Wednesday, November 30, 2016

Namik Selmani - Filizët e bukur të shqiptarisë pranë trungut të një kombi


Mendime për librin poetik të Ajet Shalës “Rrapi arbëror”

Në këto 10 vjet të gjithë kemi parë përherë tek ky poet një dashuri të jashtëzakonshme për fjalën shqipe për atë fjalë që është bërë si jetë e dytë, të cilën ai e ka jetuar me veprat e tij. Sa shpejt kaluan këto vite krijimtarie për poetin Ajet Shala, për lexuesit e tij të shumtë në Kosovë, në Shqipëri e në mbarë trojet etnike!  Një jetë që nuk ka pasur vetëm lule, kujtime që duhen të derdhen në fjalë vargjesh, sfidash të fituara, në dritë ylberore, humanizëm të pashoq që rrallë mund te gjesh te mërgimtarët e shumtë të të gjithë trojeve etnike. Përherë kam parë atë ambicie të madhe për Fjalën e mençur tek ai, pa të cilën të paktën një poet, pa folur një njeri tjetër publik si një avokat,  një politikan, një klerik i çdo feje qoftë një mësues,   nuk mund  ta kryejë detyrën pa e pasur atë brenda vetes, brenda qenies, brenda frymës, brenda asaj që në letërsi të gjithë e quajnë ORIGJINALITET.
Përtej kësaj të vërtete, që tek Ajeti është po kaq e madhe sa tek poetët që dinë se ku të shkruajnë, dine se për kë të shkruajnë, kam pyetur vetën, mbase në heshtje edhe vetë atë, Ajetin: “A mos kam bërë ndonjë herë (Më fal, o Zot!) në mëkatin e një përsëritjeje të panevojshme  në gjykimin për poezinë e tij, për vargun e tij, pse jo edhe për tërë atë punë voluminoze, që pati jehonë të jashtëzakonshme në mbarë trojet etnike të dy antologjive me përmasa të mëdha   për dy dëshmorët e Kosovës 
Koha do ma gjykojë këtë  “mëkat”, por  nuk kam rënë në këtë grackë ku bien shpesh ata që jo saktë duan të thonë atë që ndiejnë. Sa herë që kam prekur magjinë e poezive të tij, jam prekur emocionalisht dhe kështu ka kaluar për mua testi i parë i një poezie që është i njëjtë në të gjithë kohërat e në të gjithë vendet. Jo, ai nuk ka vetëm filozofi në poezinë e tij, por ka dhe emocion, ka gjetje, ka detaje që të befasojnë. Në të dhjetë librat e tij, herë si lexues e herë si kritik letrar, pa folur edhe si bashkudhëtar në rrugën e  bukur dhe sfidante të krijimtarisë, kam parë tek poezia e tij një poezi që piqej e  piqet vazhdimisht pa prekur kurrë anticilësinë e saj artistike. Për fat të keq, poezia jonë sot, qoftë në Kosovë e qoftë në Shqipëri, është viktimë e një poezie monotone, e një poezie që jo gjithmonë ka ndjesi poeti, ka përkëdhelje të pakta fjalësh ka dritën e shpirtit  që shoh herë si ylber, herë si dritë, herë si rrëke drite te zemrat e lexuesve përherë tek poezia e Ajet Shalës kam parë risi. Dikur në vëllimet e para poetike kishte shumë jehonë betejash, kishte shumë heronj që ishin mbledhur në ODËN E VARGUT TË TIJ, si të ishin miq të një ideali kaq të madh sa vetë liria. Në poezinë e tij sheh të tjerë horizonte që njeriu qoftë edhe ai që nuk ka lexuar asnjë poezi kërkon që t’i prekë. I ngjan një qielli që ka shumë shtëllunga resh dhe ti e sheh atë lart, lart nga një dritarez e vogël avioni krahëçeliktë. Dhe në atë çast, nuk je thjesht lexues, por dhe një poet, një kreshnik qiejsh. Ajet Shala është një punëtor i madh i shkronjës shqipe. Është në lavërtar i papërtuar që nuk do të skuqet asnjëherë për mëkatin e një vargu pa ritëm, të  një vargu pa frymë shqiptarie. Është poeti që, pak nga pak, edhe në një vend të huaj nuk e braktisi fjalën e bukur shqipe. Dhe më thoni o miqtë e mi, më thoni, lexues të këtij libri të ri: ”A nuk është bukur a nuk është një heroizëm i dukshëm që të mbash të gjallë edhe atje larg fjalën e  bukur shqipe? Ai e kupton se ka ikur larg koha e krismave dhe ka ardhur shumë më tepër se më parë, koha e LIGJËRIMIT SHQIP.  Ai është nga ata poetë që si lavërtar i mirë nuk do të mbetet fytyrëskuquri, por është si një bujk që e di se si duhet të mbillet fara e mençurisë vargrore dhe kohën më të mirë se kur duhet ta hedhësh në fletë atë.  Po të shohësh me vëmendje tematikën e  vëllimit që po ua paraqesim lexuesve, ajo është më se e larmishme. Ajo është e gjerë, ashtu si dhe bota poetike e tij. Poeti Ajet Shala jeton dhe frymon me shpirtin e kombit kudo ku ai ka qelizat e tij të jetës. Një nga risitë e poezisë së tij është Poezia e portretit. Në të gjen mjaft figura të rëndësishme  të kulturës, të historisë, të miqve të tij që në secilin varg të tyre bëhen edh më jetësorë.  Kam parasysh në këtë grupim poezish tërë universin e vërtetë për një çast poezinë që ai ia ka kushtuar  patriotëve studiuesve dhe luftëtarëve për lirinë e Kosovës. Do të dallonim mes tyre  Mevlude  Saraçin.  Në këtë hulli poezia te ai ka gjetur mjaft mirë detajin poetik atë që e bën të veçantë një personazh historik nga tjetri. Dhe poezi të tilla jo vetëm të japin një informacion, por edhe të shpalosin  para teje, modele njerëzorë që ti, unë dhe të gjithë na duhet që t’i ndjekim kudo e kurdo.

