Monday, November 28, 2016

Hile Lushaku - Shitësi i qumështit


Shiu i mëngjesit të 104 vjetorit të pavarësisë, në rrugën “Don Bosko” krijoi “hurdhat” e përhershme. Në ritualin tim të përditshëm, edhe pse shiu ishte litar, nuk e ndërpreva “gjimnastikën” e mëngjesit, edhe sot, atyre trotuareve, që meritojnë t’u thuhet “mashalla”, me rirregullimin që u bëri Bashkia. Çdo agim dite takon aty fshatar që tregtojnë produkte bio. Këtë të hënë, pushim feste, atij “pazari” i ishte bashkuar edhe një fëmijë rreth 10 vjeçar, i cili po rrinte në këmbë, si statujë, pranë disa shisheve qumështi dhe një dorë gjethe presh, shtruar në një plasmas. Befas, aty pranë, kaloi rrufeshëm një makinë luksoze, ngjyrë e zezë, që hodhi si shatërvan ujin e ndotur të rrugës mbi trupin e fëmijës së brishtë dhe produktet e pakta të tij. E “fotografova” në shpirt dhimbjen e tij të brendshme, teksa puliti sytë, u shtrembërua në fytyrën e njomë, rrudhosi mjekrën e vogël dhe lotët i shpëlanë baltën që i hodhi ai hori i luksit. Nuk e di nëse ai “hamshor i hazdisur makinash” ishte prind, mbase ishte dhe fëmijët e tij “lodronin” në ëndrrat e mëngjesit, por sot ai i pashpirt, i la në zemër, atij fëmijës së fshatit, një “vragë” me shumë dhimbje. Mornica më përshkuan trupin prej asaj pamje migjeniane dhe ndjenjës së pafuqishmërisë për të ndrequr “një tullë” në këtë karabina horash. Jo shumë kohë më parë, një mesnatë, një i “pafre” aty afër, e hodhi në ajër një të pafat dhe dërgoi në botën tjetër.

0 comments:

Post a Comment