Monday, October 3, 2016

Seveme Fetiqi - MUZË ÇDO HERË E ZGJUAR



                                              
 
Nehat Jahiu padyshim është një ndër poetët me produktiv të dy dekadave të fundit, i cili në krijimtarinë e vet të begat, shkruan satirë, prozë, poezi dhe tregime si dhe ngjarjet, që e preokupojnë botën e tij të jashtme. Ai është i vetdijshëm se nuk mund ta lë  asnjë çast muzën të kotet dhe të largohet nga shkrimet e tij të pasura me të cilat ai e sjellë në shprehje shpirtin e vet.
Nehat Jahiu si në tërë krijimtarinë e vet të deritashme, ashtu edhe në këtë libër “GJAKU IM TË QOFTË FALË” me sukses dhe mjeshtri përdor lirikën, por edhe epikën letrare, ku i bashkon të dyjat në një tërësi poetike të ndjeshme me narracion reflektues. Mirëpo, në këtë vëllim letrar, ai tenton dhe ia arrin qëllimit, që përmes jetëshkrimit të tij  ta reflektojë, edhe çdo ndjenjë përcjellëse, dhembjen, dashurinë, kurbetin, mallin, dramat jetësore fëmijërore, dëshmorët e luftës së fundit e deri te varret e të parëve të tij. Me këto, Nehati vetëm e bënë më të begat dhe e pasuron vargun, i jep një ngjyre të pashlyer mendimeve dhe e ndërton rimën me mjeshtri metrike. Libri me poezi “GJAKU IM TË QOFTË FALË” përbëhet nga katër cikle: Cikli i parë AUTOPORTRET, cikli i dytë PORTRETI I ATDHEUT, cikli i tretë IDILË KATUNDI dhe cikli i katërtë GJAKU IM TE QOFTË FALË.
Katër ciklet janë të lidhura në mes tyre, plotësojnë njëra-tjetrën, por në anën tjetër, kanë dhe karakteristikat e veta të veçanta në të cilat poeti Nehat Jahiu, i shpalos frymëzimet e veta momentale, kujtimet dhe ngjarjet më sublime emocionale, gjatë etapave të ndryshme të jetës së tij. Duke i transmetuar këto emocione, ai e mban të zgjuar dhe të interesuar tërë kohën lexuesin. Një ngjyrë poetike, që i karakterizon poezitë e këtij vëllimi është edhe prania e folklorit shqiptar e qëndisur me mjeshtri në vargjet e tij të rimuara, i cili folklor e begaton dhe ia jap koloritin domethënës dhe autokton, narracionit të vargut, ku me keqardhje jepet mesazhi, se e sotmja ka ndryshuar rrënjësisht në krahasim me të djeshmen. Mirëpo, çdoherë duke tentuar të lejë porosi te gjeneratat e reja për vlera dhe virtyte të larta, që populli shqiptar kishte gjatë tërë ekzistimit të tij. Në poezinë DIKUR të ciklit AUTOPORTRET ai me pak rimë dhe fjalë i qanë ato tradita, të cilat gati sa janë zbeh dhe njerëzit koha i gllabëron: „Dikur fëmijëve u këndoheshin ninullat/ burrat e lidhnin besën nëpër kulla/ besën për fis komb e gjak /ate që kishim shtronim në konak“...këto vargje flasin sa njëmijë fjalë e tregime.

Dhe, kështu me rradhë, poezitë tjera i shpalosin kujtimet e tij fëmijërore dhe rinore, ku autori paraqitet dëshmitar i vogël i dramave jetësore, në kohën kur dëbohet familja e tij nga vendlindja dhe shpërngulet për në Turqi, ...poezia “LOTËT E NJË FËMIJE”.  “Babain e shikoja fytyra iu kishte bërë nur / i lodhur nga mërzia ishte mbështetur në mur / si një qiri që shuhet shkoi e u tretë /se pa më te dashuritë e tij vetëm mbet”...këto vargje që shpalosin  përjetimet  e një fëmije qartaz tregojnë  sa me ndjeshmëri mbeten skenat e hidhura në shpirtin e poetit dhe krijojnë një imazh dhembjeje në atë shpirt, i cili më vonë i shpreh në vargjet e tij.

