Saturday, November 26, 2016

Prend Buzhala - NGA PASKAJORI TE PJESORI


(Çaste shkrimi; tregime me pak fjalë IV), 56

Kam mësuar: për ta qetësuar detin, ti duhet të biesh nga lart mbi ujë. Po qe se rrëzohesh, pas një dallge shqetësimesh, ti e qetëson brendinë tënde. 
Mbaj mend të më ketë thënë para do kohësh ai Plaku i Urtë:
"Megjithatë, të duhet të mësosh se si ta hedhësh gurin për të krijuar rrathë në ujët e qetë.”
Sot nuk u takova me të.
1.
Rreth meje u krijuan rrathët e ndritshëm. Rrathë vizionesh. Nëpër rrathë mu vërsul një mendim, si një gur që trazonte dritën. Mendimi vërtitej si gur në hapësirë. Fluturonte nëpër hapësirë. E vëreja nëpër terratinat e pafund se si sillej e rrotullohej, mi lëbyrte sytë kur vërtitej nëpër terrratinat e dritës...
Shëno: nëse “dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës”, si thuhet te Zanafilla 1,2, atëherë ku ishte drita. Një tekstshkrues pyeti: kush ishte krijues i errësirës? Si ndahet drita nga terri, si ndahet dita nga nata?
Shëno, sipas atij tekstshkruesit që ia kushtoi një libër të tërë dritëhijes, hijedritës: dhe çka ekzistonte përpara errësirës?
Punë për bibliologët dhe për fizikanët... Fizikanët mund të na e shpjegojnë thyerjen e dritës, dritën e thyer... që buruaka nga errësira!
Aty diku, qëndron Pavetori, Paskajori, I Tejetlarti... Infiniti... Në Infinit ishin, së bashku Errësirë e Dritë, Adam e Evë...
Këndej prej nesh sillet Evolucionisti, Dytëshori i Krijuesit... Pjesori.
2.
Më përfshinë përpara fibra të panumërta drite. Kisha kaluar në Zonën e Paskajores. Aty ku Pjesorja e kishte kryer punën e vet të ndarjeve... Një tjetër nivel i vetëdijes më dëboi së andejmi.
U përplasa si një gur në rrathët e jetës së përditshme...

0 comments:

Post a Comment