Monday, October 3, 2016

Prend Buzhala - SHPIFËSI: VRASJA E TË VËRTETËS DJE E SOT


(Çaste shkrimi: karakteret IV), 2
1.
Sigurisht që ka pasur rëndësi të mos e thuash të vërtetën NË KONTEKSTE TË CAKTUARA KOHORE, sidomos në sistemet totalitare, jodemokratike, për të dëshmuar rrejshëm kundër njerëzve të pafajshëm.
Përfytyrojeni Njeriun e Veshur me Pushtet nën ish Jugosllavi, gjatë viteve '80, e ata ishin politikani i lartë a i vogël komunist shqiptar, milici shqiptar, gjyqtari shqiptar, zyrtari shqiptar; e këta, që të gjithë, kooperativisht së bashku, ishin hedhur kundër rinisë e popullit shqiptar si ARMIQ E NACIONALISTË, që veprojnë ilegalisht për KOSOVËN REPUBLIKË me "veprimtari armiqësore" e "me krime kundër shtetit"... A duhej, që, të dëshmonin"të vërtetën" kundër tyre nxënësi i ndershëm e patriot, profesori i ndershëm qytetari shqiptar i ndershëm e patriot? Përfytyrojeni zyrtarin e lartë që shpifte njëmijë të zeza kundër masës së tillë milionëshe! Me gjyqe, polici, administratë, me mjetet e sistemit të dhunës në dorë... I mësuar që, shpifjen dhe të pavërtetën ta përhapin në masë, egërsisht, në fshehtësi dhe me dinakëri; ky DREJTUES I LARTË apo i shtresave të ulëta servile të pushtetit nën Serbinë dje, nuk hezitonte që të SAJONTE FAKTE TË PAQENA, të improvizonin gjyqe dhe mbledhje të pafund DIFERENCUESE (një tip i shtypjes fashiste ndaj kundërshtarëve politikë) kundër të rinjve, intelektualëve mospajtues, mësimdhënësve patriotë... Ky veprim na kushtoi për një dekadë të tërë! Në të gjitha meset dje, suita e tillë e shpifësve, i lanin duart si Juda: "Nuk ishte dëshira ime të ju dënoj...nuk ishte dëshira ime të flas keq për ju... të dëshmoj kundër teje... por...duhej mbrojtur INTERESI I PËRGJITHSHËM".
2.
Interesi i përgjithshëm?
Si slogani mashtrues i interesit për Kosovën sot, në emër të interesave shtypëse politike. Në ato vite, mashtrimi dhe gënjeshtra ishin ngritur në sistem, sepse SISTEMET TOTALITARE nuk e durojnë të vërtetën, domethënë, gjatë atyre viteve, nuk durohej të shpallej padrejtësia e hapur, shtypja e egër, e vërteta historike për shqiptarët ndalohej llahtarshëm, figurat e shquara nacionaliste, intelektuale, klerikale etj që kishin rënë ndesh me regjimin, quheshin tradhtarë e tradhtarët e shpifësit e tillë lartësoheshin si figura meritore ME SISTEM IDEOLOGJIK të dhunës. Jeta e mijëra familjeve gjakosej, shkatërrohej... Nëpër duart e policisë serbiane-kosovare gjatë viteve 1981- 1989, kaluan mbi gjysmë milioni njerëz, duke iu nënshtruar torturave e përndjekjeve nga më të zezat... ishin mbi 30 mijë veta burgjeve për Kosovën Republikë, mijëra të tjerë të larguar nga puna e arsimi, pa të drejtë kthimi më aty... Pothuajse, nuk kishte kaluar demostratë a protestë masive shqiptare në Kosovë, nl të cilën janë vrarë dhjetëra e dhjetëra protestues e demostrues, ashtu sikundër vrasje të shumta të të burgosurve poltikë shqipatrë, ka pasur nëpër të gjitha burgjet jugosllave... Dhe mbi këta të vrarë, hidhej pështyma e përgjakshme e shpifjeve, përbuzjeve dhe shtypjes së rëndë...
