Monday, November 21, 2016

Prend Buzhala - AZILI POLITIK I FJALËS SË LIRË NË ATDHE


1.
Fjala e Lirë kërkon azil nëpër sheshe.
Së pari, para azilkërkuesve në atdhe,
zbret në shesh Byroja Politike për Sundimin e Ligjit Me Gjemba.
Gjenerali fitimtar i policisë vjen i dyti, me suitën ministrore
Me Medaljet e Ambisit, drejt të cilës vrapojnë turmat e medaljosura.
Në ambis vrapojnë Turmat e Paranojës,
me Medaljen e me Yllin e Kryqit të Thyer prej Hekuri.
Prapa i vjen ARMATA e Ambasadave Ndërkombëtare
Për Ndëshkimin Profesionist të Protestës Qytetare.
Aty, në sheshin e Përgjakur, radhitet Regjimenti Politik
Me Medaljet e Rajhstagut Modern të llumpen-demokracisë.
Koncerti shfaqet nga Kori i Ambasadorëve
Për Komandimin e Përsosur të Plumbave Profesionistë.
Fjala e Lirë vrapon rrugëve, përgjaket, klith, tymoset.
Të rinj të papunë, kanë me vete vetëm Premtimet e Perëndisë.
Domethënë, i paskan të gjitha të mirat!
2.
Mbasi Goja e Nemitur është e lirë,
Fjala e Lirë nuk ka nevojë të shqiptohet.
Ja Medaljet për Pensionistët Mëkatarë
që dërgohen në Litarin e Vetëvarjes
diku në Degën e Parë të Pemës së Lirisë.
Ata tashmë ecin nëpër Qiell. Dhe qeshin me Nemitjen tonë.
Populli vetëm pështyn për Fatin e vet të keq.
Nuk i intereson Vdekja e vet, as fundosja e shekujve.
I zëvendëson dhëmbët artificialë, ndërron dioptrinë çatalle
shpik medalje për sklerozën kolektive:
aty ku shkëlqen Medalja e Nderit me Shpata Mbi Frymën e Shpirtit.
Ja, I Dekoruari Për Merita Aneksimi të tokave atdhetare
Nëpër sheshe valëvit Medaljen e Yllit të Kuq dhe Yllit të Kryqit të Hekurt,
Medalje të vizatuara me shigjeta, me shpata dhe me diamante
Për përsosmërinë e Komandimit të Trupave,
Medaljet e Skuadrave të Arrestit Profesionist.
Medaljet për Getoizim Profesional të Rrethimit të Lirisë.
Medaljet me Kurorë të Hekurt për Ngjeshjen e Trupit me Pancir,
Medaljoni i Trupave të Lira për Goditje të Lirë.
3.
Populli falënderon Të Çmendurit në Fotele për Vetminë e dhuruar.
Medaljet për Vepra Heroike të Vënies së Helmetës në Kokë,
Urdhrin Luani i Artë për Vënien e Maskave në Sulmin Demokratik,
Medalja Verwundetenabzeichen
apo e Distinktivit të Plagës nga Guri i Revoltës Rebele,
Tashmë Korporata Ndërkombëtare Medallic Art Company
është vënë në Veprim. Industria e Prodhimit të Medaljeve,
American Arts Commemorative Series medallions,
Politics and Political Science In Medals,
Ku mbetën Antislavery Medallions !?
A mos I dërgoi edhe ato në azil Kori Korporativ i Ambasadave?
Korporativi thërret Armatën Ndërkombëtare për Mbështetje.
Krejt njësoj e ka Populli: Rrena pëlqehet para të vërtetës,
Urrehet fjala LIRI, i pëlqen humbjet në vend të fitoreve,
E detyrojnë të veshë rroba klounësh,
të kërcejë si majmunë nëpër hekura, nëpër degët e lirisë.
Popuillit i pëlqejnë tradhtarët, spiunët, mercenarët,
i pëlqen Apokalipsi, Murtaja e Bardhë dhe Shkretëtira.
4.
Fjala e Lirë përgjon nga dritarja të kaluarën.
Kundron Përkrenaren e Doganës për Kalimin e Lirë të Bizneskolaboracionizmit,
Medaljen Kombëtare të Shërbimit të Mbrojtjes nga Populli,
Çmimin e Merituar me fjongo për Avancimin e Misionit Vetizolues,
Atdheu shndërrohet në majmun që kërcen nga hekuri në hekur
Kënaqet me Vulën e Madhe Atdhetare me Shqiponjë,
Me Dekorimet për Situata Unike të Shpartallimit
të Grupeve azilante në Mëmëdhe,
Me Medaljen e Lavdërimit
për Përjashtimin e Kundërshtarit Politik nga Republika.
Me Urdhrat me Fjongo Ari për Guximin e Madh
ndaj Fëmijëve Që Rrezikojnë Shtetin,
Me Urdhrat tjerë me fjongo kalliri në dobi të qeverisë,
Me Urdhrat për Demonstrimin e Guximit me Kompetencë
kundër Grave Që Vajtojnë për Fjalën e Lirë në Protestë.
5.
Shefi i Shtabit Parlamentar shtrëngon duart
me Shefin e Jashtëm Ndërkombëtar të Mbikëqyrjes së Lirisë,
Jep Medalje për Sigurimin e Shëndetit Publik me helme e tymosje dehëse.
Medalje me Stemën e Rajhut Parlamentar që treguan performancë të shkëlqyer,
Medaljet për suitat që treguan shpirt të lartë të iniciativës
me aftësi në hartimin e pajisjeve të reja për ta dërguar Fjalën e Lirë në azil.
(19 nëntor 2015)


UDHËZUESI I QUAJTUR PIKA E PAMËSHIRSHME 

(Çaste shkrimi IV)
Mjeshtrit kanë ndërruar rolet: punojnë natën. 
Kurse Dora e Fshehtë që shembte ngrehinat, kështjellat e urat te Rozafati a te Ura e Fshejit, tash del në pikë të Ditës:
për të shembur gjithçka, faqe të tjerëve.
Ndryshe, shkatërrimi nuk e përmbyska mitin!
Domethënë: miti kthehet në antimit.
Thonë: kështu po i shembim mitet antike, po i çmitizojmë!
Horizontet shfaqen me barrën e ngarkuar me jetët tona.
Njerëzit nuk e dinë, se kë kanë si udhëzues!
E dinë që i drejton udhëzuesi i quajtur Pika e Pamëshirshme.
Të tjerët mbërthehen në kështjellën e heshtjes së natës.
Në atë heshtje, së paku, imagjinatës mund t’ia japin përmasat që duan e kuptimet që duan.
Kurse me ëndrrat e kanë më të lehtë punën:
ato që i shembin ditën, mund t’i ngrenë përsëri natën.

0 comments:

Post a Comment