Ti je gur i rëndë në Kullën e bukur të vendlindjes
Je Porta ku hyn vetëm begatia, ngrohtësia e mirësia.
Të falem, o fisnike, o fitimtare e pagabuar e çdo sfide
Tek ti merr dritë engjëllore e ardhmja, shqiptaria.

Ajeti e sheh natyrën e  Kosovës me shumë dashuri. Kudo ai ka një lumë Kosove brenda vetes, një mal, një betejë, një livadh, një kullë, një lahutë, një çifteli, një bunar. E thotë këtë bukur mirë edhe në poezinë “Mbrëmje në Lumbardh” ku të bën që të jesh edhe ti si lexues, pjesë e këtij karvani kohërash njerëzisht, vendesh

Lumëbardhi gjarpëronte e gërryente shkëmbinj 
Valët e trishta iknin në zbritje, gurët rrotullonin 
Xixëllonjat me dritë më përcillnin pa mbarim 
Në fushën e mbrëmjes hapat e mi dëgjonin.

Poezia e tij është shumë herë një DIALOG. Një dialog i prekshëm, emocionues me token, me dëshmorët, pse jo edhe me ata pseudopatriotë që  duan të shkelin mbi të vërtetat e Kosovës dhe të një historie që ka folur me gjak me krisma, me sakrifica. Tek poezia “ Një plis dhe” ai është kaq i drejtpërdrejtë.

Atdhe, merrma lotin kristalor si litar shiu 
Toka të më ndiejë dhimbjet gjer në palcë. 
Ti je ëndrra që nuk ma than asnjë erë veriu 
Ti je plisi që më del në ëndërr ditë e natë.

Diku pas thërrimes së dheut të tokës së tij, ai kërkon që kudo të jetë pjesë e saj. Sërish me dialog, me një dialog që shpesh të bën edhe të bashkuar me fatet e atdheut.

Toka ime, merrma lotin kristalor të tharë 
O dhimbje e thellë e futur deri në palcë 
Ti je ëndrra më e ëmbël që dikur kam parë 
Të lutem, një plis dhe sillma si dhuratë.

