Thursday, October 6, 2016

Prend Buzhala - TIPI I KAMELEONIT SHOQËROR E POLITIK


(Çaste shkrimi: karakteret IV), 4
1.
Më kujtohet gjatë viteve '70, vargu i poetit Fahredin Gunga: "Atëbotë bahesh kameleon, për inat ndërron ngjyrën". Fenomenin e kameleonizmit shoqëror (e jetësor-nacional) e trajtoi gjerësisht edhe Ramiz Kelmendi në prozën e tij. Janë të njohura ato vargjet e Shekspirit nga tragjedia "Henriku VI", ku pas një buzëqeshjeje fshihet vrasja, ku faqet lagen nga lotët artificialë dhe ku personazhi zgjedh një kornizë a maskë për të gjitha rastet.
2.
Fjalori i shqipes fjalën KAMELEON e shpjegon në dy kuptimet e saj: "1. Zvarranik i vendeve të ngrohta, i ngjashëm me hardhjen, që ndërron ngjyrën e lëkurës në përshtatje me ngjyrën e mjedisit ku ndodhet. Llojet e kameleonëve. Si një kameleon. 2. kuptimi figurativ: Njeri i lëkundshëm e me shumë faqe, që ndërron shpesh qëndrimin a sjelljen për të mbrojtur interesat e veta."
Ndërsa në fjalorët e huaj, nënvizohet karakteri i një personi, me prirjen që të ndryshojë shpesh, të përshtatet, që është i cekët në ide apo në karakter; ai që i nënshtrohet ndryshimit të shpejtë ose të ndryshimeve të shpeshta...
3.
Përshtatja për të mbrojtur interesat sociale, ka krijuar fenomenin e kameleonizmit social, për të mbijetuar, ka prodhuar karakterin e tipit kameleonik (ngjashëm me tipin e spiunit që ndërron fytyrë e qëndrim aty për aty, apo të aktorit që luan shumë role). Është fjala për atë kategori politike (e sociale) që ndërron qëndrime ATY PËR ATY, që nuk ka qëndrim të vetin!
Nuk është habi, prandaj, pse njerëzit ndërrojnë parti, pse partitë ndërrojnë qëndrimet e parimet e tyre programore (herë majtas e herë djathtas), pse këto parti janë kameleonizuar aq shumë edhe në "dialogun me Serbinë", pa pasur asnjë qëndrim të vetin; pse pas një deklarate të fortë për "bashkim kombëtar" shfaqet oportunizmi komik i të lëshuarit pe për gjithçka...
Tashmë në jetën politike do të dallohet dhe tipi i tillë kameleonik që thotë: "Bashkësia ndërkombëtare, po na përkrah...".
4.
Këtë fenomen e trajtojnë edhe shkrimtarët.
Noli pezmatohet: "Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha. E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, trathëtori bëhet patriot dhe patrioti trathëtor."
Le ta kujtojmë dhe ironinë e thellë të Fishtës te poema satirike "Metamophosis". Se ku fillon e ku përfundon ky kameleonizëm, ja një fragment fishtian:
Fis kam mâ t'fortin
E vllá bujarin,
Per atme barkun,
Per erz kam arin.
Prandej, mbas sodit,
Kur t'm'leverdisin
Un kam me shndrrue
Sá herë t'due fisin.
Kshtû, kam me rá
Un n'mbramet Grek,
Kam me ndjehë n'nesret
Shkjá ja Zejbek.
Luftët e Kastriotit
E t'Dukagjinit
Un kam me i mbajtun
Per dokrra hînit.
Kushdo per mue
Le t'jét i pár:
T'jetë dreq me bryna,
Por jo Shqyptár.
Kemi per t'kênun
Si hyj mbi tokë,
Kem' per t'zotnue
Pa dhimbë mbi shokë.
Na ndodh akti i vetërobërimit, me moton "Kryesorja, unë ta kem mirë". Të tjerët le të shkojnë në ferr, krejt të tjerat gjëra me vlerë a pa vlerë, hiç nuk paska rëndësi, le të shkojnë në dreq të mallkuar. Me gjithë paqen, lirinë, Kosovën, atdheun dhe atdhedashurinë. Më mirë t’i pështyjmë këto vlera, kur asgjë ato nuk na ofrojnë. Na ndodh ai inversioni i rëndë etik, që satira e Fishtës e këndon tek poezia "Metamorphosis"...
(rishkrime, 4 tetor 2016)

0 comments:

Post a Comment