Friday, October 14, 2016

Zhorzh Sand - MBETSH ME SHËNDET!

Tregon D.
-Me sa duket,- tha ime shoqe, Irma, duke zbërthyer rripin e sigurimit, -ne qenkemi të parët në lokal.-
Dolëm nga makina dhe qëndruam pak sekonda në oborrin e pashtruar të lokalit, që ishte bërë i njohur për arrostiçini (shishqebap) që shoqërohej me feta buke të bardhë të lyera me vaj ulliri e kripë. Kemi vite që e frekuentojmë këtë lokal darkave, që kur e rregulluam jetën këtu në Itali. E vendosim menjëherë e nisemi drejt kodrave në lindje të qytetit në të dalë të rrugës nacionale. Gjer këtu Irma është e qetë, sepse kohët e fundit ndihet e tronditur nga lajmet e rënda që po përjeton Evropa. Sapo marrim kthesën majtas për t’u futur në rrugën e ngushtë të fshatit të vogël ku gjendet lokali, unë e pyes me shaka nëse është e uritur.
-Tani jam e mbërthyer me frikë,- më përgjigjet, -e nuk kam uri.- Irmën e frikëson shumë errësira në këtë segment rruge, ku nuk shihet asnjë kalimtar. Po nuk vazhdon gjatë se në kthesën e fundit, po majtas, duket lokali, një godinë njëkatëshe, e punuar e gjitha me dërrasa. Ngjisim edhe atë pjerrësinë pothuaj të pandjeshme në hyrje dhe tani Irma merr frymë e qetë.
-Nuk qenkemi të parët,- vazhdoj unë fjalët e Irmës duke u futur brenda. Salla ka formën e një u-je të madhe me dy radhë tryeza, njëra mbështetet në murin rrethues, që është i gjithi dritare, ku edhe i pëlqen gjithnjë Irmës të ulemi, kurse radha tjetër rrethon murin ndarës të kuzhinës që ndodhet në zemrën e u-së. Pikërisht këtu dy tryeza ishin të zëna. Tek njëra ishte ulur një çift që rrinin përballë njëri-tjetrit, kurse në tryezën pas kurrizit të burrit ishte ulur vetëm një klient. Irma zgjodhi tryezën tek dritarja, përballë çiftit, në krah të gruas dhe u ul. Unë pas saj lëviza karrigen time, po mbeta në këmbë i çoroditur kur shikimi im u ndesh me sytë e gruas të tavolinës fqinjë. Ajo më pa një çast me shikim të palëvizshëm, që nuk shprehu asgjë, pastaj ktheu sytë nga shoqëruesi i saj dhe nuk i lëvizi më.
Për një çast më mbështolli një tronditje e madhe, e pakuptueshme, kraharori më përvëloi nga prushi, veshët më buçitën dhe balli m’u mbush me djersë. Pa u ulur ende, nxora shaminë dhe pothuaj nuk e dëgjova pyetjen e Irmës:
-Mos nuk je mirë?- Fshiva ballin dhe u ula.
-Qenka shumë vapë këtu,- belbëzova. Irma ndoqi shikimin tim, po nuk tha asnjë fjalë.
Irma është një grua e mirë, e qetë, me intuitë të zhvilluar. Nuk jemi martuar me dashuri dhe mes nesh nuk ka ekzistuar pasioni. Ajo është farmaciste. Ma prezantoi Nora, motra ime. Kur arriti në vitin e fundit të fakultetit, Nora më tha fare thjesht se kishte njohur një djalë. Unë qesha.
-Po, -thashë, -që do të njohësh djem e vajza e të tjerë. Në jetë njeriu njeh shumë njerëz.-
Nora nuk qeshi.
-Është nga Elbasani,- tha, -mësues matematike. Ka tre vjet që punon në fshat.- E pashë Norën me seriozitet.
-Njihke një djalë të veçantë dhe kjo njohje paska tre vjet?- Nora e përballoi hutimin tim.
-Në shtator do të martohemi,- tha.