Poezia e tij është bërë më therëse kur kërkon që të trajtojë ato fenomene sociale që ka kombi ynë.

Thellë në damar jemi shqiptarë 
Zagarët le të lehin në fushë e në mal 
Dielli, hana sa të ndrijnë në pafundësi 
Do ketë vetëm një komb, një Shqipëri.

Përherë e ka trajtuar temën çame në vëllimet e mëparshme, por në këtë vëllim ai është bërë më i ndjeshëm. Është një hambar i vërtetë me figura letrare që të emocionojnë dhe të detyrojnë që ta rilexosh disa herë këtë poezi

Djepat rënkojnë për një ninullë të pafajshme 
Foshnjat t’i lidhin me pelenat e dhimbjes 
Nën gërmadha sofrat presin bukën e dasmave 
Rrugët presin karvane krushqish e valle çamërishte.

Në këtë univers të vërtetë kombëtar dua që ballaz të falënderoj këtë poet edhe për një poezi përkushtuese që ai ka vënë në vëllim për mua. Kemi kohë që punojmë së bashku kemi qenë në mjaft aktivitete së bashku dhe plaga çame na dhemb të dyve njëlloj. E vargje të tillë përkushtues si ato të bëra për mua vërtet që të rrisin obligimin për fjalën shqipe.

Tek fjala jote mësova të dua zogjtë e qiellit
Të dua Çamërinë që e kam plagë të patharë
Eja, miku im, të prekim bashkë rrezet e diellit
Të puthim tokën e gjyshërve në tokën e lashtë.

Ajet Shala a prej kohësh një moto poetike. Çdo poet ka një të tillë që bashkon si në një sofër ta madhe të stërmadhe me vargje, atë fjalë-diell që ndriçon poezinë e tij 
Këtë moto do ta gjeni te një poezi e kohëve të fundit për të bërë atë kurorë që ka dhe do të ketë në të ardhmen poezia e Ajet Shalës . Është një poezi që sikur bën garë me diellin Të bësh një garë të tillë, nuk do të thotë se je përherë fitimtar, por të gjithë duhet të përgëzojmë atë guxim krijues që e ka shoqëruar këtë poet, që nga libri i parë deri te i fundi. Me besën e madhe dhe të bukur që në këtë Rrap të moçëm arbëror përherë do të ketë filiz të fortë, të shëndetshëm që do i japin poezisë së Ajet Shalës jetë më shumë, emocion dhe do të plotësojë edhe më mirë atë botë të poezisë së Kosovës dhe të emigracionit që po bëhet më e forte, më profesioniste, më afër botës së emigrantit.

Gjithmonë do kërkoj, qoftë edhe në diell 
Pranverave të mia dua t’ua sjell aromën 
Qiellit të lirë dua kaltërsinë t’ua kthej 
Dua t’ia ndal gjëmën zemrës që në gjoks rënkon.

Si një kurorë për fjalën e pathënë, për poezinë që ka paraqitur Ajet Shala në këtë vëllim, do ta mbyllja me një ngjarje të bukur që ndodhi para pak kohësh, në një festë popullore mbarëkombëtare si ajo e Bytyçit që organizohet në të dielën e  fundit të  gushtit në Dajt.  Për ta bërë dhe më të bukur më mbresëlënëse, më garuese këtë Festë, u mendua që të bëhej dhe një konkurs poetik për PLISIN.  Një konkurs ku plisi i bardhe të dilte me tërë atë identitet që ka dhe që ia jep shqiptarit në çdo vend të botës. Bashkë me shumë poetë, gati 100, nga e gjithë bota shqiptare, edhe ne u paraqitëm në konkurs. Juria shumë profesioniste me një kryepoet tropojan si Hamit Aliaj ia dha atij Çmimin  e dytë në poezi dhe mua atë të parin për poemë. Sa u gëzova!.
Tash më duhet që ta uroj për librin më të ri “Rrapi Arbëror”.  Bukur. Një libër që na bën të duam poezinë, tokën lulet, shqiptarinë. Ky është misioni i poetit.


0 comments:

Post a Comment