Friday, October 21, 2016

Prend Buzhala - PËSHTYMËHEDHËSI


(Çaste shkrimi: karakteret IV), 21
Pështyn njeriu në shenjë të urrejtjes a përbuzjes, që, sikundër e thotë dhe Fjalori i shqipes, për ta poshtëruar dikë a përbuzur diçka... Kur hedh fjalët e rënda dhe fyese, ato i përcjell me një pështymë... Porse fjalori jep dhe një zbërthim tjetër leksikor-frazeologjik: "Pështyn lart dikush, mbahet me të madh, e mban hundën përpjetë, është mendjemadh. Pështyu në gjellë (në çorbë) e prishi a e ngatërroi një punë me qëllim të keq. Lëpin atë që pështyn (lëpin aty
ku pështyn)... Ç'pështyn në mëngjes, e lëpin në darkë... "
1.
Ekziston dhe shprehia e të pështymjes publikisht apo e pështymjes në publik. Sigurisht që shkakton siklet tek të tjerët q njeriu që pështyn publikisht... Në televizion kemi vërejtur lojtar që e pështyn lojtarin kundërshtar ose gjyqtarin e lojës... Ka të rinj që mendojnë se do të duken më cool kur hedhin pështymën larg me gojën të rrumbullakësuar, por në fakt krijojnë neveri... Një kafshë, e ngjahme me delën, quhet lama, e cila hedh pështymën larg dhe në drejtim të njeriut...
Nëse arti përqesh e pështyn dukuritë negative, ato i bën në mënyrë artistike. Komiku italian-amerikan Ivan Brunneti, thotë: "Pa dyshim, arti është disi si një pështymë. Ajo pështymë nuk na neverit as nuk na shqetëson, kur ajo pështymë gjendet ende brenda nesh, por sapo ajo del prej trupin tonë, ajo bëhet e pështirë. "
2.
Njeriu i drejtë vuan shpesh nga të tillët.
Poetesha Kamand Kojouri ligjëron:
"Nëse ata pështyjnë mbi ju,
Mblidhi pështymat e tyre dhe ujiti bimët tua.
Nëse ata hedhin gurë në ju,
Merri ata dhe zbukuroje kopshtin tënd.
Nëse ata të quajnë armik, gënjeshtar dhe narcist.
Kultivoji më shumë pikërisht këto lule:
Anemonë lulendezur, zambak dhe narcis.
Përdore të fëlliqët e tyre dhe frytnoje mendjen tënde.”
3.
Kush pështyn më shumë e më larg kundër shqiptarëve, kundër Shqipërisë dhe Kosovës?
Në Librin e Ginisit, flitet dhe për Rekordin e Hedhjes së Pështymës Larg. Thuhet se këtë rekord e mban për disa vite (sipas burimeve të internetit), Rick "Pellet Gun" Krause e mandej vjen djali i tij Brian...
Qe disa vite këtë rekord të hedhjes së pështymës kundër shqiptarëve, e mbanin disa opinionistë shqipfolës, e disa opinionistë të çoroditur (nuk po ua përmendi emrat), pastaj disa shqiptarofobë me proveniencë orientale (nuk po ua përmendi emrat), pastaj një pseudohistorian nga Zvicra (as këtij nuk po ia përmendi emrin)...
Por pështymat e tyre nuk arrinin larg.
Kurse Pështyma Serbe kundër shqiptarëve tashmë ka zënë e po depërton tepër larg...
Nuk mundën t'ua shkojnë serbëve askush në Hedhjen e Pështymës larg kundër shqiptarëve...
Po pështymat tona, deri ku arrijnë?

0 comments:

Post a Comment