-Po emërimi yt?-
-Do bëjmë menjëherë celebrimin dhe besoj se do më emërojnë në Elbasan.-
-Pra, do martohesh e do largohesh nga Durrësi? Unë do mbetem vetëm?- thashë si me shaka. I kisha kaluar të 28-at dhe akoma nuk isha lidhur me ndonjë vajzë. Disi e çuditshme jeta ime. Isha 6 vjeç kur vdiq nëna në lindje e sipër. Babai e quajti të sapolindurën Nora, po ashtu e regjistroi në gjendjen civile dhe asnjëherë nuk e thirri me emrin e plotë të nënës së vdekur, Elinora. Nora u rrit e përkëdhelur prej babait dhe prej meje. Po babai po mbush 2 vjet që nuk është më. Sytë e tij në shtratin e vdekjes ma lanë Norën amanet. Kurse Nora tani po largohet. Për asgjë në botë nuk do ta kundërshtoja dëshirën e saj. Edhe babait do t’ia ruaj amanetin, se amaneti nuk ruhet vetëm po të jetonim në të njëjtin qytet Nora dhe unë.
Gjashtë muaj pas martesës, Nora më tha se duhet të njihem me Irma L.
-Është një vajzë e përsosur, -tha ajo, -pa fjalë dhe shumë e mirëkuptueshme. Pak e mbyllur në vetvete. Punojmë bashkë.- I thashë motrës se akoma nuk e ndieja veten të gatshëm për martesë.
-Po,- ma preu ajo, -duhet të rritesh akoma.-
-Së pari, dua të bisedoj njëherë me të, -i kërkova sime motre, -po thuaji që kjo kërkesë nuk është akoma pranim. Pas bisedës, do të vendos.- Nora e gjykoi të drejtë këtë veprim. U takuam në shtëpinë e Norës. Unë kisha bërë gati disa pyetje, po kur e pashë Irmën, nuk fola fare. Nga pamja ajo ishte krejt normale, me kaçurrela pis të zeza, me shtat të rregullt, pak më e shkurtës se unë. Por ajo që më befasoi ishin sytë e saj, të mëdhenj e shumë të zinj, bile jo aq forma e tyre sesa shikimi, që m’u duk i veshur me trishtim, që ajo nuk u mundua ta fshihte. Me siguri, mendova, në jetën e saj ka një dramë. Por, jo vetëm që nuk i bëra asnjë pyetje, po se si m’u duk ai shikim, si një pasqyrë e shikimit tim. Pastaj ne filluam të takohemi shpesh e shpesh, herë në Durrës, po më shumë në Elbasan dhe për çudi na u duk sikur ishim të njohur prej një kohe shumë të gjatë. Asnjëherë nuk e pyetëm njëri-tjetrin për të kaluarën e secilit. Bile as tani, shumë vjet pas martesës, nuk kemi bërë pyetje të tilla.
-Po të mos ndihesh mirë, largohemi, -tha Irma.- Nuk fola, po në heshtje mora pirunin. Pothuaj çdo minutë ktheja sytë nga gruaja e tryezës në krah. Ajo hante ngadalë duke këputur copa fare të vogla buke të lyer me vaj ulliri. Bishtin e hellit e mbante me dy gishtërinjtë e dorës së majtë, mbështeste majën në pjatë dhe hiqte me pirun copat e shishqebapit, i fuste në gojë dhe përtypej ngadalë. Merrte gotën me dy gisht birrë në fund të saj, e trokiste me gotën e shoqëruesit, e mbështeste në buzë dhe e ulte përsëri në tryezë. Gjatë gjithë këtij proçesioni, ajo nuk i hiqte sytë nga njeriu që kishte përballë, sikur në botë të ekzistonte vetëm ai. Vëmendjen e saj nuk e tërhoqi për asnjë çast as zhaurima herë e mbytur, herë e lartë nga klientët e tjerë që e mbushën sallën, as televizori i lokalit që transmetonte një ndeshje futbolli, as shikimi im që nuk i ndahej.
Kjo grua, kjo grua për mua duhej të ishte e njohur. Balli i drejtë, vija delikate e faqeve, sytë të veshur me trishtim të lashtë e të ri, që rivalëzonin gëzimin e tanishëm, buzëqeshja e ëmbël, lëkura e bardhë transparente, sa që i duket uji në gurmaz kur pi, kishte thënë njëherë Nora... O zot, thashë me vete, ku jam, ç’po më ndodh kështu? Jo, një fytyrë e tillë ku ndërthuren kontrastet, nuk ekziston. Por, megjithatë, unë e njoh. Ndjeva dorën e Irmës mbi dorën time, po nuk e ktheva shikimin nga ajo, sepse tamam këtë çast gruaja zgjati pak qafën dhe unë duhej të shihja aty një shenjë, një shenjëzë operacioni në fyt, nëse kjo grua ishte e vërtetë e jo fantazmë.
