Saturday, October 22, 2016

Kujtim Stojku - VALLËZIMI I GJARPËRIT


Sapo kishte plas agu, sirenat ishin duke u qurravitur,
Dielli kishte bërë rrugën e tij gjysëm hark,
Një plak i vjetër zgjohet duke u kollitur,
Një brez jeshil si zjarr i ishte varur në qafë.

Rënkon plaku duke ndezur llullën,
Fjalët për çudi ajo ia djeg brenda,
Fjalët e mençura në mendjet tona u ngulën,
Kini kujdes na tha,kur ju josh dhelpra….

Natyrisht, mor djem çdo fjalë që del nga goja fluturon,
Si zog, dallënyshe apo korb nuk e di,
Përvoja deri në këtë moshë më ka mësuar të shikoj,
Të ligën dhe të mirën,me syrin e zjarrtë ta dalloj e di.

Të lutemi o gjysh,me një zë ne i thamë,
Na thuaj nga përvoja jote si e gjen hatanë,
Prej gojës së tij fjalët fluturuan si me mallkim,
Një grua përleshet me britmat e saj,shkumëzon me tërbim….

Ah,more djem,në mugëtirën e vjeshtës si hekura të ndryshkura,
Një gjarpër fërshëllente dhe dukej sikur këndonte,
Këngën e tyre për një çast e pushuan bilbilat,
Si teh i mprehur thike,ankthi u kalonte.

O Zot, tha plaku duke ngritur duart drejt qiellit,
Panë një gjarpër që vallëzonte gjithë hijeshi,
Kur përdridhej këndonte sa tundej i gjithë vendi,
I veshur bukur,lozonjar,çdo kush deshte ta merrte në gji.

Ai vallëzim i shkathët të gjithëve na vërboi,
Por shpirtin tim kurrë nuk mund ta shpëtonte,
Të rëndë e kish kupën,gënjeshtrat nën shalë i kish,
Si i mençur me këto gënjështra filloi të filozofonte…

Plaku nuk tha asnjë fjalë për vajtimet në rrëfimet e tij,
Por vazhdoi tregimin e ne dëgjonim duke qeshur me lot,
Kur gjarpëri vallëzonte patjetër që ai merrte frymë,
Shpesh bëhej si i sëmurë, dhe mblidhej sa një top.

Mbi gurë dhe nëpër bar vazhdonte të vallëzonte,
Shpërdredhej si një lëmsh duke na ardhur rrotull,
Këngën e tij të shpifur në mes bilbilave do ta këndonte,
Ne dëgjonim klithma prej metali,fuqia e tij,
Me dhëmbin si shiringë filloi të na helmonte.

Këtu tha plaku mbaron e gjithë historia,
Por urtësia ime nuk besoj t’iu çojë në rrugë të mbarë,
Nëpër vitet e mia kujtimet i mblidhja,
Kam fjetur në një shtrat hithrash,askërrkujt nuk i jam qarë…



0 comments:

Post a Comment