Monday, November 21, 2016

Sejdi Berisha - Cikël Poetik

PËR ATË LIBRIN QË DO SHKRUHET...
...Dikur 
Edhe fjalët marrin fund
Fluturat
Nuk do t’i kanë krahët me ngjyra
Përrallave nuk do t’u besohet
Vetëm legjenda do ngelin ato
Me rrëfime plot rrena
Do tundet toka
Si kambanë e shurdhër
Nuk do mund të kuptojmë gjë
As për lumturinë
As për dhembjen
As për etjen
Dhe as për shkrumbin
S’do mbetët laps
As letër për shkronja
Sepse
Dikur pamëshirshëm
Marrin fund fjalët
E jeta sillet në rreth
Pa thënë gjë
Për atë librin që do shkruhet
Dhe rrugëtimi
Si krrokatje korbash do mbetet..


RËNDË GJËMON SHTËPIA NËN DRY...!
Bukë e kripë
Si në festa-edhe mish
Kur nëna na gëzonte me ëmbëlsira
Hej, sa larg sofrës së shtruar
Ka sa kohë
Në shtëpi perdet janë lëshuar
Bari në oborr
Pa kontroll rritur është
Shikoj sofrën
Në këtë festë
Shumë veta mungojnë
Në dhomë
Merimangat dhe qetësia përqafohen
Në fotografitë e murit-kujtim
Myku është zvarrë
Nuk ka festë
Kur shtëpia gjëmon nën dry
Pa folur e qeshur askush
As në të kush pa hyrë
Dënesje toke
S’kapet dot peizazhi i hidhëruar
Rëndë gjëmon shtëpia nën dry...

LUMTURIA APO UJËVARA E LOTËVE...!
Merrje me mend
Tash
Edhe deteve janë duke ua bërë analizat
Pse madhështitë e botës i zbukurojnë
Kripën po ua shtuakan
Jetën për ta gjelbësuar
Shkretëtirave
Rërën përcëlluese po ua vjedhin
Lumenjtë i kanë zemëruar
Kurse diellin
Me rreze terri po e shpojnë
Hëna qan dhe vetëm qan
Për medetin e njeriut
E furtunat
Sikur në gjahtarë toke shndërruar janë
Nuk është shprehje e re:
E po, ku jemi...
Se ujëvarat
Tash rrëkeve të lotëve u ngjajnë
Dhe në hiq gjë tjetër
Prandaj
Edhe qiellit ADN-ën duakan t'ia bëjnë
Për shikimin e saj drejtë lartësive...

......................................................

...Le të mbetemi si fjalë e pathënë
Se në jetë
Kurrë e tëra nuk arrihet
As kurrë nuk mund të thuhet
Kështu rrugëtimi është më madhështor
Edhe pse ka shumë etje
Por është edhe i ngrohtë
Mu si pesha e vargut
Kur nuk përfundon i tëri
Dhe lumturinë e sjellim
Diku atje lartë
Tamam si fjalë të pathënë...


KUR NJËHERË SHKON...
...Njëherë kur shkon
Ik, zhduku
Atje në thellësinë e mendjes
Aty ngrihe çerdhën e çudirave
Aty qëndro si lapidar kthimi
Se ndarja nuk ka kuptim
Se lamtumira është plagë
E ne gjithnjë e kërkojmë
Ilaçin për shërim
Kur njëherë shkon
Ik dhe zhduku
Por gjurmët mos i harro

..........................................

...E kam një shtëpi shumë të vogël
Por shumë të madhe
Në ëndrra e gjeta
Edhe deri në lartësi e ndërtova
Në ato ëndrrat e kamotshme
O sa bukuri
Që shtëpinë time
Mund ta vizitoni edhe ju
Në kopshtin e shpirtit tim...

0 comments:

Post a Comment