...-Ida do të bëhet soprano,- më tha njëherë Nora, -do të këndojë Baterflajin, po jo tani.- Ida ishte bijë oficeri, shoqe klase me Norën. Ato rrinin shpesh bashkë, bile hynin pa teklif në shtëpitë e njëra-tjetrës. Kështu ndodhi që edhe unë, ndonëse disa vjet më i madh se ato, u miqësova me Idën. Kur arritën në maturë, babai i Idës u transferua në Tiranë, në ministri, po familjen nuk e tërhoqi menjëherë.
-Ida duhet të mbarojë maturën në Durrës,- më tha Nora, -se është më e mundshme këtu se në Tiranë, ku ka shumë rivalitete, që të arrijë mesataren e notave për në universitet.-
-Po ajo do këndojë,- thashë unë -e do shkojë në konservator, i duhet vetëm zëri, kurse lëndët e tjera nuk duhen me notat maksimale.-
- Jo,- tha Nora, -i duhen të gjitha lëndët me nota maksimale, se ajo ndien pak dhimbje fyti e ndoshta nuk konkuron dot.-
- Bëji një shall leshi me shtiza,- thashë unë, po Nora e mori për shaka.
-Silli ti një shall nga Italia, kur të kthehesh nga kantieri,- tha pastaj ajo me seriozitet. Unë isha inxhinier mekanik dhe punoja në kantierin detar. Anijen do ta çonim për riparim në Itali. Megjithatë, unë bleva një shall në Ankona, po nuk e dija a do t’i kryente ndonjë shërbim Idës apo jo. Ia dhashë Norës që t’ia jepte.
-Jepja vetë,- më tha ajo. -Ida më pyet shpesh për ty.- E pashë Norën në sy. Ajo nuk tallej. Gjer më sot unë e kisha parë Idën njëlloj si Norën, me sytë e vëllait që sheh motrën e vogël, pa e pikasur rritjen e saj. Po ai “urdhër” i Norës sikur më hoqi një perde nga sytë. T’ia jap vetë? Po si? Po ku?
-Të shtunën mbasdite ne do bëjmë pak pushim nga mësimet,- tha Nora. Ato sapo kishin filluar sezonin e provimeve të maturës. -Shkojmë në kinema dhe jepja shallin.- Një ide foshnjarake kjo ideja e Norës. Po edhe ato të dyja, për mua vazhdonin të ishin po vajza të vogla. Kur dolëm nga kinemaja, po errej. Befas Ida u kollit lehtë sikur të pastronte zërin, pastaj vuri dorën në fyt.
-Po jepja shallin, çfarë pret,- më tha Nora. Ida më pa në sy. Sytë e saj ishin me lot. Nga kolla? Nga urdhri i Norës? Apo nga diçka tjetër? Ndjeva sikur dikush ma shtrëngoi zemrën. Duke e parë Idën në sy, nxora shallin nga xhepi, një shall i hollë, i kaltër, më tepër transparent se me ngjyrë dhe ia zgjata.
-Mbështill qafën,- i thashë, -që ta ruash fytin mos të të zërë kolla.- Ajo u zgjat pak drejt meje, më përqafoi dhe mori shallin pa folur.
Po provimet nuk i mbaroi. Gjendja e fytit të saj u keqësua menjëherë dhe e nisën në Tiranë në spital. Nora shkoi ta shihte dhe kur u kthye tha se Ida ishte keq e duhej ta operonte fytin. Por, tha ajo, operacioni nuk mund të bëhet në Tiranë, babai i saj po bën përçapje për ta nisur jashtë, tek një klinikë e specializuar për sëmundje fyti, do ta shoqërojë mamaja e saj. Nora i mbaroi provimet e maturës. Dolën të drejtat e studimit, Norës për farmaci, u regjistrua në fakultet, po Ida nuk u kthye. Në fundin e vitit të dytë, Nora tha, me lot në sy, se një shok klase i gjimnazit paska marrë vesh që Ida është shumë keq me fytin. Ky ka qenë edhe lajmi i fundit. Ditët kalonin e në shpirt më rritej dashuria për atë vajzë me ballë të drejtë, me faqe me vijë delikate, me buzëqeshje të ëmbël, po për çudi sytë e saj, që i pashë për herë të fundit me lot, tani më dukej se ishin mbytur nga trishtimi, nga ai trishtim që si pakuptuar përmbyti edhe sytë e mi.