Në ciklin e dytë PORTRETI I  ATDHEUT, Nehati preokupohet me mërgimin- plagën e vjetër dhe më të dhimbshme shqiptare, ku shpalos në mënyrë të suksesshme, mallin e mërgimtarit, duke  bërë një sintezë të shkëlqyeshme mërgimtar-vendlindja- atdheu dhe e këndon kthimin e tyre. Atdheu është i shenjtë. Nehati e ngrit zërin poetik dhe i fton të kthehen, sepse askund më mirë nuk është se në vendin e tyre: Vargjet “ E shtrojnë bukën me një lugë më pak në sofër / shtëpia ka mbetur pa zjarr në votër, / nëna pret e heshtur te pragu i shtëpisë / vasha në gjergjef kthimin tim qëndisë” dëshmojnë më së miri mungesën e mërgimtarëve.
Edhepse ky sublimitet dominon në shumë poezi të këtij vëllimi, një freski optimiste dhe një fllad çapkën, e kaplojnë ciklin e tretë IDILË KATUNDI, ku Nehati me një nostalgji të madhe, i përkujton ditët e rinisë, dashurinë e parë, martesën, jetën e bukur në fshatin e tij Orizaren, duke i sjellur frymëzimet e tij ashtu të freskëta si në  ato ditë kur janë përjetuar ato ngjarje të çmuara të jetës së tij. Njëkohsisht sjellë një idilë autoktone  katundi, në librin e tij. Duke i lexuar këto poezi ky cikël, lexuesi do të përjetojë përjetime të ëmbla dhe do të ndjehet si në këte fshat, nga edhe autori merr frymëzimin duke absorbuar çdo detaj nostalgjik të përjetuar, nga muza shumë e pasur e tij. Vargjet : “Këmishën thurrur me fije ari/ kur të shihja më digjte malli, /bistekun dredhur pas shpine / lidhur flokun fije- fije. / më dukeshe si një hyjneshë / trup e qafë si pëllumbeshë, /në dorë bylyzyku të kishte hije / veshur me atë fustan nusërie” na sjellin një pikturim të bukur me fjalë, të asaj idile katundi dhe dashurie rinore.
Në ciklin e katërtë, GJAKU IM TË QOFTË FALË, autori me një fjali, përpiqet të na përcjellë mesazhin, që gjaku i dëshmorëve s´guxon të shkelet. Ai pasqyron dhe mbron idealet e larta kombëtare për një  përparim dhe qytetërim të plotë. Gjaku i dëshmorëve është garancion i paqës dhe i lirisë, ardhmëria e brezave të rinj. Në poezinë GJAKU IM TË QOFTË FALË, autori rrëfehet në veten e parë ... “ Vendi im s´të harroj edhe në amshim/ jetën time për ty e bëra flijim / le të jetojë në liri ky popull mbarë/ për të gjaku im qoftë falë....”
Në poezinë e fundit autori në veten e parë, përmes monologut të dëshmorit, lutet që të ruhen varret e tyre...Dihet se varret janë kultura e një kombi. Krenaria dhe respekti ndaj dëshmorëve Nehat Jahiut i sjellin frymëzimin në vargje të shkëlqyera të poezisë VARET NA I RUANI kur thot:  “ O vëllezër të vendit tonë/ juve që ju lindi e njëjta nënë,/ nëse neve nuk na duani/ amanet së paku varret na i ruani”.
Përshkrimin e ambientit, ndjenjat, emocionet, drithërimat , dhembjen, gëzimin, dashurinë, mallin, vajin dhe revoltën e tij ndaj padrejtësive dhe robërisë, që përjetuan të parët e tij dhe ai vet, të gjitha këto autori Nehat Jahiu me mjeshtrinë e vargut e të rimës arrinë, që me sukses ti sintetizojë në një tërësi poetike dhe përmes kësaj tërësie të transmetojë  mesazhin e drejtë dhe bindës gjeneratave të reja për ruajtjen e traditave shqiptare, për ruajtjen e dinjitetit njerëzor,  respektin ndaj prindërve, ndaj Flamurit, atdheut, miqëve dhe ndaj më të dashurëve. Me këtë Nehat Jahiu edhe njëherë dëshmon aftësinë dhe përvojën e tij në edukimin e shumë gjeneratave të reja në shkollë, si dhe përmes vargjeve të tij autoktone, aftësinë e tij në thurrjen e vargjeve me mesazhe edukativo- pedagogjike.



Libri GJAKU IM TË QOFTË FALË, padyshim se do ti pëlqejë lexuesit, deri në poezinë e fundit, do ta mbaj lexuesin të zgjuar dhe të emocionuar deri në përfundim, sepse ky libër është shkruar në  formë të një tregimi kontinuel dhe përjetimeve jetësore të vet autorit. Nehati, duke përjashtuar ndjenjën vetiake , jep çdo gjë nga vetja, që lexuesi të gjejë veten në këto vargje, të mishërohet me interesimin e tij. Padyshim, çdo lexues pas leximit, do të dëshirojë ta vizitojë Orizaren, vendlindjen e autorit dhe të magjepset me bukuritë natyrore të këtij fshati, të cilat e pasurojnë muzën e tij. Uroj që edhe shume poezi të lindin nga kjo muzë e begat, për ta pasuruar edhe më shumë Letërsinë shqiptare dhe Bibliotekat tona! 


                                                                                                    























0 comments:

Post a Comment