku toka gjëmon nga lulevjollcat
Pse lulet
Kanë emrin e nënave fjalëurta
Që botën e lumturojnë.me buzëqeshje
E lot
A do të kishte ardhur pranvera pa Ty
E zogj?
Rrinë aq bukur në duart tua
Që dhuron ëndrra për poetin
E kopshtarin në kopsht të luleve
Që mbjell trëndafila për Ty!

NË SOFRËN E FJALËS
Qetësi e pafund
Vetëm perdet ngjyrë gri
I lëkund një erë e lehtë
Një portret rri i heshtur
Në gozhdën e vjetër
Ca faqe librash të hapura
Një kopertinë pa ballinë
Dikush derdh një gotë verë
E zbrazur më duket kjo natë
Ndonëse degët e mbushura me borë
I shkund kjo fërfëllizë
Në lagjen pa emër dëgjoj
Një tingull të brishtë violine
E një zë të dehuri
Që hepohet nëpër udhë
Me shishe në dorë
Këmishë të shkopsitur
Në sofrën e fjalës !

PËR 8 MARS
Lule
E gjethe trëndafilash
Ju meritoni
Gjunjëzimin e fjalëve
Jeni varg
Metaforë malli
Nga gjiu juaj
Lindi dielli
Lule !

KOHË E FRIKSHME
Mbaj mend shkallët lakore
Dhomat e mësimit nëpër kate
Ndonjë sydjalli
Përmes vrimës së derës
Që donte të futej në Abetare
Ndonjë syzi
Që ndiqte nëpër korridore
Ngjyrën e kuqe
Kur liria trokiti në degë mollësh
Eu zhbiruesit e djeshëm
Seç na u bënë atdhetarë !
Kohë e frikshme
Një dashuri e njëqind mëkate !

SKAM FJALË PËR TY
( BREZAVE ARSIMORË)
Ti nuk kërkove asgjë
As pagë të majme
Si kryekungujt e mi
Ministra deputet
Hajdut të kohës
Që lëmsh m'i bënë germat
Shkruar me gjak
Në dorë mbaje një Abetare
Nën dritën e qiriut
Ece
Pas një zëri
Që të shpiente
Drejt një drite të vogël
Ece
Me pantollona të grisura
Për një këngë lirie
Të bënë plagë mbi trup
Ti durove
Në lëkurë të dashit të futën
Por ti qëndrove
Si burrë
Nëpër sa harqe ke kaluar
Urë mbi urë
Ti nuk kërkove asgjë
O i urti fisniku fjalëpak !

PROTESTAT E GERMAVE
Lermë të ec udhës sime të shekujve
Me djersën e pishtarëve nëpër Abetare
Që natën na e bënë dritë
Të flas me Pandeli Sotirin bac Ademin
Që shqip i foli shkaut në konakun e Shkronjave
Lermë i o njerëz të ec udhëve të Evropës
Pa sac mbi këto germa gjaku
Që i kam rritur si fëmijë nëpër stinët me shi
Dimrave të egër me borë e skllotë
Secilës germë i kam vënë plisin e bardhë
Dhe Flamurin e kryetrimit Gjergj Kastrioti
Lermëni!

NË DRITARE TË VARGUT
Kanë mbetur
Stinët e grindura
Mbi ne
Shi shi shi
Ky qiell Ballkani
Mbushur me re të mllefosura
Ëndrra
Shpresë të pafund
Në dritare të vargut
Sogjoj vetveten!

O GREK
Camëria rron në shpirtin tim
Cdo natë unë flas me rrudhat
E rrudhura në ballin tim
Ec
Me fanar të ndezur
Flas me plumbat pas shpine
Që m’i derdhe mbi nëna
E fëmijë lehonë
O grek
Ti ma ngacmon fjalën
Me Evropë
Kur unë isha atje
Me Gjergjin
Camëria rron
Nëpër faqe të gjakosura
Të një libri të pashkruar!



0 comments:

Post a Comment