Kur Nora më foli për herë të parë për Irmën, shoqen e saj të punës në Elbasan, vura re nota këmbënguljeje në zërin e saj, sikur donte të më shkundtte nga fantazma e së kaluarës. Nuk ishte e kollajtë për mua ta kapërceja të kaluarën pa ditur se çfarë kishte ndodhur atëherë me Idën, por ne jemi njerëz të thjeshtë, që e kuptojmë jetën dhe i vlerësojmë të gjitha stadet e saj. Kur i thashë Norës që dua të flas më parë me Irmën, po jo se kam pranuar të lidhem me të, kisha si qëllim që t’i flisja për Idën, t’i thosha që kujtimin për të e kam të shenjtë e nuk dua të ma lëndojë njeri, por edhe ky kujtim nuk do të prekte, as lëndonte, as trondiste jetën time familjare, se gruan time të ardhshme do ta nderoja e do ta respektoja. Më dukej mjaft e vështirë kjo bisedë. Në rastin më të parë mendoja se Irma do të më thoshte me arrogancë: shko me të vdekurën, nuk të duhet i gjalli kur nuk je i çliruar prej saj. Si mund t’ia mbushja mendjen që Ida ishte vetëm një kujtim dhe vendin e kujtimit nuk e zë askush? Si mund t’i kërkoja gruas sime të ardhshme që të merrte pjesë paqësisht në ndjenjën time për Idën, të cilën e kujtoja, ashtu siç e pashë për herë të fundit, me sytë me lot, me krahët në qafën time dhe me shallin e hollë në dorë?
Por sytë e trishtuar të Irmës, njëlloj si sytë e mi, më shpëtuan nga ky mundim. Nuk i thashë asgjë. Ndërsa ajo nga ana e saj, kohë pas martesës, më pohoi se unë i kisha pëlqyer menjëherë. Më bëre menjëherë për vete, më tha.
I humbur në kujtime nuk e kisha prekur pjatën, por pashë që edhe pjata e Irmës ishte e paprekur.
...A mund të jetë kjo grua Ida? Jooo, e pamundur. Po nëse është ajo, cili është shoqëruesi i saj? I shoqi? Jo, duket tepër i ri për të. Po mirë, a nuk je ndeshur me lidhje të tilla të papërshtatshme? Jam ndeshur, po Ida nuk është e tillë. Nga e di ti? Si nga e di? E di dhe pikë. Jo gjithnjë njeriu duhet të njohë, të studiojë, të kuptojë... Njeriu ka edhe ndjeshmërinë e tij, atë shqisën që nuk e ka kushdo, e cila i thotë menjëherë, se me ç’njeri ka të bëjë. Pikërisht nga kjo shqisë e di...
-Nuk të dëgjova,- i thashë Irmës. -Sot nuk qenkam mirë.-
-Nuk fola,- tha ajo.
Ktheva përsëri kokën nga tavolina në krah. Gruaja ishte ngritur në këmbë. Po të ishte Ida, patjetër që do të më njihte. Patjetër, thashë me zë. Irma më preku dorën përsëri. Unë vazhdova të shoh atë grua. Ajo mbërtheu kopsën e sipërme të trikos, vuri shallin rreth qafës, një shall të hollë, të kaltër, transparent...
-Mos është ajo me fytin delikat,- pyeti Irma?
-Nga e di ti?-
-Më ka folur Nora për të.-
Desh më ra të fikët. Gruaja e tavolinës në krah mori në dorë çantën e vogël të zezë... O perëndia ime, ç’po ngjet kështu, tani, këtu?... Gruaja ktheu pak kokën drejt meje... Irma tha përsëri diçka, po unë përsëri nuk e dëgjova. Gjithë qenia ime u mblodh nën shikimin e gruas.
-Mbetsh me shëndet, Diti,- shqiptoi ajo qartë, ndërkohë që Irma vazhdoi:
-Mos është ajo me fytin delikat?-
Pastaj gruaja iu drejtua shoqëruesit të saj:
-Shkojmë, biri im!- Futi dorën e hollë nën krahun muskuloz të të birit dhe të dy nënë e bir u çapitën ngadalë mes tryezave drejt daljes.

0 comments:

Post a Comment