Kështu zgjati kjo atmosferë dhune, derisa helmimi total i atmosferës shoqërore nën ish-Jugosllavinë, u përhap kudo dhe ato çuan në luftëra të përgjakshme... E vërteta, nëpërmes shpifjeve ideologjike totalitare, dërgohej në gjyqe, nëpër stacione policore, nëpër zyra pushtetarësh... deri te përgjakja dhe pushkatimi i të pafajshmëve gjatë viteve '90 e sidomos gjatë luftës çlirimtare 1998-1999... "Kur shpërthen lufta, e para vritet e vërteta", thotë Arthur Ponsonby.
3.
Por në shoqëritë demokratike fenomeni paraqitet në të tjera trajta... Dhe tani përfytyrojeni Njeriun e Djeshëm Me Post të Lartë Komunist që vendoste për fatin e mijëra të rinjve, që i dërgonte në burgje, që i përjashtonte nga shkolla a katedrat universitare! Duke shpifur EGËRSISHT, duke shkaktuar tragjedi të panumërta familjare! Kujtimet ende janë si ajo plaga që ther ftohshëm. Dhe tani, qe 15 vite, zyrtarin e tillë, që dje kishte ikur në perëndim nga "regjimi i Millosheviqit", apo (si arsyetohej para popullit me hipokrizi) kishte ikur nga "marrinat e Rugovës" apo nga "ato të UÇK-së" për të dhënë "kontributin" e tij jashtë, duke zhavtur paratë e diasporës; tani na vjen si NJERI ME DUAR TË PASTRA! Juda i Dikurshëm ripërtërihet si Judë i Ri! Kurrgjë kurrkujt! Në rregull! Njerëzit "paskan ndryshuar", thotë dikush i madh, për të na bindur sot! Por a kanë ndryshuar përnjëmend të tillët komunistë judash të djehsëm? A i kanë dhuruar shoqërisë sonë ndonjë vlerë arsimore, shkencore, edukuese, ndonjë vizion shoqëror, demokratik, zhvillimor a kombëtar,ndonjë veprim domethënës demokratik, shtetbërës apo politikëbërës!? Prite ti, në emër të këtij "ndryshimi të karakterit" pa e dënuar fare të djeshmen e dhunës, ku vetë ishin protagonistë e kryeprotagonistë, na vijnë në krye të të gjitha punëve tona!!! Vazhdojnë të zhavtin në të tjera mënyra të korruptimit, duke përdorë mashtrimin, shpifjen dhe gënjeshtrën e re sistemore! Hipokrizia nuk ka kufi!
Ka harruar, njeriu i tillë, se sa tradhtinë, se sa shpifjen zyrtare sistemore e ideologjike e ka përhapur helmueshëm, me dhunë, me polici, me sistem politik, me dënime gjyqesh drakonike kundër vullnetit të një populli! Tashmë e ka hetuar se koha e re kërkon të tjera metoda të sofistikuara, kafshuese e helmuese. I mësuar dje t'i thurin lavde e t'i duartrokasin mu ata që ishin të frikësuar për vdekje, të kërcënuarit me gjyqe, përjashtime nga puna a nga arsimi; Njeriu i Veshur me Pushtet të Lartë edhe sot kërkon që SHPIFJA dhe GËNJESHTRA të përdoren për hesape politike e dobiprurëse. Në sistemet demokratike nuk ka nevojë për burgosje politike e as për dënime të karakterit të tillë. Për t'i mbojtur paudhësitë e ligësitë e djeshme, Njeriu i Tillë kërkon që sot GJITHÇKA TË VIHET NËN LLUPËN E DYSHIMIT! Edhe njëherë, të dyshimtë për vepra të pabëra, shpallen ish të burgosur politikë, luftëtarë të lirisë, njerëz të ndershëm, intelektualë...; por nuk kursehet as rivali politik, i cili konsiderohet ARMIK apo KUNDËRSHTAR. Një thënie nga një i urtë thotë: "Ai që shikon nëpërmes syzeve të dyshimit, ai sheh një shushunjë (dmth një njeri gjakpirës) edhe në lakrat turshi".

0 comments:

Post a Comment